Reforma e re zgjedhore të çlirojë votën nga shitblerja dhe krimi

699
Sigal

Jakup B. GJOÇA

PD-ja zbardh draftin e vet, por kryetari i saj Basha dakordësohet me PS-në për të mos ndryshuar Kodin Zgjedhor

Gazeta “Telegraf” në disa shkrime të publikuara kohë më para, ka shkruar se PS-PD kanë bërë marrëveshje midis tyre, që të mos ndryshojnë Kodin Zgjedhor, pasi ky sistem zgjedhor aktual u jep të gjitha privilegjet zgjedhore ndaj partive të tjera politike, parlamentare, ose jo. Sistemi aktual Zgjedhor u jep ekskluzivitetin kryetarëve të PS-PD që të përzgjedhin ata të gjithë kandidatët që do të konkurrojnë në zgjedhje për deputetë. Pra, kryetarët e PD-PS me Listën e Mbyllur të deputetëve, kanë në dëshirën e tyre, që të emërojnë cilët do të jenë deputetët e ardhshëm, duke prerë nga listat këdo kundërshtar të brendshëm politik. Së dyti, sistemi aktual zgjedhor, u jep privilegjin PD dhe PS, që të fitojnë mandatet e deputetëve me një numër shumë më të vogël votash, në krahasim me partitë e tjera. P.sh: një mandat deputetësh në Qarkun e Tiranës, fitohet edhe me 6.000 vota nga PS dhe PD, ndërsa nga partitë e tjera duhet mbi 13.000 – 18. 000 vota.. Së treti, PD dhe PS kanë privilegjin që të kenë numër më të madh anëtarësh në të gjitha komisionet e numërimit të votave, ku, siç janë denoncuar në çdo proces zgjedhor, votat e partive të tjera janë numëruar për partitë që ata përfaqësojnë. Aleatët politikë të PD-së kanë marrë premtimin nga Lulzim Basha që PD do të kërkojë ndryshimin e Sistemit Zgjedhor. Dje, Basha e anashkaloi këtë kërkesë. Reforma e re Zgjedhore, kërkon 84 vota në parlament, pra domosdoshmërish edhe kontributin e opozitës, e cila deri tani nuk është shprehur dhe ka bojkotuar komisionin e reformës zgjedhore, nëse PS nuk pranon që të diskutohet në Parlament edhe drafti i Vettingut në politikë.

 

Propozimet e PD për Reformën Zgjedhore – Partitë të mos financohen nga kriminelët e kompanitë që marrin koncesione

Duke prezantuar platformën për të çliruar zgjedhjet nga krimi, kreu i opozitës Lulzim Basha ka bërë edhe dy propozime për reformën zgjedhore. Basha u shpreh për parlament me 100 deputetë dhe ndarjen e tij në dy dhoma. “Qëndrimi personal, në çfarëdo sistemi të shkojmë, duhet një studim i hapur dhe i thelluar. Reduktim i deputetëve në 100, i cili redukton shpenzimet, të cilat shkojnë për shkolla. Ndarja e Parlamentit në dy dhoma. Këto nuk qëndrojnë sot, por së pari duhet të dilet nga kjo gjendje. Sot detyrë kryesore e opozitës është dekriminalizimi i zgjedhjeve, më pas për të diskutuar për reformën zgjedhore.” u shpreh Basha. Sipas Bashës, pa ndarjen e politikanëve nga krimi, nuk mund të kemi kurrsesi zgjedhje të lira. “Sot e dimë që vota diktohet nga krimi, paratë e pista të bëra nga droga apo presioni shtetëror. Problematika zgjedhore është evidentuar në raportin e fundit të OSBE-ODIHR, kandidatë me mbështetje kriminale, përdorimi i parave për shit-blerje votash, përfshirje e policëve të inkriminuar për blerje votash, grupe banditësh që diktojnë votën brenda qendrave të votimit, përdorimi i fondeve publike etj.

