Përgjimet e antimafies, Vasili: SPAK në provë, me shqiptarët apo me anti-ligjin

266
Sigal

Petri Vasili, nënkryetar i LSI-së, u shpreh sot se ndonëse kanë kaluar dy ditë nga publikimi i përgjimeve të antimafies italiane, lidhur me skemën e pastrimit të parave të Ndragheta në Shqipëri përmes ndërtimeve, SPAK nuk po vepron.

Sipas Vasilit, SPAK nuk ka nevojë t’i kërkojë larg provat, me këmbë mund t’i gjejë disa qindra metra larg zyrave të veta dhe sot është vija përfundimtare e ndarjes.

“Shqiptarët dhe opozita shqiptare po vëzhgojnë 24 orë në 24 çdo veprim, çdo manovër që do të bëhet dhe në rast se nuk do të ketë drejtësi të vërtetë dhe dalje përpara përgjegjësive, atëherë përfundimisht SPAK zgjedh të jetë kundër popullit dhe kundër ligjit. Kjo nuk do të tolerohet”, tha Vasili.

Sipas Vasilit, nga përgjimet shqiptarët kuptuan se Tirana e gjithçka, mund të shitet lehtësisht nga qeveria, në këmbim të 20% që ajo përfiton e fut në xhep.

“Miliarda euro vlerë e tokës, e truallit, e interesave të shqiptarëve, mund të shiten sa hap e mbyll sytë, boll t’i japin 20% qeverisë së Edi Ramës e bashkisë së Erion Veliajt.

Përfundimisht Tirana është një lavatriçe gjigande e parave të pista, e cila po plaçkitet nga mëngjesi deri në darkë, duke rrëmbyer pronën, traditën dhe gjithçka”, tha Vasili.

Në vijim ai u shpreh se SPAK është sot i thirrur në provë, në provën e tij më të vështirë dhe provën e ekzistencës së tij.

“Për të thënë nesër që kemi një institucion që mund të ndjekë e të dënojë krimin qeveritar, korrupsionin në nivelet më të larta, apo kemi një institucion të bërë njësh me ta e siguron alibinë e tyre. Provat deri tani janë dëshpëruese.

Kemi parë sesi SPAK nga një institucion që dënon veprimet, kthehet në një institucion që këshillon. Dhe rasti i tenderave të Ministrisë së Shëndetësisë, e cila përmendet në përgjime si pjesë e aferave të dhjetëra tenderave të dhëna një personi të vetëm.

Pra SPAK si heton këta tendera të bëra në kohën e pandemisë, në hallin më të madh të shqiptarëve, e ku çmimet e mallrave të blera, të respiratorëve dhe kiteve ishin 3 herë më të larta se çmimi i tregut, këshillon që kjo të mos ndodhë më.

Janë grabitur paratë e shqiptarëve dhe SPAK jep këshilla, në vend që të japë dënime e vendime për hajdutët dhe batakçinjtë që me etiketën tender sekret rrëmbejnë paratë e shqiptarëve”, theksoi ai.