PD: Luftohet vetëm droga që s’ka paguar haraçin e Ramës

481
Me anë të Sekretares së Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma, Partia Demokratike i ka cilësuar si show aksionet e Policisë së Shtëtit kundër kanabisit.
“Shfaqja e Tahirit në parcelat me drogë në mënyrë festive bashkë me gazetarët që merr me vete, më e pakta është konfirmim i dështimit të tij. Përpjekja për propagandë jep rezultatin e kundërt pasi vërteton se kanabisi ekziston, ka mbuluar vendin, një denoncim i përditshëm i opozitës, qytetarëve dhe partnerëve tanë. Tahiri po i bën reklamë biznesit kriminal të lejuar e të bekuar nga Edi Rama. Edi Rama e ka mohuar deri tani se Shqipëria është mbuluar me drogë, por sot kemi menaxherin e tij kryesor në këtë fushë, Tahirin, që pozon i gëzuar nëpër parcela me kanabis”, deklaroi Duma.
Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun në PD thekson se kjo shfaqje e turpshme, e cilësuar sipas saj, nuk e mbulon dot të vërtetën tjetër të hidhur të këtij fenomeni. Ajo thotë se kapet vetëm droga që nuk ka paguar haraç te Rama e Tahiri. 
“Në Shqipërinë me miliona rrënjë kanabis, digjen ca bimë në mënyrë selektive. Kapet ajo drogë që nuk ka paguar taksën 30 përqind tek shefat, tek Tahiri, tek Rama. Këtë e di kushdo, dhe kjo ndërhyrje, nuk është veçse një shërbim tjetër edhe më i madh që u bëhet bandave të licencuara të qeverisë, që ta kenë të gjithë tregun për vete. Këto aksione sa për show, janë gjithashtu një presion që Edi Rama u bën trafikantëve klandestinë, që të paraqiten sa më shpejt, të regjistrohen në defterët e tij, të paguajnë haraçin. E vërteta e këtyre aksioneve nuk është aspak, “askush i paprekshëm”, por askush s’mund të merret me kanabis pa paguar pjesën tek shefat, tek Tahiri, Tek Rama. Të vetmit të paligjshëm janë ata që guxojnë ti shpëtojnë skemës së 30 përqindëshit”, tha Duma.
Ky është realiteti i sundimit të vendit nga droga e nga bandat e Edi Ramës, thotë Duma, e cila shton se sot Shqipëria është e rrënuar nga ekonomia kriminale e hashashit.
“Është koha që shqiptarët të bashkohen e ta pastrojnë vendin nga droga, nga krimi, nga bandat e kumbarët e tyre në qeveri. Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën”, përfundon deklarata e Grida Dumës.
Sigal