Përgjimet e Ndraghetës/ SPAK kërkon shkresa nga Agjencia e Prokurorimit Publik

196
Sigal

Prokuroria e Posaçme SPAK ka kërkuar shkresa nga Agjencia e Prokurorimit Publik për hetimin e nisur për përgjimet e Ndraghetës.

Burime nga Agjencia e Prokurorimit Publik thonë për Top Channel se SPAK kërkon listën e tenderave të dhëna që nga viti 2013 veçanërisht për Perobar që përmendet në përgjime.

NOA

SPAK gjithashtu i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë listën e përkthyesve të licencuar të gjuhës italiane për të përzgjedhur personat që do të  asistojnë në ambientet e SPAK për përkthimin e dosjes.

Zëdhënësi i Ministrisë së Drejtësisë u pyet nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha nëse ka nisur përkthimi i dosjes. Ai konfirmoi që SPAK ka kërkuar listën e përkthyesve të licencuar të italishtes.

Kujtojmë se SPAK nisi hetimet në Shqipëri për një ndër grupet  kriminale më të mëdha italiane. Regjistrimi i këtij procedimi penal është bërë mbi bazën e disa artikujve të publikuara në media të ndryshme, në lidhje me hetimet e kryera nga Prokuroria Antimafia e Catanzaros në Republikën e Italisë, të cilat hedhin dyshime në lidhje me përfshirjen e shtetasve shqiptarë dhe të huaj, në aktivitete kriminale në vend.

Në lidhje me këtë çështje është organizuar edhe takimi në Romë mes Federico Cafiero  de Raho, Drejtues i Prokurorisë  Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm, Itali dhe  Arben Krajës, drejtuesit të Prokurorisë së Posaçmeme.

SPAK garantoi publikun se është e vendosur për të hetuar deri në fund çdo element dhe fakt që përbën indicie për veprimtari kriminale të kryer në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që lidhet me objektin e hetimeve të kryera deri tani nga Prokuroria Antimafia e Catanzaros.

Megaoperacioni i antimafias italiane

Dy javë më parë policia italiane ka zhvilluar një operacion të madh dhe ka vënë në pranga një grup të madh personash të përfshirë në grupin mafioz italian “Ndrangheta”.

Në mesin e personave të përmendur gjatë megaoperacionit të antimafias italiane, të koduar “Basso profilo”, figuron dhe emri i një gruaje shqiptare të quajtur Odeta Hasaj.

47 persona kanë përfunduar në pranga, 59 kompani, 45 banesa dhe 29 automjete janë sekuestruar. Janë sekuestruar po kështu 77 llogari bankare e një mjet lundrues. Ndër të tjera është urdhëruar ndalimi i qëndrimit në komunën e Katanzaros dhe ndalimi i ushtrimit të profesionit për një periudhë prej një viti për noterin Rocco Guglielmo. Masa paraprake e ndalimit të qëndrimit në të njëjtën komunë së bashku me detyrimin e paraqitjes në polici u dha dhe për shqiptaren të cilën shtypi Italian e identifikon si Odeta Hasaj.

Rreth 370 forca policore,  prej të cilëve 200 pjesë e trupave të Antimafias italiane, e 170 forca të përbëra nga Guardia di Finanza e të Policisë së Shtetit kanë marrë pjesë në operacion. Deri tani, ai ka zbardhur një aktivitet të paligjshëm parash me vlerë mbi 300 milionë euro.

Publikimi i përgjimeve krijoi një debat të madh në vend, me akuza dhe kundërakuza mes forcave politike.