Kryemadhi: Më mirë iki në shtëpi, se sa të bëj koalicion me Ramën

583
Sigal

Dje Monika Kryemadhi, në një deklaratë në televizion, e pyetur për mundësinë e një Koalicioni me Edi Ramën, u përgjigj: “Më mirë iki në shtëpi, se sa t’i jap shansin LSI-së të ulet me një kriminel. Do shkojmë të gjithë së bashku si front opozitar në zgjedhjet lokale. Edi Rama nuk do jetë kryeministër, kur të bëhen zgjedhjet lokale.” E pyetur, se a ndani të njëjtin mendim, me Sali Berishën që deklaroi, se Rama nuk mundet në zgjedhje, Kryemadhi u përgjigj: Nuk ndaj pothuajse të njëjtin mendim me Doktorin, nuk e mendoj këtë gjë. Doktori ka shumë arsye për ta menduar, për vetë faktin se shteti ka rënë përballë krimit, duke parë se si institucionet e shtetit janë të kapura. Pra njerëzit tashmë do ta bëjnë shtetin vetë, sepse vetëm duke u sjellë në këtë mënyrë, mund të vendosin disa balanca të cilat janë prishur. Unë mendoj që, zgjedhjet Edi Rama le t’i bëjë sot, po të jetë aq trim. Fiton opozita e bashkuar. Pse? Sepse sot opozita është mazhorancë numerike. E pyetur pse opozita bën padi në prokurori kundër Edi Ramës, kur vetë deklarojnë se Prokuroria nuk vepron kundër Ramës, Kryemadhi u përgjigj: “Nëse prokuroria do hapë hetim për Edi Ramën do ta besoj reformën në drejtësi. Nëse prokuroria nuk do ta hetojë Edi Ramën, kjo Reformë ka dështuar”. Gjithashtu Kryemadhi u shpreh se Prokuroria është nën urdhrat e Kryeministrit dhe se opozita e ka për detyrë që të denoncojë në institucione shkeljet. “Prokuroria është një institucion, degëzim i kryeministrisë. Pavarësisht se këto institucione kanë rënë, opozita ka detyrën të denoncojë në Prokurori, kërcënimin që i është bërë komisarit Nuhu nga Kryeministri”- tha Kryemadhi. “Ngjarja e Fushë-Krujës nuk është surprizë. Kemi kohë që diskutojmë dhunën dhe rastet e intimidimit të njerëzve. Nuk kemi një PS që drejton mazhorancën, por një celulë kriminale. Këta njerëz dhunojnë, vrasin dhe i mbyllin gojën njerëzve. Rama u ka dhënë licencën për katër vjet këtyre bandave, dhe taksa që ata paguajnë janë ditën e zgjedhjeve” – tha Kryemadhi. “Situata është dramatike dhe tragjike, edhe për shkak të ekonomisë. Rasti i Xhisielës krijoi pasiguri te njerëzit. Opinioni publik nuk beson te politika. Mungesa e besimit është shumë e madhe. Detyra jonë është të dalim dhe të flasim. Opozita deri më sot ka qenë alibi e mazhorancës. Ne do ta rrëzojmë Edi Ramën. Do dalim në rrugë dhe do flasim me qytetarët. Sfidë e opozitës është, që të bindë qytetarët, që të dalin në rrugë dhe të rrëzojnë këtë të keqe të madhe. Ky sekt kriminal nuk rrëzohet i vetëm. Sot ka ardhur koha që të gjithë të dalin ta rrëzojnë. Nuk mund të jemi alibia e Ramës në parlament. Nuk mund të them që ky Parlament është normal”– deklaroi Kryemadhi.