Petrit Vasili: “Shqiptarët hapa para , ndërkombëtarët hapa pas”

430
Sigal

Qytetarët shqiptarë me një ndërgjegje shoqërore,që po jep prova të shkëlqyera maturimi dhe qëndrese po bëjnë hapa të mëdha para për shpëtimin e demokracisë e lirive si dhe clirimin e shtetit nga kapja.

Alarmet kanë të shumta,të qarta dhe të forta,që nga krimi që blen hapur zgjedhjet,kapja nga qeveria kryq e themel i reformës në drejtësi,korrupsioni agresiv dhe shkatërrimtar,pastrimi masiv i parasë dhe dërrmimi ekonomik,emigracioni tragjik i përmasave që trondisin ekzistencën e Shqipërisë edhe si shtet.

A ka pasur fakte?

Faktet kanë qenë pa fund dhe skandalet kanë qenë gjithashtu pa fund.

Që Drejtësia u kap dhe faktet,që mbi 60% të të zgjedhurve nga maxhoranca në KLP dhe KLGJ ishin të kontestuar fort dhe me argumenta nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, është fakt publik dhe shumë i rëndë për integritetin e reformës në drejtësi.

Që kryeprokurorja u zgjodh në dhunim të Kushtetutës me vetëm 69 vota në Kuvend, me qëllimin e vetem kapjen e prokurorisë,është fakt asgjësues i pakundërshtueshëm.

Që dhënia fuqi prapavepruese ligjit të përgjysmimit të tatimit fitimit mbi dividentin, duke shkelur e shqyer Kushtetutën, është sërisht fakt dhe më i rendi i shkeljes së Kushtetutës në gjithë pluralizmin shqiptar,edhe ky është fakt e çfarë fakti.

Që vjedhja e 40 milion euro me tendera skandaloze tek Unaza e Re dhe falsifikimi i dokumentave deri në Amerikë është më shumë se fakt.

Që policia qeveriset,përdoret dhe poshtërohet nga kriminelët siç del nga përgjimet e prokurorisë është më shumë se fakt, ësht turp.

Që shqiptarët duhet të paguajnë 102 milion euro për largimet e padrejta të bëra nga rilindja është fakt dhe dëm ekonomik i tmerrshëm.

Që dosja 339 dhe 184 bllokohen dhe nuk zbardhen me vite është fakt dhe provë e prokurorisë së kapur.

Janë këto vetëm një pjesë e fakteve shumë të rënda, që kanë ndërgjegjësuar thellë qytetarët të protestojnë për të shpëtuar shtetin nga kapja dhe kriminalizimi dhe demokracinë nga shpërbërja e plotë.

“Çuditërisht” ndërkombëtarët në Shqipëri dhe jo vetëm, pritej që të ishin ata shumë hapa më përpara se sa vetë shqiptarët, për arsye të standarteve të larta demokratike të vendeve,që përfaqësojnë si dhe të bubullonin për respektimin deri në një të këtyre standarteve bazë garantuese të demokracisë nuk u sollën si të tillë.

Përkundrazi ndërkombëtarët po shfaqen “çuditërisht” në rolin e krijuesve të alibive në vend të stimulimit të demaskimit dhe ndëshkimit ,të pranimit të zgjidhjeve të sipërfaqshme dhe jo përmbajtësore,të të folurit teorik klishe në vend të gjuhës realiste,të pranimit ta antistandarteve në shërbim të pseudo stabilokracisë, në vend këmbëngulje për standarte të larta dhe arritjes së stabilitetit vetëm përmes demokracisë funksionuese.

Me të tilla sjellje e qëndrime ndërkombëtarët kanë hedhur për fat të keq vetëm hapa pas, sepse dialogun e hapur e parimor e kanë zëvendësuar me dreka e darka ilegale përpunimi opinionesh e individësh artificialë,kanë zëvendësuar në mjaft raste ngulmimin për demokracinë vërtetë dhe kontrollin e balancën e shtetit me megafonimin e tezave të propagandës së qeverisë, duke zhgënjyer qytetarët dhe duke zbehur thellë peshën e fjalës e të ndikimit të tyre në zgjidhjen e situatave.

Kushdo nga qerthulli i analizës mediatike shqiptare, shpesh të kapur për fat të keq,që do të bënte promovimin e ndërkombëtarëve, sikur këta ndërkombëtare do të vijnë një ditë me dru në dorë dhe me një thes shantazhesh me vete për të bërë zap politikën shqiptare,do të tregonin vetëm që koha këtë lloj analize mediatike mediokre e servile, e ka lënë shumë shumë pas dhe përveç  arkaizmit puthador ajo nuk demostron asgjë tjetër

Mënyra se si ndërkombëtarët trysnuan me çdo “mjet e formë” miratimin e reformës në drejtësi,por zbatimi zhgënjyes pasues i saj,që solli kapjen totale të drejtësisë nga qeveria,provoi se kjo sjellje,forme komunikimi dhe shantazhimi sollën thjesht një dështim dhe tronditje të rëndë të shtetit të së drejtës dhe asgjë më shumë.

Ndërkombëtarët do të dëgjohen nga shqiptarët sot pa asnjë kompleks inferioriteti dhe vetëm nëse ata do ti shohin të vërtetat në sy,do të venë gishtin në plagë dhe do të mbështesin zgjidhje,që respektojnë kushtetutën,ligjin dhe demokracinë si dhe nuk do të vazhdojnë të mbështesin në Shqipëri standarte antidemokratike,që ata i refuzojnë rreptë në vendet e tyre.

Mbulimi i të vërtetave,zgjidhjet hibride antiligj dhe kompromiset,që mbrojnë pandëshkueshmërinë e qeverisë, jo vetëm që do të refuzoheshin gjerësisht,por për fat të keq do ta zbehnin gjithmonë e më shumë rolin e peshën e ndërkombëtarëve në Shqipëri.

Edhe ndërkombëtarët do të besohen e dëgjohen më fort, nëse do të pranonin edhe ata se ku kanë gabuar dhe se ku zgjidhjet e tyre kanë qenë të njëanshme dhe jo parimore.

Mitizimi i pagabueshmërisë së ndërkombëtarëve është thjesht një iluzion,që duhet të marrë fund, për të mos rënduar më tej bashkëpërgjegjësinë që edhe ndërkombëtarët kanë me protagonizmin e tyre eksesiv, për çfarë nuk ka shkuar mirë në Shqipëri lidhur me reformat dhe integrimin europian të saj.

Është një moment shumë i madh reflektimi.

Shqiptarët po bëjnë hapa përpara për të rifituar demokracinë e humbur e çliruar shtetin nga kapja,ndërsa ndërkombëtarët nuk duhet të bëjnë më hapa pas lidhur me Shqipërinë dhe demokracinë e saj.