PISTA DHE LISTA…

75

Nga Gentian Çala

Duket se ngërçi politik është stisur sërish nga i njëjti aktor, nga e njëjta mazhorancë dhe fatkeqësisht po gjen heshtjen e faktorit ndërkombëtar që kishte dalë garant për një marrëveshje midis palëve politike. Kalkulimet elektorale e bëjnë Ramën që të shalojë kalin e mosarsyes dhe të marrë vendime të njëanshme. Njëra palë po i bën rregullat e lojës sipas interesit të saj duke shkelur marrëveshjet dhe afatet. Atmosfera e krijuar nuk po i shërben aspak një gare të drejtë dhe të ndershme elektorale. Me papërgjegjësi të plotë, KM-ja nuk po merr aspak parasysh pasojat e një sjellje të tillë.

Ai po mendon vetëm që të shtrojë pistën e udhëtimit drejt mandatit të tretë, kurse listat i ka vetëm instrument që justifikon sipas tij eleminimin e koalicioneve parazgjedhore. Flet për lista, që të mos flasë për koalicione, ku hapja e listave i ngjan hapjes së derës me zinxhir sigurie sa për të parë se kush është pas saj, por pa e lejuar që të hyjë. Magjistari Rama duhet të sajojë diçka për të motivuar të tijët, sepse pa zë apo nën zë ata e kuptojnë se mandati i tretë është mision i pamundur. Betejën e destinuar për ta humbur po mundohet ta kthejë në shpresë për fitore. Por magjistarit Rama i mungon fantazia dhe largpamja mbi dëmin që mund ti shkaktojë vetes dhe shoqërisë.

Siklet i madh e ka zënë zotin Rama, aq sa nuk pyet se mbi çfarë shkel dhe ku rrëshqet. Ditët rrjedhin dhe koha tkurret, drejt asaj që duket sa e pamundur dhe po aq e rrezikshme. Refuzimi i opinionit të OSBE-ODIHR që kërkon Opozita e Bashkuar, duket si zgjidhja e KM-së që në aventurën e tij pista-dhe-lista të jetë krejt i vetëm. Pushteti për të cilin ai jeton po i ngjan çatisë së rënduar që të ze përfundi. Marrëzia e tij duket ngjitëse në sektin e Rilindjes, ku thuajse të gjithë po e ndjekin pa vënë trurin apo ndërgjegjen e tyre në punë. Fundja erdhën bashkë dhe do të ikin bashkë, kjo duket motoja, ku edhe e paarsyeshmja ndahet po bashkë.

Lista dhe pista, lista të pista, pista pa krye, kjo duket krijesa e fundit e mendjeve që u ka marrë koka erë, sepse në listën e tyre të mendimeve pushteti dhe paratë vlen më shumë se çdo gjë…