PD-ja bëhet palë me PS-në kundër aleatëve për Reformën e re Zgjedhore

301
Petraq Barjami
Prof. Kume, Hazizaj dhe Islami flasin për “Telegraf”: Prokuroria mbron krimin e vjedhjes së votave
Drejtuesi i Zyrës së OSBE-së, Bernd Boschardt tha në takim se, ODIHR-i rekomandoi përpjekje serioze për të trajtuar çështjen e vazhdueshme të blerjes së votës përmes një fushate për ndërgjegjësimin qytetar edhe përmes ndjekjes penale. 
Boschardt: Presim nga Prokuroria të ketë më shumë padi për blerjen e votës
“Ne po i ndjekim me shumë vëmendje rastet e shkeljeve zgjedhore të denoncuara në Prokurorinë e Përgjithshme dhe presim me padurim që të ketë më shumë padi dhe vendime gjykate”, tha ambasadori Borchardt. Kryetari i Pranisë së OSBE-së, ambasadori Borchardt, theksoi kërkesën për një reformë të plotë dhe në kohë sipas të gjitha rekomandimeve të papërmbushura të OSBE/ODIHR-it nga tri zgjedhjet e fundit. “Komisioni duhet ta finalizojë reformën zgjedhore brenda afatit”, tha zoti Borchardt. Tani është koha për rezultate konkrete”. OSBE nxis fort Komisionin e Posaçëm dhe pjesëmarrësit, që të zhvillojnë diskutim të hapur, praktik dhe të orientuar drejt rezultateve, bazuar në gjetjet dhe, si edhe në përvojën e gjerë. “Duhet të merren vendime të rëndësishme, pa vonesa të mëtejshme”, tha ambasadori Borschardt i OSBE-së.
Bylykbashi dhe Çuçi kompromis dypartiak për Kodin Zgjedhor
Dje, sa filloi takimi për Reformën e re Zgjedhore, e organizuar nga OSBE-ja, Bledar Çuçi, bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, kërkoi që mediat të largohen nga ky takim. Përshtypje bëri, se ende organizatorët, dhe OSBE-ja nuk ishte ulur ende në podium, edhe pse Çuçi e justifikoi kërkesën për të ndjekur median, me pohimin se të gjithë palët aty kanë dakordësi për të larguar median. Siç duket, Çuçi dhe Bylykbashi, bashkëkryetari tjetër i Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, kishin bërë kompromisin në korridor për të ndjekur median, sepse të dy kanë frikë nga transparenca. Ky qëndrim, është tregues se PD-PS kanë bërë kompromise në prapaskenën politike për të ruajtur monopolin dypartiak te Kodi Zgjedhor, i cili u jep privilegje të mëdha elektorale dy partive të mëdha PD-PS në dëm të partive të tjera. Nuk mund të ketë reformë të re Zgjedhore, nëse nuk ndryshon tërësisht ky Kod Zgjedhor, i cili është pasojë e kompromisit të një nate të 2008-s PD-PS, ku kryetarët e partive kanë monopol Listën e Mbyllur të kandidatëve për deputetë, me të cilin mundësuan që kandidatë me rekorde kriminale të bëheshin deputetë, vetëm e vetëm se kryetari i Partisë i renditi në Listën emërore zgjedhëse, dhe votuesit nuk kanë asnjë mundësi në votim të votojnë ata përfaqësues që duan për në Parlament, pasi votojnë Listën e kandidatëve, që u servir kryetari i Partisë. 
Flasin për “Telegraf”

Dash Shehi, deputet:
Nëse PD-ja nuk kërkon ndryshimin e Kodit Zgjedhor, unë do largohem nga Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore
Lulzim Basha, kryetari i PD-së na ka dhënë fjalën, që kësaj here do të kërkojë që të preket dhe të ndryshohet edhe Kodi aktual Zgjedhor, i cili penalizon partitë e vogla, dhe u mohon votuesve që të votojë ata përfaqësuesin e tyre në Parlament. Deri tani, PD-ja nuk ka vepruar dhe ne nuk kemi akoma asnjë shenjë se PD-ja do që të ndryshohet Kodi aktual Zgjedhor. Nëse PD-ja nuk kërkon dhe nuk këmbëngul në Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore, atëherë unë do të largohem nga ky komision, sepse nuk ka më kuptim të rri aty dhe nuk dua të bëhem palë e PD-së. 
Prokuroria çoi në gjykatë vetëm 4 kallëzime, nga 105, për blerjen e votës në 2017-n
Prof. Dr. Kristaq Kume, ish-kryetar i KQZ-së
Për mua, për sa kohë që vjedhja e manipulimi i Votës në proceset e zgjedhjeve është vepër penale, e parashikuar tani edhe në Kodin Penal, prokuroria duhet të veprojë menjëherë, njësoj si për çdo vepër penale e kryer nga person, grupe të organizuara etj. Prokuroria duhet të veprojë të hetojë vjedhjen e votës, kur ka kallëzime penale, por erdhe të fillojë hetimet e saj edhe kur ka indicie për vjedhje të votës, qoftë nga raportet e organizmave që merren me procesin zgjedhor, vendas dhe ndërkombëtarë, por edhe nga deklaratat dhe kallëzimet publike të partive politike, të subjekteve zgjedhore dhe të individëve. Ajo që ndodhi në zgjedhjet e fundit të 2017-s të gjithë jemi dëshmitarë për shumë raste ku u denoncua vjedhja e votës, nuk munguan as denoncimet dhe kallëzimet në prokurori dhe deklaratat akuzuese të subjekteve dhe partive politike, por prokuroria sërish nuk veproi. Problemi është se asnjë proces hetimi nuk u fillua, edhe pse kishte kallëzime konkrete. P.sh, nga 104 kallëzime konkrete, në gjykatë shkuan për gjykim vetëm 4, sepse kallëzimet e tjera “mbetën” rrugës. Këtu fillon përgjegjësia ligjore e prokurorisë. Ligji për zgjedhjet, duhet të përforcohet edhe me rritjen e kërkesës për financimet elektorale të subjekteve politike, sepse kështu siç është, ky ligj, si edhe ligji “Për Partitë” i heq shumë kompetenca KQZ-së, që të hetojë e pavarur shpenzimet elektorale dhe financiare të partive dhe subjekteve politike. 
Av. Sokol Hazizaj: Prokuroria është produkt i politikës, ndaj nuk heton vjedhjen e votës


