CEZ vë gjobë 5 mln lekë, punonjësi i tij kërkon 10 % të gjobës, për ta hequr atë

    CEZ Shpërndarje grabit me gjoba dhe përqindje gjobash qytetarët shqiptarë. Përveçse mbifaturimit të qytetarëve, sipas politikave të ministrisë përkatëse për të rritur në mënyrë fiktive mbledhjet e faturimeve, CEZ, tanimë, po i zhvat qytetarët shqiptarë edhe nëpërmjet punonjësve të tyre të papërgjegjshëm e të uritur për të bërë pasuri në mënyrë të pandershme, duke u marrë përqindje nga gjobat e vëna nga vetë institucioni. Skandali i radhës denoncohet në një nga emisionet investigative, nga një qytetar, në emër të të cilit është vendosur një gjobë prej 5 milion lekësh të vjetra, ndërsa punonjësi i CEZ-it, në këmbim të fshirjes së gjobës i kërkon qytetarit që të paguajë 10 % mbi shumën. Gjatë bisedës së qytetarit me punonjësin e CEZ (e transmetuar në emisionin investigativ) nëse qytetari jep 10% të 5 milion lekëve punonjësit të ÇEZ-it, ai nuk paguan gjobën e vendosur nga shteti, por çështja mbyllet këtu. Nga ana tjetër punonjësi pretendon se 10 % i marrë me para kesh, pa u paguar gjoba, shkon për shefin e tij. Denoncuesi zhvillon bisedën me punonjësin e ÇEZ-it, të cilit i jep shumën prej 150 eurosh, duke i thënë se të tjerat do ia japë më vonë. Në momentin kur denoncuesi thotë që janë shumë lekë, punonjësi i CEZ shprehet se “nuk e ka ai në dorë dhe se: 3 milion e 500 mijë lekë janë dëm ekonomik dhe 2 milion e 700 mijë lekë për një vit energji e pamatur. Lekët i merr shefi, unë nuk marr asgjë”. Kur qytetari pretendon që sahati është hapur pa praninë e tij, punonjësi i CEZ e kalon si një fakt të parëndësishëm, ndërsa i thotë qytetarit të ketë kujdes kur t’ia japë paratë, që të mos e shohë njeri, ndërsa kërkonte sa më shpejt pjesën tjetër të parave. “Unë këto kam mbledhur, për të tjerat kur t’ i bëj do të lajmërojë vetë, për rreth 20 ditë”, tha denoncuesi.

    Sigal

    Ja biseda mes denoncuesit dhe punonjësit të CEZ:

    Denoncuesi: Për sa i ke thënë atij shokut tim ti, se nuk po e marr vesh fare?

    Punonjësi i Çez-it: Për 500 mijë lek.

    Denoncuesi: Po janë shumë.

    Punonjësi i Cez: eshtë një gjë që nuk e kam unë në dorë.

    Denoncuesi: Unë të njoh ty, nuk njoh ndonjë tjetër

    Punonjësi i Cez: E di që më njeh mua, por unë thjesht një përqindje nxjerr aty.

    Denoncuesi: Sa merr ti me vënë gjobën? Sa është gjoba?

    Punonjësi i CEZ: Eshtë 5 milion e 200 mijë lekë. 3 milion e 500 mijë lekë dëm ekonomik dhe 2 milion e 700 mijë lekë për një vit energji e pamatur.

    Punonjësi i CEZ: Ai kolegu im kur foli me mua foli tamam sepse unë nuk marrë asnjë njëqind leksh, shefi im paguhet për çdo gjobë që vendos ka 10 % edhe ty do të marri vetëm lekqt e veta.

    Denoncuesi: Gjoba që kam unë 3 milion e 500 mijë lek, sa merr ti

    Punonjësi i CEZ: 10 %.

    Denoncuesi: Domethënë 350 mijë lek.

    Punonjësi i CEZ: Po, por nuk i marrë unë, i merr shefi.

    Denoncuesi: Ju sahatin e hapët pa praninë time.

    Punonjësi i CEZ: Pak rëndësi ka

    Denoncuesi: Ka shumë rëndësi, unë deri tani 150 euro kam bërë gati, po më prite për të tjerat mirë, po nuk më prite vepro sipas mënyrës së shtetit.

    Punonjësi i CEZ: Nuk është në dorën time.

    Denoncuesi: Unë kaq kam.

    Punonjësi i CEZ:Mos i nxirr në tavolinë sepse ka njerëz dhe na njohin.

    Denoncuesi: Unë këto kam mbledhur, për të tjerat kur ti bëj do të lajmërojë vetë, numrin ta kam.

    Punonjësi i CEZ:Për sa i bën,një javë, dy javë ?

    Denoncuesi: Mundet të shkoj 20 ditë.

    Punonjësi i CEZ: Ta lë unë pas 20 ditësh?

    Denoncuesi: Po lëre

    Punonjësi i CEZ: Dakord