Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar lidhur me përhapjen e murtajës së bagëtive të imta në Shqipëri, duke e cilësuar situatën si një katastrofë për blegtorinë shqiptare. Meta thotë se ky sektor jetik është lënë në mëshirë të fatit dhe tashmë po përballet me rrezikun e shuarjes për shkak të mungesës së subvencioneve dhe veprimit shtetëror.
“Zgjidhja është e thjeshtë: vaksinimi, që nuk po kryhet,” theksoi Meta. Ai akuzon qeverinë për papërgjegjshmëri totale, duke sjellë si shembull kostot minimale të vaksinave në krahasim me shpenzimet e luksit që, sipas tij, i atribuon kreut të qeverisë.
“Me vetëm 3 euro blihen 100 doza vaksine, ose me 30 mijë euro – më pak se një shishe verë që pi përditë Kryerilindasi – mund të shpëtohet një sektor i tërë,” shtoi ai. Meta paralajmëron se të gjitha tufat, stanet dhe fermat, të ndërtuara me shumë mund dhe sakrificë, rrezikojnë të zhduken për shkak të neglizhencës qeveritare.
Në reagimin e tij, Meta nuk ngurroi të lidhë krizën në blegtori me shpopullimin në rritje të vendit, duke thënë se “ndërsa shqiptarët largohen, qeveria po shkreton edhe blegtorinë”.
Postimi i plotë:
Murtaja e bagëtive të imta është një katastrofë për blegtorinë, sektor jetik i lënë në mëshirë të fatit dhe tashmë i rrënuar edhe nga mungesa e subvencioneve.
Zgjidhja është e thjeshtë: vaksinimi, që nuk po kryhet.
Me vetëm 3 euro mund të blihen 100 doza vaksine, ose me 30 mijë euro, më pak se një shishe verë që pi në ditë Kryerilindasi, mund të shpëtohet një sektor i tërë, të gjitha tufat, stanet dhe fermat e ndërtuara me shumë mund dhe sakrificë, që rrezikojnë të shfarosen vetëm për shkak të papërgjegjshmërisë së një Qeverie, që paralelisht me shpopullimin e Shqipërisë po shkreton edhe blegtorinë.