Luçiani Boçi: Elbasani është kryeqyteti i krimit të organizuar. Lidhjet me zyrtarë vendore, qendrorë dhe garancia politike

249
Sigal

Luçiano Boçi, ish -deputet

 Sa më i lartë niveli i përfaqësimit politik në Elbasan, aq më i lartë krimi dhe aq më e ngushtë lidhja midis dy bandave, bandës qeveritare dhe bandës së rrugës. Kjo buron nga garancitë politike që ofrohen

 Në Elbasan krimi i organizuar ka lidhje organike me zyrtarë vendorë dhe qend

Gazeta Telegraf

 Luçiano Boçi, ish- deputeti i Qarkut të Elbasanit, në intervistën për gazetën “Telegraf”, e pohon se Elbasani është pasqyrë e degradimit të shtetit të lidhura me krimin e organizuar,e që shumë herë marrin urdhër drejtpërdrejtë nga zyra e Kryeministrit. Zoti Boçi, duke fotografuar përfaqësuesin politik të Qarkut, Taulant Ballën, i cili është edhe numri 2 i ‘Rilindjes’, thotë seSa më i lartë niveli i përfaqësimit politik që mbulon qarkun, aq më i lartë krimi dhe aq më e ngushtë lidhja midis dy bandave, bandës qeveritare dhe bandës së rrugës”. Zoti Boçi thekson se bizneset i nënshtrohen një klasifikimi kriminal nga strukturat e shtetit dhe bandat kriminale.

 

Elbasani është një pikë strategjike e tranzitimit të heroinës dhe të kokainës me një netëork të pasur ndërkombëtar. Prishja e pazareve bën që herë pas here të kemi përplasje “të çuditshme”, vrasje makabre dhe zhdukje misterioze

-Zoti Boçi, pse Elbasani është shndërruar në “kryeqytetin” e krimit?

– Elbasani është në një garë të ethshme me Vlorën, Shkodrën, Durrësin, Fierin etj, për të rrëmbyer kurorën e kryeqytetit të krimit. Situata në Elbasan është pasqyrë e gjallë e degradimit të shtetit dhe të strukturave të tij, të shndërruara në banda të korracuara, të lidhura me mijëra fije e interesa me krimin e organizuar, interesi i vetëm i të cilave është pushteti politik dhe dominimi ekonomik. Po ta shohësh më nga afër situatën kriminale në qarqe ka një raport të drejtë me përfaqësimin politik. Sa më i lartë niveli i përfaqësimit politik që mbulon qarkun, aq më i lartë krimi dhe aq më e ngushtë lidhja midis dy bandave, bandës qeveritare dhe bandës së rrugës. Elbasani prandaj është afër shpalljes kampion. Kjo buron nga garancitë politike që ofrohen dhe që aplikohen dhe nga kapja totale në shumë rrafshe e institucioneve që janë drejtpërdrejtë përgjegjëse për krimin. Policia kontrollohet në masën 100% nga përfaqësuesit politikë rilindas. Dhe roja i derës së komisariatit duhet të jetë i partishëm dhe jo më drejtuesit e lartë. Por dhe organet e tjera të drejtësisë përjetojnë një presion ekzemplar dhe shpesh herë të drejtpërdrejtë. Është e dhimbshme të shohësh uniformën e shtetit të përbaltet nga kamikazë politikë e të shndërrohet në një shërbëtore totale të politikës së pisët dhe krimit të pastër. Përpos fuzionit politikë-banda-polici në nivel shumë të lartë, mos të harrojmë që Elbasani është një pikë strategjike e tranzitimit të heroinës dhe të kokainës me një netëork të pasur ndërkombëtar. Prishja e shpeshtë e ekuilibrave, pazareve, fitimeve bën që herë pas here të kemi përplasje “të çuditshme”, vrasje makabre dhe zhdukje misterioze. Në gjithë këtë teatër gjigand kriminalistik mes pazaresh e krimesh, policia nuk është vëzhguese pasive. Ky do të ishte skenari më i mirë. Ajo është interaktive me trafikantët dhe merr benefitet e saj nga mbështetjet e drejtpërdrejta ose të tërthorta. Kjo është arsyeja që në Elbasan zbulueshmëria është e ulët dhe goditja e trafiqeve është pothuajse zero.

