Porti i Durrësit zhytet në moçalin e mafies dhe pastrimit të parave

359
Sigal

Porti më i madh dhe me strategjik, që lidhë Adriatikun me Lindjen dhe Perëndimin, me një sipërfaqe prej 100 Ha do t’i jepet një kompanie e rregjistruar në ishujt e pastrimit te parave. Mashtrimi me  emrin e sheikut arab dhe pse pasuria më e madhe e Kombit po i jepet një personi pa emër dhe që ka të depozituar si pasuri vetëm 10 mijë lekë në Qëndrën Kombëtare të Biznesit. Kush fshihet pas këtij përfitimi prej miliarda euro dhe kush është familjari i një politikani të opozitës, i lidhur me këtë aferë

Kompani “guackë” për portin e Durrësit

Porti i jahteve në Durrës s’do të ndërtohet nga arabët e “Emaar”, por nga një kompani “fantazëm’”

Kompania që do të përfitojë qindra hektarë tokë shtetërore falas në portin e Durrësit, vjen nga ishujt Kejmen dhe është themeluar vetëm pak muaj më parë. ‘MCN’ zbardh ekskluzivisht rrjetin e kompanive, që qëndrojnë pas projektit 2 miliardë dollarë të shumëtrumbetuar nga qeveria, i cili synon ndërtimin e një porti turistik në Durrës, por edhe rizhvillimin e gjithë zonës në një kompleks të madh me hotele dhe apartamente.  Zyrtarisht, qeveria ka paraqitur si zhvillues dhe financues të projektit, themeluesin e grupit arab “Emar”, Muhamed Alabar. Por me sa duket, Alabar ka vendosur që të vijë në Shqipëri, jo përmes grupit “Emar”, por me kompani offshore nga ishujt Kejmen. Dokumentet e siguruara nga ‘MCN’, tregojnë se në 25 maj të këtij viti, në Qendrën Kombëtare të Biznesit është regjistruar një kompani me emrin “Symphony Real Estate Development”.

Zyrtarisht, qeveria ka paraqitur si zhvillues dhe financues të projektit, themeluesin e grupit arab “Emar”, Muhamed Alabar. Por me sa duket, Alabar ka vendosur që të vijë në Shqipëri, jo përmes grupit “Emar”, por me kompani offshore nga ishujt Kejmen

Kjo kompani ka një kapital prej vetëm 10 mijë lekë dhe administrator i saj rezulton shtetasi Oltjan Hoxholli, një avokat partner në studion ligjore “LPA”. Por Hoxholli është thjesht një nëpunës i emëruar. Pronari i “Symphony Real Estate” është një kompani guackë nga ishujt Kejmen, e quajtur “Symphony Invest Limited.” E themeluar në ishujt Kejmen në 23 shtator të vitit të kaluar, “Symphony Invest Limited” është kompania, me të cilën qeveria shqiptare ka lidhur marrëveshjen 2 miliardë dollarëshe për rizhvillimin turistik të portit të Durrësit, përmes një ligji special, si ai i Teatrit Kombëtar që rrëzoi Gjykata Kushtetuese. Por kush qëndron pas kësaj kompanie offshore? Fillimisht “Symphony Invest Limited” është krijuar nga një firmë ligjore e specializuar në regjistrimin e kompanive guacka, për llogari të biznesmenit Muhamet Alabbar. Por menjëherë pas themelimit, ky i fundit i ka transferuar aksionet e saj  në mënyrë të barabartë tek dy kompani të tjera, të quajtura “Eastern RE Fund lp” dhe “Symphony Global Holdings”. Edhe këto dy shoqëri, rezultojnë të hapura rizhtazi në Dubai, pa historik dhe pa bakgraund financiar. Rrjedhimisht, përfituesi fundor i kompanisë që do të marrë më shumë se 100 hektarë tokë shtetërore falas, në portin e Durrësit, është i panjohur, ashtu si dhe kapaciteti financiar i tij. Projekti i portit të Durrësit rrethohet nga shumë pikëpyetje, jo vetëm financiare, por edhe ligjore. Ky investim do të realizohet përmes një ligji special, jashtë rregullave të prokurimit publik, por edhe transparencës së detyruar të projekteve shtetërore. Regjistrimi në offshore i kompanive që do të financojnë dhe realizojnë projektin i shton edhe më shumë këto pikëpyetje, ndërkohë që ligji special i qeverisë për portin e Durrësit ka shkaktuar jo pak shqetësim tek Bashkimi Evropian.