Propozimi i opozitës parlamentare për ndryshimin e sistemit zgjedhor, hapjen e listave dhe zbatimin e rekomandimeve të OSBE ODHIR ka detyruar palët që të rimbledhin Këshillin Politik të hënën.
Por mes deputetëve të opozitës parlamentare ka patur deklarata kontradiktore, ku flitet për dy skenarë: Së pari për shtim të forcave në Këshillin Politik, së dyti për përjashtim të Rudina Hajdarit.
Ishte fillimisht deputeti Edmond Stojku që njoftoi se opozita parlamentare ka mandatuar Myslim Murrizin dhe Rudina Hajdarin si përfaqësues të Këshillit Politik.
“Ju njoftoj se pas dakordësisë së palëve të këshillit politik, si dhe miqve tanë të nderuar ndërkombëtare, për procesin e ndryshimeve kushtetuese, opozita parlamentare vendosi përfaqësimin e saj! Në emër të 28 deputetëve firmëtarë të tre grupeve parlamentare dhe të deputetëve të pavarur, me të cilët kemi kërkuar ndryshimet kushtetuese për:
1-Sistemin zgjedhor
2-Listat e hapura,
3-Zbatimin e rekomandimeve të Osbe Odihrit për depolitizimim e komisionerëve, pra për administratë zgjedhore publike.
Jemi dakortësuar që Perfaqesuesit tanë në Këshillin politik do të jenë Z.Myslim Murrizi dhe si Kryetare e Komisionit të Integrimit Znj. Rudina Hajdari!”, njoftoi deputeti Edmond Stojku.
Por ndryshe nga deputeti Stojku, kolegu i tij Arlind Çarçani thotë se përfaqësuesi i opozitë parlamentare do jetë vetëm Myslim Murrizi, dhe jo Rudina Hajdari, duke nënkuptuar për një “puç” ndaj kryetares së grupit demokrat.
Çarçani tha në një prononcim për Gazetën SHQIP, se Hajdari do të jetë të hënën në mbledhje, por në diskutimet e tjera si përfaqësues i opozitës do të jetë vetëm Myslim Murrizi.
“Nuk do të jetë zonja Hajdari, sepse nuk është një ndër firmëtarët e ndryshimeve kushtetuese. Përfaqësues që do të jetë përgjithmonë aty deri sa te mbyllet kjo çështje do të jetë zoti Murrizi”, tha Çarçani për SHQIP.
Ditën e hënë mblidhet këshilli politik që tashmë ka më shumë përfaqësues nga të gjitha palët. Nga maxhoranca përveç Damian Gjiknurit do të shtohet edhe kryeministri Edi Rama, ndërsa nga opozita Oerd Bylykbashi, Petrit Vasili, shtohet edhe Gazmend Bardhi.