Shkaqet e emigrimit janë korrupsioni, krimi, kostoja e rritur e jetesës, goditja e biznesit, mos mbështetja e fermerëve, degradimi i arsimit, vrasja e të ardhmes për brezin e ri, kolapsi i shëndetësisë, mungesa e vizioneve

– A ka lidhje krimi me zyrtarët vendorë dhe qendrorë? 

– ‘Toytoa Yaris’ si ngjarje e gjithëditur, ‘Xibraka’ e famshme, skandali para do kohësh i ‘AKBN’-së, ku shumë emra të njohur nuk kanë dalë ende në dritë e shumë “të pathëna” të tjera, dëshmojnë një lidhje të ngushtë të zyrtarëve të lartë vendorë e qendrorë me interesa kriminale. Selektiviteti në shpërndarje financiare për investimet e bëra në qark, përfshirë dhe inceneratorin, të kushtëzuara dhe politikisht, nxjerr në pah implikimin e drejtuesve politikë me krimin e organizuar, me pastrimin e parave dhe trafikun e narkotikëve. Sado pudër të hedhin drejtuesit e sotëm politikë në faqet e facebukë-ve, e sado bukur t’i qëndisin ato, bashkëpunimi i tyre me krimin, është tegel i shtrembër që dallon kilometra larg.

 

Arsimi është një ndër më sektorët më të goditur të mbrapshtësisë e aventurës politike rilindase. I painvestuar, i keqpërdorur, i frustruar . Arsimi parauniversitar po përjeton një fikje inercike të shumë vlerave, Arsimi i lartë është në kolaps

– Ky bashkëpunim i krimit me qeveritarët ‘rilindas’ a ka ndikim në fushata zgjedhore?

– Çdo mbështetje politike dhe financiare e dhënë e ka të shkruar nga pas kompensimin për vota, për kontrolle territoresh votuese, e mbështetje “të fortë”. Është një kontratë “xhentëlmenësh” midis jo xhentëlmenëve, ‘rilindasve’ dhe bandave, midis ‘rilindasve’ dhe atyre që kanë gllabëruar burimet financiare, midis ‘rilindasve’ dhe drejtuesve të administratës.
-Përse prokuroria, gjykata dhe policia e Shtetit tregohen të pamundur ta godasin dhe ndëshkojnë krimin?

– Ne sot kemi një prokurori të tredhur, gjykatë të paorientuar dhe një polici politike krejtësisht shërbyese të pushtetit e jo shtetit, që punon me të gjitha kapacitetet e saj për shërbime të ndyra politiko-kriminale deri në detaje. Në këtë pikë rendi e siguria janë terciare dhe periferike. Pamundësia e tyre buron nga komanda e gabuar nga ku marrin urdhëra. Shpeshherë kjo komandë është zyra e partisë dhe e Kryeministrit dhe jo faqja e ligjit dhe e Kushtetutës. Kjo bën që sot të dëgjojmë lirime bandash, vrasësish, trafikantësh dhe arrestime e dënime protestuesish, adoleshentësh, fëmijësh. Krimi më i madh në regjimin e Ramës konsiderohet kundërshtia ndaj këtij regjimi.
– Nga të dhënat e INSTAT, Qarku i Elbasanit është nga më të varfërit, ka papunësi të madhe, ikja e qytetarëve në emigrim është rekord. Cilat janë shkaqet?

