Presidenti Ilir Meta: Askush të mos guxojë të shkelë Kushtetutën dhe autoritetin e deleguar nga populli

221
Sigal

 Jam i vendosur të mbroj Kushtetutën, të Drejtat dhe Sovranitetin e Shqipërisë. Mbyllja e hetimeve për dosjen e Shijakut dhe Dibrës, tregues i kapjes së Drejtësisë

Presidenti Meta: Çështja e Detit? Askush mos guxojë të shkelë Kushtetutën dhe autoritetin e deleguar nga populli

Mbyllja e hetimeve për dosjet e Shijakut dhe të Dibrës, tregues i kapjes së drejtësisë

 Presidenti Ilir Meta mbrëmë në një intervistë televizive, duke iu referuar dekretit të Presidentes së Greqisë për zgjerimin në 12 milje në kufirin detar me Shqipërinë, dha një mesazh kryeministrit Rama, qeverisë dhe parlamentit, se asnjë të mos guxojë që të shkelë Kushtetutën, dhe të mos marrë vendime që cenojnë sovranitetin e Shqipërisë.

-Si ishte Shqipëria në 2020, në këndvështrimin e Presidentit të Republikës?

-Ky vit ka qenë i vështirë dhe me shumë sfida, nga pasojat e tërmetit, që ra më shumë se një vit më parë, tek pasojat e pandemisë. Nuk mund të themi që ka qenë një vit arritjesh, apo shumë pozitiv. Ndaj, jam i sigurt që të gjithë mezi po e presim Vitin e Ri, me një shpresë për një vit më të mirë, për t’i kaluar këto vështirësi. Natyrisht duke punuar dhe duke bashkëpunuar të gjithë edhe më shumë me njëri-tjetrin.

– Para pak ditësh Greqia, ka miratuar dekretin Presidencial, për zgjerimin e ujërave territoriale në detin Jon me 12 milje. Mendoni se kjo çështje, do të ndikojë në bisedimet që ka Shqipëria me Greqinë?

Kjo është një çështje mjaft komplekse. Vullneti im, ka qenë dhe mbetet i palëkundur në përpjekje për një zgjidhje të qëndrueshme, që respekton Kushtetutën e Shqipërisë, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, si dhe të Drejtën Ndërkombëtare. Për këtë çështje, kam bërë gjithmonë përpjekjet e mia më të mira, për të ndihmuar dhe për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet në vend, në radhë të parë me Qeverinë. Lidhur me aktin më të fundit, mund të them që po bëjmë punën tonë për t’u njohur me të dhe efektet që mund të ketë për të drejtat tona, për të cilat i garantoj të gjithë, që do bëj çdo përpjekje për t’i mbrojtur në mënyrën më të qartë, në respekt të Kushtetutës, sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Shqipërisë, në mënyrë transparente dhe konstruktive.

Kryeministri Rama, ka thënë se kjo është një e drejtë e Greqisë. Mendoni se Qeveria shqiptare duhet të paraqesë rezerva për këtë zgjerim?

Kjo çështje është hapur edhe më parë në një mënyrë, jo shumë të qartë dhe jo transparente. Për çdo përfaqësues të institucioneve shqiptare është e rëndësishme, që në sjelljen dhe qëndrimet publike të mbrojë gjithmonë interesat e vendit. Në këtë drejtim ka nevojë për shumë më tepër përgjegjshmëri dhe përmbajtje nga çdo aktor. Jo vetëm Kushtetuta, por edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i ka bërë të qarta atributet e kompetencat për një çështje të tillë apo të ngjashme si kjo, të çdo aktori vendas në Republikën e Shqipërisë dhe askush nuk duhet të shkelë apo të tejkalojë përgjegjësitë e tij.

 

– Të dyja shtetet ka rënë dakord për t’iu drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare. A është kjo një zgjidhje e drejtë në këndvështrimin e Presidentit të Republikës, për të shmangur një situatë të tensionuar, siç është ajo midis Turqisë edhe Greqisë?

