Petrit Vasili: Rama ngriti dy komisione hetimore për të shkarkuar Presidentin me ligjin ‘që nuk bën’!

24
Sigal

Nga Petrit Vasili

Rama me ligjin aktual, ngriti dy komisione hetimore për Presidentin, por po ky ligj nuk vlen për komisionet hetimore të opozitës!

Është vërtet një veprimtari bastardësh kjo e “Rilindjes” në parlament me bllokimin e komisioneve hetimore. Rama dhe banda e deputetëve të tij në parlament bllokojnë komisionet hetimore të kërkuara nga opozita, sepse gjoja ligji nuk bën dhe u dashka ndryshuar. Por janë po këta bastardë, që ngritën dy komisione të njëpasnjëshme në vitin 2019 dhe 2021 për të shkarkuar Presidentin e Republikës!

Këta “rilindas” në Kuvend patën kurajon mafioze të ngrinin komisione hetimore sepse nuk iu pëlqente që Presidenti zbatonte Kushtetutën, të cilën këta e dhunojnë çdo ditë.

Dhe sot që opozita kërkon në mënyrë plotësisht të ligjshme dhe kushtetuese që të hetojë për aferat qindra milionë euro të tyre, këta i bllokojnë me dhunë komisionet hetimore, sepse po ky ligj, që e kanë përdorur vetë sa herë kanë dashur, sot nuk qenka i papërshtatshëm.

Edhe Progres Raporti i BE për Shqipërinë i vitit 2023 thotë qartë, e zeza mbi të bardhë:

“Gjatë periudhës së raportimit, opozita kërkoi krijimin e dy komisioneve hetimore, por shumica i refuzoi të dyja, pavarësisht faktit se e drejta e opozitës për të nismuar komisione të tilla garantohet nga kushtetuta. Argumenti i shumicës në të dyja rastet ishte që ka nevojë fillimisht të rishikohet ligji mbi Komisionet Hetimore Parlamentare, i cili është në proces. Gjithsesi, ligji aktual mbetet në fuqi,” vëren Komisioni Evropian.

Pra, ligji është në fuqi dhe duhet të zbatohet detyrimisht. Ky ligj për komisionet hetimore është miratuar që në vitin 2002 me ligjin. nr 8891 dt.2.5.2002.

Rama dhe qeveria kanë frikë të tmerrshme nga të vërtetat e rënda që i ngarkojnë me përgjegjësi shumë të mëdha, ndaj bllokon e pengon në mënyrë antikushtetuese e mafioze, komisionet hetimore të kërkuara nga opozita.

Një qeverisje e pastër që s’ka asgjë për të fshehur do t’i pranonte vetë këto komisione për të vërtetuar pastërtinë e saj.

Bllokimi dhe pengimi mafioz i komisioneve hetimore është konfirmimi i aferave dhe i vjedhjes monstruoze.

Alibia e ndryshimit të ligjit është si fshehja e strucit që fut kokën në rërë dhe lë gjithë trupin jashtë.