PD: Qeveria na përjashtoi nga takimi i Brukselit

444
Partia Demokratike deklaroi se qeveria thyen traditën për integrimin, duke përjashtuar opozitën nga Këshilli i Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE. “Që në vitin 2011, qeveria e Partisë Demokratike krijoi precedentin pozitiv të përfshirjes së kryetarit të Komisionit Parlamentar për Integrimin Europian, asokohe Ditmir Bushati, në takimet vjetore të Këshillit të Stabilizim Asociimit Shqipëri-Bashkim Europian. Ky precedent pozitiv, bazuar në mbështetjen konsensuale mazhorancë-opozitë të anëtarësimit të vendit në BE, u kthye në traditë, deri më 14 nëntor 2017, kur qeveria ‘Rama’ u paraqit në Bruksel vetëm me përfaqësuesit e saj, si Ditmir Bushati e të tjerë, por pa opozitën”, thuhet në një deklaratë të selisë blu. Aty theksohet se kryetarit të Komisionit parlamentar për Integrimin Europian, Genc Pollo, nuk iu dërgua ftesë. “Ky veprim nuk është vetëm frikë nga e vërteta e kriminalizimit të shtetit, e cila nuk fshihet dot më as në Tiranë, as në Bruksel e as gjetiu. Është edhe shenjë e degradimit politik të kësaj qeverie, e cila po rrënon çdo trashëgimi politike pozitive që ka gjetur, duke u kapur fort mbas karriges si i mbyturi pas fijes së barit”, theksohet në deklaratë.
Sigal