Platforma e PD-së për “çlirimin e zgjedhjeve”

1.-Dekriminalizimi i procesit zgjedhor – Vetting i politikës- pastrimi i Policisë së Shtetit nga lidhjet me krimin E kuptoni se nga kush administrohej procesi zgjedhore! Krerët e policisë, palë me krimin, trafikun dhe mbjelljen e drogës, njerëz me zero besueshmëri publike dhe Rama, i cili një vit më parë bënte thirrje policisë të mblidhte vota për Rilindjen.

2- Sistem masash kundër shitblerjes së votës, e cila është evidentuar si problemi kryesor në raportin e OSBE/ODIHR për vitin 2017. Shitblerja e votës jo vetëm do të konsiderohet korrupsion zgjedhor që trajtohet nga SPAK, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Por kërkon një sërë masash të tjerash që duhet të nisin që në gjenezën e procesit të blerjes së votës, i cili ndodh tashmë jo javën e fundit, jo muajin e fundit por gjatë 6-12 muaj para zgjedhjeve.

3- Financimi i partive dhe fushatës, e cila parashikon reduktim të shpenzimeve të fushatës elektorale. Financim shtetëror 100% të procesit zgjedhor dhe fushatës së partive. Kriminalizim të financimeve private. Kompani që financojnë parti politike dhe kandidat do të përjashtohen nga përfitimi i tenderëve dhe koncesioneve për një kohë të përcaktuar. Kjo mase në fakt do të parandaloje korrupsionin dhe trajtimin preferencial të kompanive financuese të partisë fituese të zgjedhjeve në tenderë dhe koncesione.

4- Përdorimi i teknologjive në votim. Identifikimi biometrik, votimi dhe numërimi elektronik. Të gjitha këto janë të rëndësishme për të trajtuar vdekjen e procesit zgjedhor, shkatërrimin e procesit zgjedhor dhe kthimin e tij nga një festë të demokracisë në një gosti dhe orgji të krimit të lidhur me politikën.

 

