Presidenti Begaj niset sot drejt SHBA, do marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së

Presidenti Bajram Begaj, do të marrë pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që do të zhvillohet në Nju Jork në datat 22 – 27 shtator 2025.

Gjatë kësaj jave, Kreu i Shtetit do të mbajë fjalën e tij në Debatin e Përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme, ku do të prezantojë qëndrimet e Shqipërisë mbi çështjet kryesore, përfshirë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, multilateralizmin, zhvillimin e qëndrueshëm dhe të drejtat e njeriut.

Sigal

Axhenda e Presidentit Begaj përfshin, gjithashtu, pjesëmarrjen në disa aktivitete të rëndësishme shumëpalëshe.

Kreu i Shtetit do të zhvillojë edhe takime dypalëshe me homologë të tij dhe përfaqësues të lartë të OKB-së.

Pjesë e axhendës së Presidentit Begaj do të jenë edhe takimet me përfaqësues të Diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa vizita në shkollat ku fëmijët e Diasporës mësojnë gjuhën amtare.