– Shkaqet janë të njëjta si kudo në Shqipëri. Korrupsioni, krimi, kostoja e rritur e jetesës, goditja e biznesit, mos mbështetja e fermerëve, degradimi i arsimit, vrasja e të ardhmes për brezin e ri, kolapsi i shëndetësisë, mungesa e kujdesit dhe e vizioneve për një qytet si habitat gëzimi i jetese të mirë, kaotizmi social, dominimi i parimeve të xhunglës dhe jo i vlerave njerëzore e demokratike. Shto këtu drejtimin politik banal dhe gangsterizmin rrëmbyes e grabitës qeveritar.
– Si e shpjegoni Ju, këtë kontrast të zi për Elbasanin, krim, varfëri, papunësi, kur njëkohësisht ka drejtues politik numrin 2 të ‘Rilindjes’ Socialiste, Taulant Ballën?
– Unë do thoja që nuk është kontrast. Është pamja e natyrshme e përputhjes së plotë midis nivelit politik drejtimit të qarkut dhe shkallës së krimit varfërisë, papunësisë. E thamë dhe më lart. Sa më i lartë niveli i drejtimit aq më i lartë niveli i krimit, i së keqes, korrupsionit, varfërisë e papunësisë. Sa më i lartë niveli i përfaqësimit aq më e rrafshët hapësira pyjore ajo e vlerave dhe e të mirës. Dhe këtu nuk ka asnjë habi. Pasioni për të instaluar të keqen rritet së bashku me rritjen në hierarkinë rilindase. Me Ramën arrin kulmin.

– Zoti Boçi, disa biznese në Qarkun e Elbasanit, ankohen se ndaj tyre vendosen gjoba nga institucione të shtetit, me qëllim vjeljen e parave për t’i përdorur PS në fushatën elektorale të 25 Prillit? Keni ju dijeni? Kush i inskenon këto?

– Prej kohësh bizneset përjetojnë një situatë presioni. Më së shumti atyre u shitet “gjoba” si kontribut zgjedhor “me vullnet të lirë”. Por dhe kjo kur bëhet me “vullnet të lirë” se në fakt është taksë suplementare krahas përqindjeve nën dorë, nga ata që kanë përfituar në mënyrë të padrejtë burime financiare, bëhet në kundërshtim me ligjin. Bizneset i nënshtrohen një klasifikimi kriminal në të djathtë e të majtë dhe penalitetet në rast mos nënshtrimi janë të rënda. Zinxhiri i institucioneve penalizuese është i pafund dhe ato nën komanda politike mund të falimentojnë çdo biznes që i del përpara. Prapa gjithë kësaj maskarade janë drejtuesit politikë të qarkut e kjo nuk përbën sekret. Madje është rrahje gjoksi për drejtim me grusht të hekurt të qarkut që merr lëvdata politike nga vetë Rama. Deri këtu kemi mbërritur.
– A i bëhet presion politik administratës publike, që të përgatitë lista të votuesve për ‘Rilindjen’, me këmbim të ruajtjes së vendit të punës?

– Ka muaj që administrata e jo vetëm ajo, por dhe mësuesit e kushdo që ka lidhje me shtetin, janë përfshirë në një aksion të ethshëm politik zgjedhor. Ne kemi denoncuar raste konkrete kur drejtorët e shkollave mbledhin të dhënat e kartave të identitetit të prindërve dhe çdo drejtor në çdo institucion ka shpërndarë formularë zgjedhorë për çdo punonjës, që këta të fundit të sjellin me detyrim një numër të caktuar votash, nën presionin humbjes së vendit të punës.

Situata në Elbasan është pasqyrë e gjallë e degradimit të shtetit dhe të strukturave të tij, të shndërruara në banda të korracuara, të lidhura me mijëra fije e interesa me krimin e organizuar, interesi i vetëm i të cilave është pushteti politik dhe dominimi ekonomik

– Nëse bëjmë një bilanc 8- vjeçar të qeverisjes së ‘Rilindjes’ Socialiste, a rilindi Arsimi parauniversitar dhe universitar?

