Njihuni me ndryshimet e reja në Kodin Penal, ja si dënoheni me gjobë ose burg kur përhapni sëmundjen e Covid-19

377
Sigal

Zbardhen ndryshimet e bëra në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, për ashpërsimin e ndëshkimeve ndaj atyre që do të shkelin masat e marra kundër përhapjes së COVID-19.

Në Nenin 242/1 “Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë”, parashikohet që një shkelës përsëritës i cili ka marrë më parë një gjobë, do të dënohet sërish me gjobë ose me burgim deri në 6 (gjashtë) muaj.

“Moszbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me aktet ligjore apo nënligjore të nxjerra nga organet shtetërore, në funksion të gjendjes së epidemisë apo të zbatimit të masave të jashtëzakonshme, nga personi ndaj të cilit është dhënë më parë masë administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 (gjashtë) muaj”.

Po kjo vepër, kur është kryer në ushtrim të aktivitetit tregtar, duke vendosur në rrezik shëndetin e njerëzve, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 2 (dy) vite.

Moszbatimi i urdhrit të dhënë nga organet kompetente për karantinimin ose izolimin apo shkelja e rregullave të karantinës ose të izolimit, nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive, të cilit i është njoftuar ky detyrim nga autoritetet shtetërore përkatëse, dënohet me burgim nga 2 (dy) deri në 3 (tre) vjet.

Në Nenin 89/b, “Përhapja e sëmundjeve infektive”, parashikohet që kur një person ka pasur dijeni të plotë për veprimet e kryera dhe me to ka përhapur sëmundjen, pasi personi është diagnostikuar si mbartës i sëmundjes apo kur personi ka qëllim përhapjen e saj, dënohet me burgim nga 2 (dy) deri në 5 (pesë) vjet.

“Përhapja me dashje e sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin, nëpërmjet kryerjes së veprimeve apo mosveprimeve nga personi që është diagnostikuar si mbartës I sëmundjes apo nga personi që ka qëllim përhapjen e saj, dënohet me burgim nga 2 (dy) deri në 5 (pesë) vjet.”

“Kur kjo vepër është kryer nga pakujdesia dënohet me gjobë ose burgim deri në 2 (dy) vjet.
Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose është rrezikshme për jetën e njerëzve, dënohet me burgim nga 3 (tre) deri në 8 (tetë) vjet”.

Koronavirusi/ Ashpërsimi i masave ndaj shkelësve, Kuvendi miraton me 88 vota pro ndryshimet në Kodin Penal

Me 88 vota pro, 13 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi ka miratuar sot ndryshimet në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, për ashpërsimin e ndëshkimeve ndaj atyre që do të shkelin masat e marra kundër përhapjes së COVID-19.

Në seancën e jashtëzakonshme parlamentare, u pranuan edhe disa propozime të Presidentit Ilir Meta për dënimet gjatë pandemisë.

“Sot gjatë seancës presidenti duke shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin mes institucioneve përkatëse president-parlament ka shprehur vullnetin e tij ashtu si dhe disa rekomandime të cilat u pasqyruan qartë dhe saktë në ato që parashtroi kryetari i mazhorancës, që i konsultoi edhe me grupet e tjera”, u shpreh Ruçi.

Sipas këtyre ndryshimeve, një qytetar do të dënohet me gjobë deri burg 6 muaj, për shkeljen e masave, ndërsa kur e ka bërë atë në një subjekt tregtar do të jetë deri në 2 vite burg.

Moszbatimi i urdhrit të karantinimit nga mbartësi ose jo i sëmundjes infektive dënohet me 2-3 vite burg.

Përhapja me dashje e sëmundjes infektive nëpërmjet veprimeve apo mosveprimeve dënohet me burg 2-5 vite.

Ndërkohë nëse shkakton pasoja të rënda me dashje në jetën e njerëzve duke përhapur COVID-19 atëhere dënimi është nga 3-8 vite burg.

VOTIMI

Projektvendim “Për disa shtesa në vendimin nr. 166, datë 16.12.2004 “”Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë”” të ndryshuar””
Pro: 101
Kunder: 0
Abstenim: 0

Akti normativ me fuqinë e ligjit nr. 2, datë 11.03.2020 të Këshillit të Ministrave, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 15/2016 ”Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”
Pro: 100
Kunder: 1
Abstenim: 3

Akti normativ me fuqinë e ligjit nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”
Pro: 97
Kunder: 2
Abstenim: 1

Akti Normativ me fuqinë e ligjit nr. 4, datë 16.03.2020 “Për disa shtesa në Aktin normativ me fuqinë e ligjit nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”
Pro: 89
Kunder: 2
Abstenim: 4

Akti Normativ me fuqinë e ligjit nr. 5, datë 17.03.2020 “Për një shtesë në Aktin normativ me fuqinë e ligjit nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”.
Pro: 99
Kunder: 3
Abstenim: 2

Akti Normativ me fuqinë e ligjit nr. 6, datë 21.03.2020 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 88/2019 “Për buxhetin e vitit 2020”
Pro: 100
Kunder: 2
Abstenim: 2

Akti normativ me fuqinë e ligjit nr. 7, datë 23.03.2020 “Për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi të të dënuarve””
Pro: 97
Kunder: 2
Abstenim: 5

Akti normativ me fuqinë e ligjit nr. 8, datë 24.03.2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në aktin normativ me fuqinë e ligjit nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID19”
Pro: 97
Kunder: 3
Abstenim: 3

Akti normativ me fuqinë e ligjit nr. 9, datë 25.03.2020 “Për marrjen e masave të veçanta në fushë e veprimtarisë gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID19””.
Pro: 96
Kunder: 2
Abstenim: 5

Akti Normativ me fuqinë e ligjit nr. 10, datë 26.03.2020 “Për një ndryshim në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” të ndryshuar””
Pro: 94
Kunder: 4
Abstenim: 6

Akti Normativ me fuqinë e ligjit nr. 11, datë 27.03.2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar””
Pro: 94
Kunder: 4
Abstenim: 6

Akti normativ me fuqinë e ligjit nr. 12, datë 2.4.2020 “Për një shtesë në aktin normativ nr. 3, datë 15.03.2020 të Këshillit të Ministrave “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19” të ndryshuar”
Pro: 98
Kunder: 3
Abstenim: 3

Akti normativ me fuqinë e ligjit nr. 13, datë 02.04.2020 “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë së shërbimit përmbarimor gjyqësor, ndërmjetësimit dhe administrimit të procedurave të falimentimit gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID19”
Pro: 95
Kunder: 2
Abstenim: 7