Presidenti i Republikës nuk ka asnjë njoftim zyrtar, lidhur me ndërprerjen e negociatave midis dy vendeve për këtë çështje. Së dyti, e theksova dhe më parë, asnjë aktor vendas nuk duhet të marrë përsipër përgjegjësi, që dalin jashtë përgjegjësive, që ka përcaktuar Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.

Është një çështje që në këndvështrimin Tuaj mund të merrte një drejtim ose një zgjidhje pas 25 prillit?

Është një çështje që do të kërkojë një angazhim dhe bashkëpunim të të gjithë aktorëve vendas, për të shkuar drejt një zgjidhje të qëndrueshme dhe të pakontestueshme, që i shërben dhe marrëdhënieve midis dy vende tona. Çdo veprim individual dhe i nxituar nuk ndihmon në zgjidhjen e kësaj çështje.

Cila do të ishte rruga më e mirë, që Shqipëria të dilte e fituar nga ky diskutim dhe nga kjo çështje. Edhe nëse do i duhej të shkonte në Gjykatën Ndërkombëtare?

Presidenti Meta: Kjo është një çështje që rezervohem të shprehem më shumë publikisht. Si President, i kam bërë të gjitha veprimet në mënyrë më të qartë, më të dokumentuar dhe më zyrtare, për të kontribuar për zgjidhjen e saj parimore, të drejtë dhe afatgjatë.

Zoti President, cila është sfida e Gjykatës Kushtetuese në këndvështrimin Tuaj?

Sfidat e Gjykatës janë të panumërta, dhe nuk është detyra ime për të përcaktuar agjendën e tyre. Ajo përcaktohet nga çështjet, që janë tashmë në tryezën e anëtarëve të Gjykatës Kushtetueses. Për mua, çdo akt dhe çdo vendim i kësaj Gjykate është mjaft i rëndësishëm dhe do të ketë shumë vendime të rëndësishme, për të verifikuar integritetin e saj.

U bë shumë vite që Shqipëria nuk ka gjykata funksionale. A duhet të besojnë qytetarët shqiptarë tek drejtësia, tashmë me ngritjen edhe pjesërisht të këtyre institucioneve të rëndësishme?

Qytetarët shqiptarë nuk duhet të besojnë askënd, përfshirë dhe Presidentin e Republikës, por, duhet të ndjekin, të monitorojnë, çdo akt, çdo sjellje, çdo vendim. Kjo vlen edhe për Gjykatën Kushtetuese, kjo vlen edhe për institucionet e tjera të drejtësisë. Ajo që unë mund t’ju them me bindje të plotë është, që nuk besoj se institucionet e drejtësisë, do mund të funksionojnë në një mënyrë të besueshme dhe të jenë plotësisht efektive, dhe të pavarura jashtë kësaj trysnie të jashtëzakonshme politike dhe partiake. Sidomos, kur ushtrohet në kohën që kemi një Kuvend njëpartiak, dhe kur në tërësi të gjithë institucionet e shtetit janë të kontrolluara nga një parti e vetme. Është e vështirë të presim në një trysni të tillë një funksionim efektiv, të besueshëm, dhe të pavarur edhe tek institucionet e drejtësisë.

Ndërkombëtarët e kanë konsideruar një proces të vështirë, po të drejtë, të suksesshëm Reformën në Drejtësi në Shqipëri.

Po të shohim të gjitha kushtet që janë vendosur nga Bundestag-u dhe Parlamenti Europian, kanë të bëjnë me vetë zbatimin e Reformës në Drejtësi. Cilat janë rezultatet? Mjafton mbyllja e hetimeve të dosjes së Shijakut, të Dibrës, për të kuptuar sesa e kontrolluar është kjo lloj drejtësie.

– Zoti President, prej vitit 2019, tre bashki janë pa kryetar, Shkodra, Vora dhe Durrësi. Kur do i dekretoni zgjedhjet për këto Bashki?

Kjo nuk është një pyetje që i takon Presidentit. Së dyti, nuk besoj se është shqetësim, sepse të gjitha Bashkitë në vend, drejtohen në një mënyrë të çuditshme, që nuk bën ndonjë dallim të madh për këto raste. Sigurisht, do të duhej një vendim i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e 30 qershorit, për të bërë vlerësime të tilla.