Propozimet e PS-së për reformën e re zgjedhore

Reforma zgjedhore nuk do të ndryshojë sistemin zgjedhor në Shqipëri por do të ndërhyjë në çështjet kryesore të fushatës elektorale dhe zhvillimit të zgjedhjeve. Nga 8 anëtarë që Komisioni Zonal i Administrimit Zgjedhor ka aktualisht, kodi i ri propozon të jenë vetëm 4. Nga 7 anëtarë që ka aktualisht Komisioni i Qendrave të Votimit, kodi i ri parashikon 3 anëtarë. Pra nga 38254 persona që administronin zgjedhjet në qershorin e vitit 2017, do të jenë 16 446 persona. Risia tjetër është se kjo trupë nuk do të zgjidhet më nga partitë politike por nga individë që do të trajnohen nga KQZ dhe do të marrin titullin administrator zgjedhor, duke e depolitizuar kështu administratën zgjedhore. Kryetari do të jetë anëtari më i vjetër në moshë dhe sekretari, personi i dytë më i vjetër në moshe. Ndryshim kanë pësuar edhe grupet e numërimit të cilat nga 4 anëtarë do të reduktohet në 2 anëtarë. Për sa i përket shitblerjes së votës, kodi i ri parashikon vetëm një deklaratë të firmosur nga kryetari i Partisë që merr pjesë në zgjedhje ku zotohet solemnisht të nuk do të përfshihet në një veprim të tillë. Sa për financimin e partive politike, kodi ndalon financimin me para në dorë për një subjekt më shumë se 30 mijë lek të reja nga 100 mijë që ishte më parë. Njëkohësisht një tjetër masë e re është se partitë nuk do të lejohen të marrin fonde nga persona juridikë apo kompanitë të cilat kanë përfituar koncesione apo PPP në 3 vitet përpara zgjedhjeve. Po ashtu personat juridikë dhe kompanitë që financojnë një subjekt politik do të ndalohen të marrin koncesione dhe PPP me më shumë se 10 milionë lek për 3 vite pas zgjedhjeve. Megjithatë për të ndaluar abuzimet, kodi ndalon që një subjekt zgjedhor të shpenzojë gjatë fushatës më shumë para se sa 2-fishi i shumës më të madhe që KQZ akordon për një parti politike. Për të denoncuar shkeljet me financimet e partive, KQZ do të krijojë edhe një portal online gjatë periudhës së zgjedhjeve. Në lidhje me monitorimin e fushatës zgjedhore, televizioneve do të vijojë t’i serviren materiale të gatshme nga partitë politike për në edicionet informative por do të ndalohen reklamat politike me pagesë deri në 3 muaj përpara fillimit të fushatës zgjedhore. Ndërkohë që nga përvoja e fushatës së vitit 2017, do të ndalohen edhe materialet propagandistike si posterë flamuj etj, jashtë ambienteve të përcaktuara nga Bashkia dhe do të lejohen vetëm në distancë deri në 5 metër larg zyrave elektorale. Barazia gjinore është theksuar ndjeshëm në kodin e ri duke detyruar partitë të kenë në listën e tyre një në 3 emrat e njëpasnjëshëm përfaqësues të secilës gjini. Për këshillat bashkiakë, ky raport do të jetë një në 2 emra, pra 50%. Raporti i përfaqësimit tre gjinive do të shtrihet nga partitë politike deri në trupën e administrimit zgjedhor, KQZ, KZAZ dhe KQV. Dispozita e zëvendësimit të mandatit të ndërprerë të deputetit do të ndryshojë në favor të përfaqësimit të gjinive. Nëse një deputet largohet para kohe nga detyra, ai zëvendësohet nga e njëjta gjini në listën shumë emërore të caktuar nga subjekti zgjedhor dhe nëse kjo listë nuk ka më përfaqësues të së njëjtës gjini me deputetin e larguar, atëherë të drejtën për të marrë mandatin e ka një përfaqësues i së njëjtës gjini të partisë së dytë të koalicionit

Reagimet e aleatëve të PD-së

Luan Rama, nënkryetari i LSI-së: Reforma e vërtetë fillon me dekriminalizimin dhe me sistemin që garanton barazinë e votës

Nënkryetari i LSI-së ka lëshuar akuza të forta në drejtim të kryeministrit Rama lidhur me skandalet që po i plasin dita-ditës qeverisë. Ndërsa theksoi se qytetarët nuk janë të lirë të votojnë dhe dekriminalizimi i zgjedhjeve është hapi i parë i reformës së vërtetë. “Rraja zgjodhi të fliste si zëdhënës i Rilindjes. Ne përpjekje për të mbuluar një krim, kryetari i rilindjes zbuloi një krim tjetër, duke kanosur një oficer policie. Mbi çfarë atributesh ligjore dhe kushtetuese flet kryeministri, kur thotë do t’i turremi këmba-këmbës oficerit të policisë. Qytetari nuk është i lirë të zgjedhë me votën e tij. Është vrarë besimi të vota e ndershme. Qytetari nuk është i lirë të votojë, sepse përballë ka qeverisjen dhe krimin. Thelbi i reformës sonë, të çlirojmë zgjedhjet nga krimi. Asnjë hap më tej pa dekriminalizuar zgjedhjet. Ky vend nuk duhet të jetë më njolla e turpit në Evropë me zgjedhje të vjedhura dhe të dekriminalizuara. Të bëjmë të mundur që të vitalizojmë sistemin e demokracisë zgjedhore. Reforma e vërtetë fillon me dekriminalizimin dhe me sistemin që garanton barazinë e votës.” tha Rama.

