Delegacioni i eurodeputetëve të Parlamentit Europian e ka nisur turin e takimeve në Tiranë me një përfaqësi të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Në këtë takim, deputetët e opozitës Gazment Bardhi, Jorida Tabaku dhe Oerd Bylykbashi kanë ngritur shqetësimet e tyre në lidhje me shtetin ligjor, moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetues dhe zgjedhjet.
Ne kërkojmë hetim parlamentar që na refuzohet nga shumica. Ne ndjekim rrugën ligjore për çështje që mendojmë se janë në shkelje të kushtetutës, shkojmë në Gjykatën Kushtetuese dhe fitojmë çështjen për mandatin e një personi shumë pranë Edi Ramës, zonjës Olta Xhaçka, që është ish-ministre e jashtme, por që mazhoranca refuzon të zbatojë vendimin e GJK.
Ne kemi vënë re shkelje të vazhdueshme të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, sidomos në fushën e garës dhe tenderimeve publike. Shkelje të MSA janë parë në projekte të mëdha ku janë injoruar të gjitha pikat kyçe të garës së hapur. Qeveria teknike është jetike në kushtet kur zgjedhjet, mungesa e mekanizmave kontrollues të demokracisë nuk ekzistojnë, ndaj kjo është arsyeja përse kemi arritur në përfundimin për të kërkuar një qeveri teknike.




















