Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ndodhet në një vizitë zyrtare në Kroaci, ku është pritur në takim nga homologu Zoran Milanoviç.
Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit, Milanoviç shprehu përkrahjen e Kroaci në rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian.
“Shpreh përkrahjen e plotë, është e rëndësishme që Shqipëria të bëhet pjesë e shoqërisë europiane. Nëse ne nuk ndihmojmë Shqipërinë të bëhet pjesë sa më parë të jetë e mundur, atëherë do të vijë dikush tjetër ta ndihmojë. Kjo është e qartë”.

Presidenti Begaj, tregoi se me homologun kroat, diskutoi për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, përfshirë dhe një linjë direkte ajrore Shqipëri-Kroaci.
“Kjo është vizita ime e dytë si president jashtë vendit, pas asaj të Kosovës. Vizita ime në Kroaci është e rëndësishëm në kuadër të marrëdhënies mes dy vendeve. Patëm një bisedë të gjatë, ku fokusi kryesor ishte forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe. Marrëdhëniet shqiptaro-kroate sot janë në ditët e tyre më të mirë, falë vizionit të përbashkët për Ballkanin Perëndimor.
Ndamë bindjen se ende mbetet shumë për të bërë në drejtim të bashkëpunimit ekonomik. Për një ndërlidhje më të mirë mes dy vendeve, ndamë mendimin që të ketë një linjë ajrore direkte mes dy vendeve apo një ndërlidhje portuale”, tha Begaj.

Fjala e plotë e Presidnetit Begaj:
Së pari, më lejoni që në këtë konferencë të përbashkët shtypi të falenderoj mikpritësin dhe mikun tim, Presidentin e Republikës së Kroacisë, zotin Zoran Milanoviç, për pritjen e përzemërt që më ka bërë mua dhe delegacionin që më shoqëron.
Faleminderit Zoran!
Kjo është vizita e dytë e imja si President i Republikës së Shqipërisë jashtë vendit pas asaj të Kosovës e cila për mua ka një rëndësi të madhe e mjaft domethënëse.
Vizita ime në Kroaci, është e rëndësishme në kuadër të marrëdhënieve midis dy vendeve ashtu edhe në kuadër të zhvillimeve rajonale, evropiane por edhe më gjerë.
Me Presidentin Milanoviç, pata kënaqësinë të zhvilloj një bisedë të gjatë, të veçantë e miqësore, ku fokusi kryesor ishte forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dypalësh, axhenda e integrimit evropian të Shqipërisë, si dhe zhvillimet rajonale.
Ndamë pikëpamjen e përbashkët se marrëdhëniet shqiptaro-kroate, sot janë në ditën e tyre më të mirë, falë marrëdhënieve të shkëlqyera historike dhe tradicionalisht miqësore midis dy vendeve e dy popujve tanë. Ata kanë në themel të tyre prioritetet e politikës së jashtme të dy vendeve tona dhe vizionin e përbashkët për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Dokumenti i partneritetit strategjik i firmosur midis dy vendeve i ka dhënë një dinamikë të re marrëdhënieve midis dy vendeve.
Marrëdhëniet tona festuan vitin që shkoi 30-vjetorin dhe vlerësova se në këto tre dekada kemi krijuar një kapital i cili është mjaft i mirë i bashkëpunimit politik, diplomatik dhe ekonomik.
Ndamë bindjen se pavarësisht nivelit të shkëlqyer të marrëdhënieve politike dypalëshe dhe prirjes dhe trendit të rritjes të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare, ende mbetet shumë për të bërë në drejtim të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve.
Kuadri ligjor nuk mungon, kështu që vlerësova se në këtë drejtim duhet të bëjmë diçka më shumë.
E sigurova Presidentin Milanoviç, se investimet dhe projektet kroate në Shqipëri janë të mirëpritura, veçanërisht në fushën e energjisë, turizmit – ku Kroacia ka një eksperiencë të jashtëzakonshme, po ashtu edhe në fushat e tjera si të infrastrukturës, bujqësisë dhe në fusha që kanë interes reciprok.
Për një ndërlidhje më të mirë midis dy vendeve, në ndikim të drejtpërdrejtë në fushën e turizmit, ndamë mendimin se ka ardhur koha që të ketë një linjë ajrore direkte midis dy vendeve, apo ndërlidhje midis porteve të dy vendeve.
Vlerësova se në raportet midis dy vendeve, në raportet historike e tradicionalisht miqësore një rol të rëndësishëm ka luajtur diaspora shqiptare në Kroaci, diaspora e vjetër dhe ajo e re.
Me diasporën e vjetër për nga historia i referohem Arbanasve të Zarës (Zadarit), të vendosur në trojet kroate mbi 300 vjet më parë, të cilët falë mbështetjes së dhënë nga autoritetet kroate kanë ruajtur deri në ditën e sotme gjuhën, traditat dhe kulturën.
Ndërsa diaspora e re, e përbërë nga shqiptarë të cilët kanë ardhur nga të gjitha trevat shqiptare nga rajoni, ka gjetur këtu në Kroaci, një atdhe të dytë, i cili i ka krijuar kushtet për një jetë plot dinjitet e me përfaqësim edhe në nivelet më të larta politike.
