Petrit Begati: Mos luani me emrin identitar Çam dhe Çamëri!

557
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Nga Tirana më vijnë lajme dhe shqetësime të ligjëshme, nga bashkëatdhetarët e mi çamë, se po tentohet apo është hequr zyrtarisht nën presionet zyrtare greke përdorimi i emërtimit identitar çam të shqiptarëve të Çamërisë. Nuk ka atentat më të rëndë dhe antikombëtar, t`i mohosh shqiptarit të Çamërisë emrin mijra vjeçar e embrional, çam. Njëlloj si ai shqiptar kosovar, mirditor, lumjan, lab etj. Këto emërtime nuk na i ka vendosur me akte zyrtare ndonjë fuqi apo organizëm shtetëror. Këto emërtime janë natyrale dhe të gjenezës. Bashkohem me këtë shqetësim dhe ngre zërin fort për çdo mohim që na është bërë dhe na bëhet. Po me identitetin tonë çam çfarë kanë xhanëm Tirana dhe Athina zyrtare?! Çfarë i shqetëson ata një emertim si ky- çam, apo thesprotas, siç grekët na thërrasin? Grekët e kanë të drejtën e tyre të identifikohen grekë, helenë, eladha apo Greece si të duan. Ku është problemi, mbasi ne nuk shtojmë apo paksojmë-S-ra siç kanë vepruar dhe veprojnë grekët? Për ne është çështje e tyre se si të quhen grekët e sotëm, por është e papranueshme, mbasi na kanë vjedhur vatrat, pronat, vallen apo fustanellën të bëjnë presion, e u lind oreksi që në shekullin 21, të na konsiderojnë të vdekur dhe pa identitet, siç thotë populli, “t`u shoftë emri”.

Këtë kërkojnë këta me bashkëpuntorë në Tiranë, të zhdukin apo mohojnë identitetin e një popullate që është në të drejtën e tij historike. Çfarë e shqetëson Greqinë që Tirana zyrtare e dëgjon me kokë ulur, kur në anën tjetër vetë grekët e quajnë “Çamuria e Çamidhes” apo çamiko vallen që e kanë përvetësuar e bërë panhelenike, atë të Osman Takës, apo më thellë atë pirrike? Mora shkas për këtë shkrim, nga një shkrim i një autori që lexova para disa ditësh në një të përditshme shqiptare, i cili me dëshirën për të bërë një përmbledhje me pasojat e ligjit të luftës me Greqinë, pa dashje dhe ndoshta pa qëllim bën një diversion të pa pranueshëm në lidhje me emërtimin çam. Ai pretendon e preferon në shkrimin e tij, se çamët janë dhe duhet të kenë emrin identitar -arvanit mysliman. Nuk është qëllimi im të replikoj me këtë artikull shkrues, por për tendencat e shpallura dhe të pashpallura për të mënjanuar apo fshirë nga përdorimi i emërtimit çam dhe Çamëri. Nën emrin e njehësuar arvanit musliman apo ortodoks, siç ai pretendon, nuk i shërbehet të vërtetës identitare arvanitase duke e sfumuar atë çam. Për një naiv, nuk ka të keqe mbasi kështu del në pah “bota e fjetur” arvanitase. Jo! Kjo është më tepër se naive, e dëmshme dhe dashakeqe për çështjen çame. Çamëria nuk ka mision të zgjojë identitetin e arvanitasve në Greqi. Atë në radhë të parë, duhet t`a kërkojnë e mbrojnë vetë ata. Çamëria nuk është e duhet trajtuar si kurban për identitetin arvanitas apo e politikave të mbrapështa. Me misonin dhe mbrojtjen që ka bërë e bën kjo popullatë martire, që ka krenarinë e të qënit çam-shqiptar, apo çam-arvanit ka kryer dhe kryen detyrën e vet në histori për mbrojtjen e vlerave identitare e historike të saj. Nuk dua të replikoj gjithashtu për hipoteza se nga tokat e Pirrit nga ka marë emrin Epir, mbasi çdo gjë rreth këtij toponomimi është hipotezë deri më sot, si ajo greke për toka të epërme apo stere (të sipërme). Por ka edhe një hipotezë tjetër që përputhet me përmbytjen e madhe biblike, apo të Noes të ndodhur në Mesdhe. Tokat e saj që u quajt më vonë Epir, e morën emrin si rezultat i tharjes më të shpejtë të tokave rreth malit të shenjtë Tomorr, dhe vetë emri E + pir =Epir domethënë e tharë, janë toka që u kulluan të parat në krejt tokat rreth Mesdheut të përmbytur. Po le t`ua lëmë të tjerëve të na japin sqarime për këtë e të ndalemi me mbrojtjen e emërtimit çam dhe Çamëri. Të shtrosh idenë se nuk duhet përmëndur emri çam, por të prezantohet çami shqiptar si arvanit mysliman ose trajtuar si çështje e arvanitasëve myslimanë të Greqisë, është një atentat i rëndë që i bëhet historisë identitare të pranueshme për çdo çam. Prindërit tanë e mbrojtën me jetë të qënit shqiptar çam të Çamërisë. Nëse dikush do të vërë në dukje tendecën që shqiptarët ortodoks të Çamërisë e identifikojnë konjukturalisht sot veten arvanitas ortodoks, ajo është çështja e tyre.

Në Greqi prezenca e rracës shqiptare është dhe thirret arvanit, por në Çamëri tradicionalisht shqiptarët janë vetëquajtur çam dhe janë autoktonë në dallim nga arvanitët myslimanë të Peloponezit apo gjetkë, si rezultat i lëvizjeve natyrale të popullësisë në jug të gadishullit. Atëhere, përse qenka gabim të thuhet shqiptar çam të Çamërisë, duke u zvëndësuar me arvanit myslimanë?. Çfarë i shqetëson këta njerëz apo politikat zyrtare në Athinë dhe në Tiranë rreth emërtimit çam dhe Çamëri? Shqiptarët ortodoks të Çamërsië të mohuar, duke u ndodhur para presioneve asimiluese, braktisjes nga shteti shqiptar, preferojnë dhe janë më komod të quhen arvanit ortodoks se sa allvanos që i quan greku shqiptarët e sotëm. Kjo nuk është rastësore, por bëhet me qitje të largët, për të ndarë shqiptarët në Shqipëri, të quajtur allvanos, dhe prezencën në Greqi të shqipfolësve në arvanit si dy emërtime që nuk janë i të njëjtës rracë apo gjaku për greket. Por ky fenomen dhe këto përpjekje hasen edhe për shqiptarët e veriut. Serbia i ndan veç shqiptarët kosovarë të Kosovës, duke i quajtur “shiftari” dhe shqiptarët e Shqipërisë si “albanaci”, pra sipas tyre nuk jemi të njëjtë. Përpjekja dëshpëruese për të mos e quajtur çamin si çam por si arvanitas mysliman, u shërben dhe çon ujë në mullirin përçarës serbo-grek. Shqiptari i Çamërisë është shqiptar çam, si shqiptari kosovar, mirditor, matjan, lumjan, e shqiptari lab, pavarsisht se shqiptar-arban-arbëresh-arvanit-arnaut, janë e njëjta gjë, gjaku ynë si arnautët në Turqi, arvanitët në Greqi dhe arbëreshët në Itali e gjetkë. Ne çamët historikisht e konsiderojmë veten shqiptar çamë të Çamërisë, kurse greku na quan turko-allvanos dhe tashmë sygjerohet arvanit mysliman. Mos lozni me emrin historik tonin Çam dhe Çamëri!