– Parlamenti ka miratuar disa ligje, të cilat i ka propozuar opozita me synim luftën ndaj shit-blerjes së votës. Një ndër këto është edhe ndryshimi, në Kodin e Procedurës Penale, që i jep të drejtë SPAK-ut, të hetojë korrupsionin zgjedhor. Do i dekretoni këto ndryshime?

Çdo ligj, që i shërben integritetit të zgjedhjeve do dekretohet. Ashtu siç është dekretuar me shpejtësi rrufe çdo ligj, që i shërben të mirës publike.

-Mendoni se hetimi i korrupsionit zgjedhor është sfida kryesore e SPAK-ut?

Mendoj që sfidat janë nga më të jashtëzakonshmet, që përfshijnë çështje shumë të mëdha. Prej kaq kohësh hetimi i dosjes së Dibrës dhe të Shijakut, kanë qenë një prioritet kryesor i kërkuar me aq forcë, ka qenë edhe kusht i Bundestag-ut dhe Parlamentit Europian.

– Si është menaxhuar situata në këndvështrimin tuaj?

Duhet të ishte menaxhuar me një përgjegjshmëri dhe planifikim tjetër, dhe jam i sigurt që rezultatet do të kishin qenë më të mira. Dua të vlerësoj punën e gjithë personelit mjekësor sepse u bë një kohë shumë e gjatë, që ata punojnë, sakrifikojnë dhe janë në vijën e parë të kësaj beteje. Për fat të keq, kemi dhe shumë humbje nga personeli shëndetësor, mjekë, infermierë dhe personel mbështetës. Padyshim, që qeveria duhet të kishte bërë shumë më tepër, për një menaxhim sa më të pavarur dhe për t’i dëgjuar sa më shumë ekspertët. Duhet të kishte dhënë një mbështetje më të madhe për sektorin e shëndetësisë. Kjo është edhe një nga arsyet e kthimit të projektbuxhetit nga ana ime për rishqyrtim në Kuvend. Së dyti, edhe për mbështetjen jo të duhur ndaj biznesit dhe sipërmarrjes.

– Është përgjegjësia vetëm e qeverisë nëse të rinjtë largohen, apo fuqia punëtore largohet nga një vend?

Pa asnjë diskutim, që është përgjegjësi në radhë të parë e qeverisë, e shtetit dhe e politikës. Ajo që unë kam theksuar edhe më herët, është se në rastin e Shqipërisë, nuk kemi largim apo emigrim, siç ka dhe në vende të tjera të rajonit, por kemi shpopullim. Çfarë mundësish ju kemi ofruar në radhë të parë të rinjve këtu? Çfarë mundësish i kemi ofruar ne investitorëve të huaj këtu? Kush janë investimet e huaja dhe vendase, që janë shtuar në Shqipëri, përveç ndërtimit të kullave gjithandej. Sa vende pune kanë hapur këto, cilat janë eksportet që janë rritur? Pra, shohim që kemi një bilanc shumë të trishtueshëm, edhe u jepet shumë pak mundësi të rinjve për të gjetur veten e tyre. Të rinjtë i kanë të gjitha mundësitë të reagojnë dhe të mos presin më nga kjo klasë apo elitë politike, që të zgjidhë problemet e tyre. Është një përgjegjësi që ata, duhet ta marrin për veten e tyre dhe për të ardhmen e vendit, sepse largimi nuk është zgjidhje. Largimi është dezertim nga Shqipëria europiane si projekt, sepse ata mund të gjejnë një punë më të mirë në çdo vend që mund të shkojnë, por, atje do të jenë thjesht një statistikë.

Zoti President, si e shikoni këtë procesin e vaksinimit në Shqipëri, dhe në këtë situatë a është vaksinimi zgjidhja?

Në mënyrë të vazhdueshme ne, e kemi inkurajuar dhe nxitur Qeverinë për të gjithë tërësinë e masave që duhet të marrë dhe ajo duhet të jetë më transparente dhe më koherente në qëndrimet e saj.