– Arsimi është një ndër sektorët më të goditur të mbrapshtësisë e aventurës politike rilindase. I painvestuar, i keqpërdorur, i frustruar ai ka marrë pamjen e lodhjes e rraskapitjes ‘rilindase’. Arsimi parauniversitar po përjeton një fikje inercike të shumë vlerave, investimeve në breza dhe arritjeve të shumë kontributorëve. Arsimi i lartë është në kolaps dhe ngjan se brenda tij nuk prodhohen më as studentë, por kartona pa vlerë dhe destinacion, as transmetim dijesh, por transmetim të mungesës së perspektivës, as shkencë, por vetëm një plagjiaturizëm mediokriteti që buron nga koka. Braktisja e shkollës po njeh shifra marramendëse. Shumë fëmijë e të rinj për shkak të kushteve ekonomike dhe besueshmërisë së ulët ndaj nivelit arsimor, janë larguar nga vendi. Është instaluar një diskriminim arsimor ekzemplar në të gjitha nivelet dhe hapësirat. Infrastruktura është e mjerueshme dhe klasat kolektive e ato me shumë nxënës janë në rritje. Politikat e ndjekura janë kaotike dhe të gabuara. Ndërhyrjet ligjore pa kriter dhe me prapavija të pastra politike, sidomos me Ligjin e famshëm të arsimit të lartë kanë sjellë regres dhe ngërç arsimor e akademik. Kërkimi shkencor ka vdekur. Nxënësit nuk mbështeten ndërsa studentët janë të braktisur në fatin e tyre. Mësuesi është i përçmuar i keq paguar i dhunuar dhe i dënuar politikisht të shndërrohet në zgjatim militanti. Pedagogu në kuptimin e vërtetë të fjalës ka humbur në xhunglën e dhunës e arrogancës së pushtetit. Ministria përgjegjëse ka rezultuar të jetë ministria më e papërgjegjshme dhe e paaftë. Pandemia rrëzoi dhe pikën e fundit të kallajit që i kishte mbetur arsimit duke zbuluar hapur dështimin spektakolar dhe korrupsionin ulëritës të Ramës dhe ministreshave të tij kopje të njëra-tjetrës. Nëse kjo quhet rilindje unë them që ka një ngatërrim termash, pasi më së shumti e gjithë kjo panoramë me arsimin në tërësi i ngjan vdekjes.

Bizneset i nënshtrohen një klasifikimi kriminal në të djathtë e të majtë dhe penalitetet në rast mos nënshtrimi janë të rënda. Zinxhiri i institucioneve penalizuese është i pafund dhe ato nën komanda politike mund të falimentojnë çdo biznes

– Cila është strategjia e Opozitës, që të mbrojë votat në 25 Prill 2021, përballë partisë-shtet që do mundohet t’i manipulojë votat, derisa ka gjithë pushtetin vendor, vetë opozita denoncon se kryeministri Rama ka kapur të gjitha pushtetet e tjera, bashkëpunon me krimin për blerjen e votës, siç dëshmuan edhe dosjet 339 dhe 184?

– Nuk ka iluzione që Rama do heqë dorë nga krimi në grabitjen e zgjedhjeve, nga ushtarët policë në mbledhjen e votave nga përdorimi i administratës në rrëmbimin e votave. Kodin Zgjedhor për më tepër e deformoi në një statut të partisë së tij. Është e vërtetë që partia-shtet ka kapur gjithçka, por kjo nuk na pengon ne të bëjmë gjithçka me gjithçka, për të mbrojtur votën e lirë dhe mos deformimin e vullnetit të qytetarëve. Në çdo skenar të menduar nga ai, Rama është i humbur. Kjo jo për patetizëm politik, por për faktin se shqiptarët janë të zemëruar deri në zenit me pushtetin e ‘rilindjes’ e janë të bindur që regjimit të tij i ka ardhur fundi. Vota e 25 prillit nuk është një votë e zakonshme. Është një votë për të bërë një kapërcim të madh historik. Sot njerëzit duan, shpresë, punë, shtet të së drejtës, mirëqenie, siguri dhe të ardhme. Basha me PD, opozita e tërë po e shpalos çdo ditë veten si partnerja më e sigurtë e qytetarëve dhe vendit në aspiratat e përbashkëta që ato kanë për një jetë më të mirë e të begatë e për një Shqipëri që meriton të jetë në vendin që i takon mes kombeve europiane.

– Faleminderit!