Përshkallëzohet protesta/ Studentët kërkojnë plotësimin e kërkesave, ndryshe veç bojkotit të mësimit, do nisim grevën e urisë

489
Sigal

Studentët: Të plotësohen kërkesat, ndryshe ka bojkot të mësimit

Përshkallëzohet protesta. Sot do të mblidhen përpara institucioneve ndërkombëtare në Tiranë

Studentët kanë nisur dje ditën e dytë të protestës së tyre për këtë vit para godinës së Kryeministrisë. Studentët shprehen se do vazhdojmë bojkotin e auditorëve deri në plotësimin e 9 kërkesave duke përfshirë edhe anulimin e ligjit të arsimit të lartë.

Studentët zhvendosin protestën nga Kryeministria tek Ambasada Amerikane

Në mungesë të marrjes së zgjidhjes që ata duan nga kryeministri Rama, studentët e zhvendosën protestën mesditën e djeshme drejt Ambasadës amerikane. Studentët disa herë u janë drejtuar me deklarata përfaqësuesve ndërkombëtarë në vendin tonë lidhur me kërkesat e tyre. Studentët kërkojnë që të “zgjojnë” vëmendjen edhe të ambasadës amerikane, për të fituar edhe mbështetjen e saj për të drejtat e tyre.

Kryeministri Rama u thotë studentëve: Të kërkoni, çfarë them unë!

Kryeministri Rama, fillimisht studentët protestues i cilësoi “ngelës”, ndërsa këto ditë, studentët që kyçin dyert e fakulteteve i ka cilësuar “pengmarrës”. Ndërsa dje, me stilin arrogant që e karakterizon, kryeministri Edi Rama u drejtohet studentëve me një mesazh. Në një postim në Instagram, ai urdhëron studentët të kërkojnë atë që ai propozon, duke u dhënë mesazhin e vet, se nuk ka ndërmend që të plotësojë kërkesat e tyre, përveçse ato që ka plotësuar qeveria e tij. Njoftimi i postuar nga Rama: Njoftohen të gjithë studentët se: Nga data 09.01.2019 fillon mbledhja e dokumentacionit pranë degës së shërbimeve për 3700 studentë përfitues të reduktimit të tarifës së shkollimit me 100% apo 50 % sipas kategorive të shtresave sociale paraprakisht në VKM-të e nxjerra në fund të dhjetorit 2018, ref.fletorja zyrtare 189. Vendime të miratuara 26.12.2018. Gjithashtu, nga data 10.01.2019 fillon mbledhja e dokumentacionit për studentët që do përfitojnë trajtim financiar/bursa referuar VKM-të të nxjerra në fund të dhjetorit 2018 ref.fletorja zyrtare 189, Vendime të miratuara në 26.12.2018.

Studentët sot protestojnë përpara institucioneve ndërkombëtare

Studentët, të ndodhur para faktit se qeveria nuk pranon të plotësojë kërkesat e tyre, kanë vendosur të përshkallëzojnë protestën, duke paralajmëruar që dje, se sot do të mblidhen rreth orës 08:30 minuta të mëngjesit pranë fakulteteve të tyre, për të mbërritur në Orën 10:00 pranë Ministrisë së Arsimit. Një orë e 30 minuta më vonë do të transferohen pranë Kryeministrisë dhe Kuvendit të Shqipërisë për të shkuar më pas tek Presidenca rreth orës 12:30 minuta. Në fund, protesta do të mbyllet pranë Ambasadës Amerikane dhe asaj të Bashkimit Evropian.

Policia futet në universitete, për të frikësuar studentët

Paniku dhe frika e qeveritarëve ndaj protestës së studentëve dje u shfaq edhe me praninë e policisë së Shtetit në mjediset e universiteteve publike të Tiranës. Kështu, dje që në mëngjes makina të policisë kishin parkuar përpara korpusit kryesor të Universitetit Politeknik të Tiranës, përpara fakultetit të Filologjisë, dhe patrulla të shumta të policisë u panë edhe në rrugët ku studentët drejtoheshin për tek kryeministria. Madje, policët u panë që të futeshin edhe në korpusin e UPT-së, dhe në fakultetet ku studentët bojkotuan leksionet. Studentët denoncuan se policët po i shantazhonin shokët e tyre që bënin protestë, madje edhe arrestuan studentë që kyçën dyert e fakulteteve. Policia dje demonstroi forcën e saj të dhunës dhe shantazhit kundër studentëve, ndërkohë që dje dhe pardje kriminelët dhunojnë qytetarët edhe në rrugët kryesore të Tiranës, sepse e dinë, që policia nuk mund t’u sigurojë qytetarëve siguri dhe rend publik, ngaqë nuk mund të patrullojë nëpër rrugët dhe sheshet e kryeqytetit, sepse ministri dhe drejtori i Përgjithshëm kanë përparësi, të shantazhojnë e të frikësojnë studentët protestues.