Peleshi: Të angazhuar ta çojmë ekonominë drejt stabilitetit

421
Bazimi i rritjes ekonomike te borxhi ka qenë një nga gabimet e Shqipërisë, është shprehur zv. Kryeministri Niko Peleshi në prezantimin e objektivave të zhvillimit në Shqipëri.
“Të bazosh rritjen ekonomike te borxhi, duke injoruar hapësirat e tjera dhe potencialin që ekonomia ka duke luftuar informalitetin, do të thotë të zhvillohesh në mënyrë të paqëndrueshme e të papërgjegjshme. Do të thotë të shesësh një mirëqënie të gënjeshtërt dhe ta transferosh problemin tek brezat që do të vijnë”, tha Peleshi.
Burimet janë të kufizuara dhe kërkohet një planifikim i mirë i tyre, është shprehur numri dy i qeverisë. Duke pranuar gabimet e të shkuarës, Peleshi tha se nuk është planifikuar një zhvillim i qëndrueshëm, duke bazuar rritjen ekonomike dhe përpjekjen për të ndërtuar mirëqënien në injorimin e interesave të brezave që pasojnë. 
“Kemi bërë gabim në mosplanifikimin e një zhvillimi të qëndrueshëm, duke bazuar rritjen ekonomike dhe përpjekjet për të ndërtuar mirëqënie në injorimin e interesave dhe brezave që pasojnë. Kemi shfrytëzuar në mënyrë të papërgjegjshme burimet, ajo që na bashkon të gjithëve në këtë axhendë për një zhvillim të qëndrueshëm është një fakt: burimet janë të kufizuara. Duke qenë se janë të kufizuara, natyrisht që na duhet t’i planifikojmë mirë ato. Shqipëria nuk e ka bërë këtë në të gjitha rastet. Ne kemi keqtrajtuar territorin, mënyra se si jemi sjellë me territorin, si kemi ndërtuar kuturu, pa plan, pa kriter, me leje apo pa leje, sot kemi rreth 400 mijë ndërtime informale në Shqipëri, që do të thotë që përgjegjshmëria jonë ka qënë shumë e ulët”, tha Peleshi.
Sigal