Dihet tashmë botërisht thuajse të gjitha proceset zgjedhore në Shqipëri kanë qenë në kufijtë e manipulimit, shkak për të cilin, qeverisjet kanë qenë, ose të deformuara dhe të sëmura nga autoritarizmi i theksuar. Në këto kushte, duke qenë se Prokuroria është produkt i drejtpërdrejtë i politikës dhe nën presionin e saj, i ka pasur të gjitha instrumentet ligj-zbatuese dhe proceduriale të bllokuara për të hetuar, ndjekur dhe proceduar penalisht shkaktarët e vërtetë të shkatërrimit të procesit të votimit. Nëse ka ndodhur dhe ndodh rëndom procesi i blerjes së votës, ka ardhur jo për shkak të vullnetit qytetar, por të aspiratës politike. Gjatë dhe pas proceseve zgjedhore, në mënyrë vijuese, janë identifikuar qytetar, apo shtetas, që kanë tentuar, apo manipuluar votën, por në asnjë rast nuk janë “identifikuar” shkaktarët e vërtetë të destabilizimit të procesit, ndonëse institucionet ndërkombëtare, si OSBE dhe ODHIR, kanë deklaruar haptazi zona të tëra zgjedhore që kanë prodhuar produkte të deformuara zgjedhore. Ritheksoj, që Prokuroria për shkak të kallëzimeve jo të institucioneve ndërkombëtare, por të komisioneve zgjedhore, partive politike, detyrim ky i parashikuar në Kodin Zgjedhor dhe në Kodin Penal, në asnjë rast nuk ka mundur të sjellë, si pasojë, një rezultat ndryshe nga veprimet arbitrare të manipulatorëve. Nuk është detyrë dhe e drejtë e Institucioneve ndërkombëtare të kallëzojnë, por është e drejtë dhe detyrë e institucioneve dhe organeve zgjedhore shqiptare.
Av. Zaçe Islami: Prokuroria mbron krimin e vjedhjes së votave


Me ligj prokuroria e ka detyrë funksionale të hetojë çdo shkelje ligjore si me kallëzim ashtu edhe kur denoncohet si e tillë në mjetet e informacionit. Në botën e qytetëruar prokurori fillon menjëherë ndjekjen penale kryesisht edhe kur një shkelje ligji, apo krim denoncohet në mjetet e informacionit publik. Sikurse dihet, këtu prokuroria është kthyer në një kamxhik në dorë të kryeministrit në vazhdim të traditës 75 vjeçare. Absolutisht që PO , prokuroria me një herë duhej të merrte si raportet e organizmave monitoruese ndërkombëtare të zgjedhjeve ashtu edhe raportet e forcave politike. Por këtu ka një problem thelbësor pasi: Të gjitha forcat politike konkurruese në zgjedhjet e deri tanishme, si në pozitë, ashtu edhe në opozitë, bëjnë të njëjtën gjë: blejnë vota, ku mundin dhe sa mundin, ndaj edhe puna e prokurorisë vështirësohet shumë. Deri më sot prokuroria merret me cironkat e vogla, madje edhe aty në mënyrë selektive. Personalisht kam dy raste flagrante ku prokuroria mbulon krimin dhe dënon viktimën, por KU TË ANKOHEM? Këtu janë vendosur ligje të tilla, duke filluar që nga sakatimi i Kushtetutës sa herë që i intereson ekzekutivit e deri tek ligjet e pronave, apo mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut. Ndaj unë, në mënyrë të përsëritur, edhe nëpërmjet intervistave dhënë gazetës tuaj, kam deklaruar dhe vazhdoj t’u qëndroj atyre që kam thënë, se këtu nuk mund të bëhet drejtësi. Nëse ka ndonjë strukturë shtetërore, që e mbron dhe nxit krimin është prokuroria nëpërmjet veprimeve, ose mos veprimeve të saj. Në fakt kam 5 raste flagrante që i kam denoncuar edhe tek prokurori i përgjithshëm që nga Ina Rama, Llalla e deri tek kjo e reja, por deri më sot kanë bërë shurdh memecin.