Përçahet Partia Demokratike në Tropojë

1293
Sigal

Kanë filluar të përçahen dhe demokratët e ndershëm e intelektual në rrethin e veriut të Shqipërisë, që politikës shqiptare i dha njeriun e ndryshimeve demokratike në vendin tonë, pas vitit 1990, zotin Sali Berisha. Pikërisht, kjo po ndodh, pasi, në zgjedhjen e konferencës së fundit në Kryesinë e Partisë Demokratike, dega Tropojë, mbi 85 % e saj, dolën me lidhje gjaku, miqësore e farefisnore. Në kryesi kryesojnë çifte: Burrë-grua, fenomen që s’ka ndodhur kurrë as në sistemin monist. Kjo kryesi doli në saj të udhëzimeve dhe listës së organizuar prej ish -Kryetarit të PD-së dhe deputetit të Tropojës z. Besnik Lusha, për të mbajtur me çdo kusht kontrollin politik dhe ekonomik, të vetin duke përjashtuar njerëz intelektual me kontribute në qendrën e kësaj dege të PD, Tropojë. Ndërsa, intelektualët  demokrat tropojanë, janë të shqetësuar, se përfaqësimi aktual i PD, është zhytur nën hijen e rrethit të paaftë të zotit Besnik Lushaj,  deputet (2009-2013), e me arsim të shumëpërfolur, i cili nga puna në blegtori, në vitet 1996-209, arriti të bëhet Kryetar i Komunës Fierzë.

Zoti Besnik ka bërë ligjin në përzgjedhjen e kandidatëve si në forumet e partisë dhe drejtuesit e pushtetit lokal. Kryesisht, ka përkrah njerëz të paarsimuar të rrethit miqësor  e familjar.  Thonë se posedon një pasuri të  madhe, një vilë dykatëshe në Qytet Studenti, një hyrje në pallat pranë vilës së tij, në Tiranë, e tjerë. Këtë vilë luksoze do ta  kishte zili edhe bosi më i madh i politikës së ditës… Ndonëse ky nuk problem i demokratëve të Tropojës, po i të tjerëve, problemi mbetet tek situata në PD-në lokale këtu..Ai, gjatë kohës që ishte deputet në vitet 2009-2013, njëkohësisht qe dhe kryetar i PD-së Tropojë deri më 20 maj, kur me vendimin e kreut të PDSH, z. Lulëzim Basha, asnjë deputet apo kryetar komunë, ose bashkie, nuk  mund të kandidoj për kreun e PD, në rrethe. Ndaj, zoti Besnik Lusha kur iu ngushtua rrethi i interesave politike personale, për këto kërkesa legjitime, vuri në veprim grupin e tij, me lidhje familjare, lidhje gjaku dhe shoqërore. Dhe në 95 % të mbledhjeve në seksionin e partisë së rrethit Tropojë, qëllimi i tij, ishte të zgjidhte njerëzit e vet delegatë në Konferencën e Partisë Demokratike, Tropojë. Konkretisht: u propozuan rreth 34 kandidatë për kryetar partie të këtij rrethi, ku në mesin e tyre kishte intelektual me reputacion dhe me kontribute të mëdha në PD të Tropojës. Por, i preferuari i deputetit dhe ish kryetar të Degës së PD, zoti Lusha, ishte zoti Xhevdet Hoxha, i cili kishte 8 muaj që ish larguar me familjen e tij në Tiranë, ku jeton aktualisht. Po kush është zoti Xhevdet Hoxha? Ky person ka pasur disa poste drejtuese në rrethin e Tropojës, si: Kryetar i Këshillit të rrethit, e Drejtor i Hipotekës-Tropojë. Dhe këto detyra janë kryer nga një person që ka mbaruar shkollën e mesme bujqësore, pas shumë mundimesh, u regjistrua në universitet që nga Prishtina, Shkodra, Elbasan e Tiranë, por që diplomë e ka marrë, po se ku, nuk e dimë…! Zoti Xhevdet Hoxha, është lakuar në opinionin e shëndoshë tropojan, si njëri me problem të rënda që kanë ndodhur në Tropojë. Ka shumë  Pikëpyetje në opinionin popullor në këtë rreth, si njeri të pamerituar të drejtojë këtë forcë politike.  Gjendja e pakënaqur sot nga të zgjedhurit e PD. në Tropojë. Sot, në këtë atmosferë post zgjedhore politike për kreun e Degës së PD. Tropojë, vihet re, se kryetarët e Grup Seksioneve të Bashkisë dhe komunave, u zgjodhën njerëz pa shkollë të lartë, bile Kryetari i Grup seksionit të Bajram Currit, u zgjodh një pensionit, në kundërshtim me udhëzimet e kreut të PDSH, z. Lulëzim Basha. Si rezultat i të gjithë kësaj gurguleje, qindra anëtarë të PD-së Tropojë, janë të shqetësuar për këtë zgjedhje me manipulime e nepotike në vendin e tyre, në Tropojë. Një pjesë e mirë, për këtë shkak, kanë shprehur largimin përfundimisht nga P.D., pasi nuk bashkëpunojnë e bashkëjetojnë me të paaftët dhe të përfolurit… Një ndër këta njerëz të pakënaqur, është dhe zoti Rexh Biberaj, kryetar i Komunës Margegaj, një ndër pushtetarët lokal, më të suksesshme në zonën e veriut, i cili është larguar në mënyrë demonstrative  nga PD e Tropojës, duke iu bashkëngjitur LSI-së.  Me të janë bashkuar, edhe Zoti Nuredin Ahmetaj, ish- kryetar i Bashkisë dhe zëvendës prefekti i Tropojës. Po ashtu, pas tyre janë me qindra demokrat të ndershëm që kanë shprehur dëshirën për t’u bashkuar me këto persona, me personalitet të besueshëm në popull. Së shpejti pritet të bashkohen disa drejtues aktual të pushtetit lokal. Kjo përçarje e PD-së Tropojë ka ardhur si rezultat të i makinacioneve të  zotit Lusha, për të larguar njerëzit punëtorë, të aftë, intelektual e me reputacion në popull, e duke vendosur njerëz me lidhje nepotike dhe pa shkollë. Të gjitha këto, kanë çuar PD-në e Tropojës, që ka qenë me e fuqishmja dhe më e organizuara në Shqipëri, të mbetet në minorancë, në zgjedhjet e ardhme lokale në Tropojë.

Mirash SYLAJ