Monika Kryemadhi: Erdhi koha që ti japim fund tranzicionit dhe të kthehemi në një demokraci për të cilën kanë aspiruar të gjithë shqiptarët në shekuj

159
Sigal

Në përfundim të fjalës së saj në mitingun madhështor që do sjellë fitoren e LSI më 25 prill, Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi është shprehur se erdhi koha që ti japim fund tranzicionit dhe të kthehemi në një demokraci për të cilën kanë aspiruar të gjithë shqiptarët në shekuj.

Pjesë nga fjala e Kryetares së LSI, Monika Kryemadhi:

Si një vajzë e re besoja, tek social demokracia, por dhe sot që jam nënë e tre fëmijëve besoj te social demokracia. Besoj te solidariteti, besoj te forca që kemi dhe i japim njeri tjetrit. Besoj te vlerat e familjes, besoj në Zot sepse besimi në Zot më ka dhënë forcën dhe kurajën për tu përballur për të mos u tërhequr asnjëherë nga një sfidë. Duken pak si të çuditshme social demokracia me besimin në Zot por përballë kësaj të keqe shumë të madhe vetëm besimi te njëri tjetri, vetëm besimi tek vlerat, vetëm besimi tek parimet do të na bëjë që të ecim përpara për të realizuar ëndrrat e fëmijëve të shqiptarëve për të pasur një Shqipëri Europiane.

Të dashura motra, qytetare të Tiranës,
Po ju drejtohem sot si nënë, bashkëshorte, si vajzë dhe si motër. Do ju lutesha të ndihmonim njëra tjetrën, të votoni njëra tjetrën. Do ju lutesha të gjitha grave nga ky shesh i bekuar, sheshi i Nënë Terezës. Ashtu si Nënë Tereza fali dashuri dhe u lut gjithë jetën e saj për njerëzit, ashtu dhe ne të lutemi për njera tjetrën që të na japë forcë, të na japë kurajo, që të bëjmë më të mirën, të japim më të mirën për fëmijët e shqiptarëve, për popullin tonë, për vendin tonë, për atdheun tonë, për flamurin tonë, për familjen shqiptare, për atë familje të shenjtë, e cila ka qenë baza e institucionit të kombit tonë.
Të dashura motra,
Ta ndihmojmë njëra tjrtrën dhe ta votojmë njëra tjetrën, sepse vetëm në këtë mënyrë ne do të kemi shansin dhe mundësinë, të edukojmë fëmijët tanë. Më shumë dashuri për vendin. Më shumë dashuri për institucionet. Më shumë dashuri për shtetit, më shumë dashuri për kombin. Më shumë dashuri për flamurin tonë që është më i bukuri në botë. Për atë flamur të cilin Edi Rama nga ngjyra e kuqe e ktheu në mavi sepse vetëm gjak shqiptari nuk ka. Prandaj motra, kudo që jeni, të punojmë çdo ditë, më bashkëshortët , me vëllezërit, me fëmijët tanë, kudo që jemi, në fabrika, në ato fabrika të cilat mezi po qëndrojnë për shkak të sulmit dhe të falimentimit që iu bën Edi Rama. Kudo nëpër fermat dhe nëpër serat, të cilat ju me djersën e ballit, mundoheni që të shkolloni fëmijët tuaj. Kudo ashtu siç ia bëjnë yzmetin në serra bimëve, ashtu t’ua bëjmë yzmetin çdo ditë demokracisë shqiptare, që ti japim fund tranzicionit dhe të kthehemi në një demokraci për të cilën kanë aspiruar të gjithë shqiptarët në shekuj.

Unë sot dua t’ju drejtohem me një fjali dhe të gjithë atyre votuesve shqiptarë që janë skeptikë apo janë të lëkundur. Nëse duan të jetojnë në Shqipëri të lumtur të shkojnë dhe të votojnë. Nëse kanë taksa më të larta se ç’kanë pasur ndonjëherë të shkojnë të votojnë. Nëse kanë mundësi më të vogla të punësimi dhe pagese të shkojnë të votojnë. Nëse ndihen të frikësuar dhe të terrorizuar nga mungesa e sigurisë së jetës së tyre dhe të fëmijëve të tyre të shkojnë të votojnë. Nëse taksohen më shumë se asnjë qeveri tjetër, të shkojnë të votojnë. Dhe të ndëshkojnë me votë, të gjithë ata që iu morën shpirtin, që iu rritën taksat, që iu mbyllën bizneset, që iu falimentuan familjet e tyre në ekonomi dhe në arsim, të shkojnë dhe të votojnë, për të ndëshkuar arrogancën e atij shteti të kapur nga Edi Rama. Sepse shteti i shqiptarëve do të çlirohet në 25 prill nga vota juaj duke votuar ndryshimin. Unë dua të them dhe lutjen time të fundit që siç kemi zemrën të gjithë këtu në këtë shesh në mes të shiut të na e bëjë Zoti më 25 prill dhe Zoti ju ruajt ju, Zoti i ruajt familjet tuaja, Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë, Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe me një lutje, sot jo pa qëllim Rilindja dhe Edi Rama e njoftuan mitingun në të njëjtën orë përballë nesh. Mos u provokoni, ecni të qetë, siç keni ardhur sot me fëmijët tuaj, burra dhe gra, familje, kthehuni në shtëpitë tuaja me qetësi. Mos u provokoni nga askush, përkundrazi ftojini që të votojnë ndryshimin në 25 prill. Dhe mos nxisni asnjë person që do të provokojë rininë shqiptare por kthejani përgjigjen me indiferencë ashtu siç ua ktheni në sondazhet e paguara të llumit të Rilindjes që iku dhe nuk kthehet më. Do doja të ftoja gjithë kandidatët për t’i treguar gjithë shqiptarëve ekipin e mrekullueshëm, ekipin fitues, ekipin e jashtëzakonshëm të LSI.