PD- Sali Berisha: Kryeministri i ka kaluar limitet, po bien sirenat e revoltës, protesta më e fuqishme është ajo me sindikatat dhe studentët

121

Berisha i ka bërë thirrje pedagogëve, ekspertëve, mjekëve, profesionistëve, fermerëve e biznesmenëve që të bashkohen në protesta të fuqishme dhe të mos ndalojnë deri në rrëzimin e qeverisë.

Sigal

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi në një takim me sindikatat se forma më e fuqishme e protestës siç ka provuar historia, është ajo që strukturohet me sindikata. Ndërsa kjo thirrje është përsëritur edhe në takime të tjera me grupet e interesit. Berisha i ka bërë thirrje pedagogëve, ekspertëve, mjekëve, profesionistëve, fermerëve e biznesmenëve që të bashkohen në protesta të fuqishme dhe të mos ndalojnë deri në rrëzimin e qeverisë. Kryedemokrati deklaron se e vetmja mënyrë për të rrëzuar rregjimin monist të Edi Ramës është përmes protestive mbarëpopullore.  Sali Berisha tha se kryeministri Edi Rama ka kaluar çdo lloj limiti, ndërsa shtoi se edhe Enver Hoxha ka qenë 3 herë më i përmbajtur në abuzime se sa kreu aktual i qeverisë. “Ju e shihni se çfarë ndodh me çmimet, se si varfëroren shqiptarët nga muaji në muaj me rritjen e çmimeve. Dhe kjo nuk ndodh në Maqedoni, nuk po flas për Gjermaninë, e cila caktoi 45 miliardë euro vetëm për të përballuar rritjen e çmimeve për qytetarët e vet. Po marrim Maqedoninë e Kosovën. A kemi të drejtë të krahasohemi me Kosovën? Kemi plotësisht të drejtë të krahasohemi. Kjo para që merret me rritjen e çmimeve, është paraja e dhimbjes së qytetarëve. Edi Rama ka kaluar çdo lloj limiti. Ju garantoj se diktatori i fundit shqiptar ka qenë 3 herë më i përmbajtur në abuzime se sa është sot Edi Rama. Edi Rama tejkalon çdo standard. Pra në të katër anët sot bien sirenat e revoltës, urrejtjes ndaj kësaj qeverie. U them një gjë, qoftë zyrtarisht dhe privatisht, në çdo takim dhe bisedë gjej vetëm një kërkesë, protestë dhe vetëm protestë. E gjej nga të rinjtë, të moshuarit, biznesmenët e vegjël, edhe tek ata të mesëm dhe të mëdhenj, që janë të ndershëm. Ky takim është mjaft i rëndësishëm, sepse forma më e fuqishme e protestës siç ka provuar historia e Shqipërisë dhe jo vetëm e saj, është ajo që strukturohet me sindikata. Sindikata e Arsimit të Lartë është hedhur në betejë, e pedagogëve. Në datën 5 tetor, kanë shpallur grevën e përgjithshme, protestën, por le të pyesin veten, a janë mësuesit më mirë? Jo mësuesit janë më keq se pedagogët. Si janë mjekët dhe infermirët, nuk kanë qenë kurrë siç janë sot.”-tha Berisha.