Precedenti që (Ri)lind kultin e individit në Partinë Socialiste

579
Në Partinë Socialiste ka 4 vjet që nuk zhvillohen zgjedhje të forumeve të partisë. Që do të thotë, në PS ka 4 vjet që nuk ka debate, nuk ka diskutime. Që do të thotë, që në PS ka 4 vjet, që nuk ka frymë demokratike, pasi çdo emërim në forumet e PS, që janë bërë në këtë ndërkohë, e bëjnë me urdhër nga kupola e partisë, pa pyetur aspak socialistët në forume. Kur në PS, ka 4 vjet që mungon demokracia e brendshme, kjo parti ka humbur edhe pluralizmin e pikëpamjeve dhe debatit dhe është shndërruar në një parti ku mbizotëron dhe mbretëron vetëm kulti i kryetarit të Partisë. Kjo frymë e mungesës së demokracisë në PS reflektohet edhe në qeverisjen e Rilindjes, për më tepër tani, pas 25 muajsh, ku edhe pse keqqeverisja, korruptimi i disa ministrave, arroganca e tyre në sjelljen dhe marrëdhëniet tyre me elektoratin e kanë bërë të domosdoshme një ribërje të kabinetit qeveritar, egoja e sëmurë dhe fryma e Kultit të Individit, sikurse në PS, edhe në qeverisje shpërfill edhe reagimin e socialistëve, që duan dhe kërkojnë me këmbëngulje pastrimin e qeverisjes socialiste nga “çibanët” ministrat e korruptuar dhe arrogantë. Pasojat? Katandisja e sotme e PS, ku nga një parti, që zbatoi e para parimin demokratik në zgjedhjet e forumeve të saj “1 parti, 1 votë”, është shndërruar në partinë e sundimit të Kultit të Kryetarit, ku emërimet e drejtuesve të forumeve të partisë, komandohen nga kupola. Aq, sa, siç pohon edhe gazetari Ergys Alushi, sot në Vlorë, ndodh fenomeni i çuditshëm. Ndërsa PS, që qysh herët zbatonte parimin “1 anëtar, 1 votë” për zgjedhjen e drejtuesve të PS, sot ata komandohen dhe emërohen nga kupola e PS, sikurse Anduel Tahiraj ose Tedi Nasto, janë të preferuarit e kupolës së PS për kryetar të PS në Vlorë, duke injoruar votën e socialistëve të Vlorës. Ndërkohë, po nga Vlora sot, si për ironi të fatit, PD, për herë të parë, kërkon të zbatojë “1 anëtar, 1 votë” për zgjedhjen e kryetarit të FRPD. Pasojat e kësaj arrogance, të mbisundimit të Kultit të Kryetarit në PS, që është frymë edhe e qeverisjes së Rilindjes, është se socialistët e vërtetë, ata që votuan PS në 2013, duke shpresuar ndryshimin e qeverisjes, tani po e braktisin masivisht, duke u bashkuar me LSI. Jo vetëm kjo. Tashmë edhe drejtuesit e deritanishëm të forumeve të PS, duke parë se procesi i zgjedhjes në PS, siç u shtrua në Asamblenë Kombëtare, po deformohet dhe kthehet në një proces të manipuluar, e braktisin edhe ata PS, për t’u bashkuar me LSI, siç ndodhi në PS e Përrenjasit.
Sigal