Dashamir Shehi: Basha e pranoi që sistemi zgjedhor ka defekt. Duhet sistem që të ketë një element mazhoritar

Deputeti Dashamir Shehi, kryetari i LZHK-së, duke marrë qëndrim për propozimet e PD-së për reformën e re zgjedhore deklaroi se “opozita mikse që është sot mbahet në këmbë vetëm nga Edi Rama. Ditën që Rama nuk do të jetë më, opozita nuk do të jetë kaq homogjene. E kuptojnë që pushteti i Ramës është kaq abuziv, arrogant dhe antiligjor, sa që janë bashkuar njerëz që kurrë nuk do të bëheshin bashkë në kushte të tjera. Marrëveshja që ka LZHK-ja me Lulzim Bashën është e thjeshtë: Të rrëzojë Edi Ramën. Sistemi zgjedhor është me defekt të madh dhe zoti Basha e pranoi vetë se, pasi të pastrohet procesi nga vjedhja e votave, do të merremi me sistemin, që, sipas meje, sot është i pavlefshëm. Që të funksionojë përfaqësimi real i vlerave, duhet sistem që të ketë një element mazhoritar, ose zonat mazhoritare, ose listë të hapur. E dyta, të jetë kombëtar, jo rajonal. Por, aktualisht jemi te faza e parë. Nëse qytetari që shkon te kutia e votimit dhunohet, asnjë sistem, as më i miri, nuk ka vlerë”, theksoi Shehi.

Agron Duka, kryetar i PAA: Nuk ka ende një vullnet politik për të zhvilluar reformën zgjedhore

Me këtë Sistem Zgjedhor, nëse opozita shkon në Aleancë në zgjedhje ka mundësi të fitojë?

Nga pikëpamja matematikore, fronti aktual opozitar ka një epërsi numerike në krahasim me mazhorancën, nëse kemi parasysh zgjedhjet e vitit 2017. Megjithatë, politika nuk është vetëm aritmetikë, por edhe alkimi, emocion dhe besim. Për të krijuar besimin tek qytetarët se realisht duam të ndryshojmë diçka, duhet ta nisim duke ndryshuar atë që kemi në dorën tonë, pra sistemin zgjedhor. Deri në këtë moment palët janë ende larg njëra-tjetrës, nuk ka ende një vullnet politik për të zhvilluar reformën zgjedhore. Kështu po shkelet një premtim që i kemi bërë ndërkombëtarëve mbi përfundimin e saj, dhe njëkohësisht nuk po i vërtetojmë qytetarëve që ne duam një ndryshim të këtij sistemi zgjedhor denigrues për votën e tyre. Nëse nuk prodhojmë një reformë zgjedhore që të jap peshën e drejtë votës së çdo qytetari, atëherë për opozitën do të jetë tejet e vështirë të fitojë zgjedhjet.

Pse Basha nuk përmend fare ndryshimin e Sistemit Zgjedhor dhe depolitizimin e plotë të Administratës Zgjedhore që nga KQZ?

Që sistemi zgjedhor është mizerabël është pranuar edhe nga z. Basha; nga takimi i sotëm u evidentua se përpara se të kalohet në diskutimin e sistemit, duhen zgjidhur çështje si vjedhja e votave dhe largimi i përfaqësuesve të botës së krimit nga procesi zgjedhor. Për ta thënë pak ndryshe, kemi të bëjmë me dy faza: e para është ajo e largimit të parave dhe krimit nga zgjedhjet; ndërsa në fazën e dytë të do merremi me sistemin dhe problemet e artikuluar nga opozita gjithë këto kohë. Megjithatë, si anëtar i opozitës pres një vendosmëri të lartë nga z.Basha në përmirësimin e sistemit zgjedhor. Jo vetëm si pasojë e angazhimeve që ka marrë karshi partive aleate, por edhe si një shenjë e qartë e vullnetit tonë për të sjellë përsëri besim në procesin zgjedhor, ku të funksionojë përfaqësimi real i vlerave të çdo subjekti.