Ndjehem krenar kur dëgjoj, se komuniteti shqiptar në Kroaci konsiderohet si një pjesë konstruktive dhe e përkushtuar e shoqërisë kroate. Sot, ky komunitet përfaqësohet me një deputete shqiptare, kështu që faleminderit shumë e nderuar deputete për profilin publik të këtij komuniteti.
Vlerësuam se arritja së shpejti e një marrëveshjeje bilaterale për sigurimet shoqërore, do të ndikojë më shumë në forcimin e marrëdhënieve miqësore midis dy popujve tanë.
Natyrisht që biseda jonë u përqendrua edhe në bashkëpunimin rajonal, në kuadër gjithashtu edhe të integrimit evropian të Shqipërisë.
Vlerësova në këtë të fundit që Kroacia mund të shërbejë si një model, si një shembull shumë i mirë për Shqipërinë, dhe besoj po ashtu edhe për vendet e tjera të rajonit në këtë drejtim.
E përgëzova Presidentin Milanoviç për anëtarësinë e Kroacisë, në zonën Shengen dhe të Euros, si i vetmi vend që i ka arritur të dyja këto në një moment, në të njëjtën ditë.
Shpreha mirënjohjen për vëmendjen dhe ndihmën e veçantë që Kroacia ka dhënë dhe i jep procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Si një iniciatore e Samitit BE-Ballkani Perëndimor në vitin 2000, Kroacia ka qenë dhe mbetet një avokate e mirë dhe mbështetëse e madhe e procesit të zgjerimit dhe të anëtarësimit të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
E sigurova mikun tim Zoran, se Shqipëra dhe institucionet e saj janë të përkushtuara për të përmbushur me sukses reformat e nevojshme, duke e informuar për rezultatet konkrete dhe pritshmërinë për takimin e dytë ndërqeveritar midis BE-Shqipëri. Gjithashtu, nënvizova se Shqipëria është një partner i besueshëm evropian përsa i përket politikës së saj të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë. Presidenti Milanoviç më siguroi, se mbështetja, eksperienca dhe ekspertiza kroate nuk do të na mungojnë përgjatë këtij rrugëtimi.
Duke u ndalur tek bashkëpunimi rajonal, vlerësova në mënyrë të veçantë mbështetjen e plotë që Presidenti Milanoviç dhe institucionet kroate i kanë dhënë Kosovës, si në kuadër të procesit të njohjeve ashtu edhe në atë anëtarësimit të saj në organizatat rajonale dhe ato ndërkombëtare, por edhe për liberalizimin e vizave, një sukses që u arrit së fundmi.
Në kuadër të bashkëpunimit rajonal, vlerësova rolin e Kroacisë dhe të Sllovenisë në Procesin e Brdo-Brijunit, si platforma e vetme që i ka bërë bashkë në mënyrë të vazhdueshme, që i ka dhënë zë të gjithë krerëve të shteteve të rajonit për të avancuar idetë e qendrimet e tyre në drejtim të Bashkimit Evropian.
Shpreha besimin, se kjo platformë duhet të vijojë edhe në të ardhmen me mbështetjen e plotë të Presidentit Milanoviç.
Gjithashtu, ndamë mendimin, si dy vende anëtare në NATO, roli dhe angazhimi ynë i përbashkët për sigurinë dhe stabilitetin në rajon është dhe mbetet mjaft i rëndësishëm.
Në këtë këndvështrim nënvizuam interesin e përbashkët dhe nevojën e një koordinimi midis mes nesh, që edhe Kosova të bëhet sa më parë pjesë e kësaj Aleance.
Lidhur me anëtarësimin e plotë të Kosovës në Aleancë, jam në një gjatësi vale me Presidentin Milanoviç, i cili ka vlerësuar se Kosova nuk është e dyzuar as ndaj NATO-s dhe as ndaj BE-së.
Shpreha mbështetjen e Shqipërisë për dialogun Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke nënvizuar se zbatimi pa rezerva dhe i shpejtë i dakordësisë së rënë në Ohër për planin evropian, do t’i hapë rrugën normalizimit të marrëdhënieve dhe më pas një marrëveshjeje përfundimtare, të detyrueshme ligjërisht e të njohur ndërkombëtarisht, me në qendër njohjen e ndërsjellë midis dy vendeve.
Kjo do t’i shërbente rajonit, por jo vetëm.
Zhvillimet më të fundit gjeopolitike, pas agresionit të pajustifikuar rus ndaj Ukrainës, e bëjnë edhe më të rëndësishëm bashkëpunimin tonë rajonal për çështjet e sigurisë, përfshirë edhe atë kibernetike e të sulmeve hibride.
Shqipëria është e palëkundur në mbështetje të Ukrainës edhe përmes rolit të saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
E falënderova Presidentin Milanoviç për mbështetjen që Kroacia i dha kandidaturës së Shqipërisë për anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për periudhën 2022-2023, si dhe e sigurova për mbështetjen që Shqipëria do t’i japë kandidaturës së Kroacisë për anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit për periudhën 2030-2031.
Dhe në fund, por jo nga rëndësia, për të vijuar këtë bashkëbisedim shumë domethënës që patëm sot, e ftova Presidentin Milanoviç për një vizitë zyrtare në Shqipëri, në momentin që ai do ta shikojë sa më të arsyeshme sipas agjendës, dhe kjo agjendë do të jetë shumë e nevojshme për të çuar përpara marrëdhëniet dhe bashkëpunimin tonë mjaft të suksesshëm.



















