Për këtë rol si poet i Ballkanit, si rapsod i Europës, si lajmëtar i lirisë, për këtë lidhje që mishëroni mes Shqipërisë dhe Francës kam nderin t’ju ngre në Gradën e Oficerit të Lartë në Urdhrin e Legjionit të Nderit
- Presidenti i Francës, Emmanuel Macron mbërriti pasditen e së hënës në Shqipëri. Vizita e parë zyrtare e tij nisi përmes një ceremonie duke i dorëzuar shkrimtarit tonë të shquar, Ismail Kadare Dekoratën e “Oficerit të Madh të Legjionit të Nderit”. Ceremonia u mbajt te Pallati i Brigadave, ku Macron vlerësoi punën e Kadares, duke përmendur edhe disa nga veprat e tij. Ai e vlerësoi Kadarenë për rolin si poet i Ballkanit, si rapsod i Europës dhe për lidhjen që mishëron mes Shqipërisë dhe Francës. “Ju jeni përfundimisht nga sëra e Kunderës, nga ata që ja rrëmbenin çdo fjalë heshtjes, ata që çdo roman rrezikonte të ishte epitaf i karrierës suaj. Ngaqë ju shkruat dhe jetuat si një njeri i lirë në një Shqipëri që në atë kohë nuk ishte e lirë. Ju u rritët në një xhevahir arkitekture, qyteti i Gjirokastrës, në një shtëpi të madhe plot dhoma bosh që ju e populloni me ëndrrat dhe leximet tuaja. Ju rishpikni një letërsi, sepse ajo ekziston vetëm kur rreziku është atje. Dy herë u akuzuat se nxitët rebelimin dhe u internuat me punë fizike. I dashur Ismail Kadare, ndonjëherë ju ndjeni keqardhje për ato vite shtypje që ju kanë penguar të nxirrnit zërin tuaj, por të jeni i sigurt që vepra juaj nuk ka humbur asgjë nga fuqia e saj. Ajo është forcuar në kundërshti, ka marrë bukurinë e guximit. Liria që i mbyllin gojën ka pëshpëritje më të forta se britmat. Ajo ka treguar atë që bashkon vendet tona në mënyrë të pandashme dhe që e mbart ende sot kryeministri juaj me shumë talent, këtë dashuri për Evropën, këtë evidencë të një vendi mesdhetar, që shikon drejt perëndimit dhe drejt nesh. Për këtë rol si poet i Ballkanit, si rapsod i Europës, si lajmëtar i lirisë, për këtë lidhje që mishëroni mes Shqipërisë dhe Francës kam nderin t’ju ngre në Gradën e Oficerit të Lartë në Urdhrin e Legjionit të Nderit”, -u shpreh Macron. Kjo është vizita e parë zyrtare të një Presidenti francez në Shqipëri.




















