PD, Basha: Kriminalizimi dhe zgjedhjet mbajnë peng të ardhmen europiane të Shqipërisë

504
Sigal

Gazeta Telegraf/

Pyetje:
Z.Basha si shkoi mbledhja e grupit dhe a keni një vendim për seancën nesër

Basha:
Në qendër të vëmendjes të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike në
diskutimin e sotëm, sikundër në qendër të vëmendjes të opinionit publik, të
opozitës, të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk mund
të ishte asgjë tjetër përveçse rrezikimit të demokracisë dhe të stabilitetit në
Shqipëri, të zgjedhjeve,  të rendit dhe
të  sigurisë nga karteli i drogës i bërë
njësh me Edi Ramën. Ndërkohë që mediat më prestigjioze të botës, institucionet
e sigurisë dhe të ligjzbatimit në nivel europian dhe në nivel kombëtar të
vendeve fqinje dhe jo vetëm, mediat shqiptare, opozita shqiptare dhe qytetarët
shqiptarë ngrenë alarmin e madh për shndërrimin e Shqipërisë në një
narko-republikë dhe cdo javë falë përpjekjeve, jo të qeverisë shqiptare, por të
institucioneve të tjera të ligjzbatimit dhe partnerëve, kapen mesatarisht 5 tonë
drogë, Edi Rama iu përgjigjet duke bërë avokatinë e drogës diku duke
justifikuar, diku duke u përpjekur të zbehë apo ulë shifrat e drogës së kapur.

Si ka mundësi që Edi Rama, kryeministri i vendit, në
vend që të ishte më i shqetësuari për situatën e drogës, çdo ditë përpiqet të
mohojë apo të zbehë shqetësimin më të madh që ka sot Shqipëria, shqiptarët dhe
partnerët tanë ndërkombëtarë?! Përgjigja për ne është fare e thjeshtë. Sepse
për ne, Edi Rama nuk është pjesë e zgjidhjes, por është pjesë e problemit, madje
është vetë problemi. Dhe këtu nuk e kam fjalën si konsumator apo i dashuruar me
drogën, po e kam fjalën si njeriu që shndërrimin e Shqipërisë në hambar droge e
ka projektin e vet politik, për të prishur dhe kapur zgjedhjet e ardhshme. Ky
projekt erdhi në jetë me kriminalizimin, ndaj Edi Rama refuzon të zbatojë
dekriminalizimin.

Këtë shqetësim që kemi ndarë sot me grupin
parlamentar e në vijimësi me opinionin publik, ne e kemi kthyer në qendër të
betejës tonë politike brenda dhe jashtë Shqipërisë. Dhe sot dua të ndaj me ju
dhe nëpërmjet jush me qytetarët shqiptarë faktin se, zgjedhjet e lira dhe të
ndershme, lufta kundër drogës dhe zbatimi i ligjit të dekriminalizimit janë
kthyer sot në pengesën numër një për avancimin e Shqipërisë në rrugën e
integrimit europian, për hapjen e negociatave për të anëtarësuar Shqipërinë në
Bashkimin Europian. Nuk mund të flitet më qartë se kaq. Sepse edhe tek zbatimi
i ligjit të dekriminalizimit, edhe tek çështja e drogës dhe shndërrimit të
Shqipërisë në një narko- republikë, edhe tek çështja e zgjedhjeve të lira dhe
të ndershme, faktori që mban këto të treja lidhur me njëra-tjetrën është
kryeministri i vendit, është Edi Rama.

Pengesa kryesore për ecjen e Shqipërisë përpara
është njeriu që duhej të ishte përgjegjës për progresin e Shqipërisë në drejtim
të BE. Sikundër është pengesë për gjithçka tjetër; për ekonominë që po mbytet
ditë për ditë, për shëndetësinë që mbërthehet çdo javë nga skandale apo krime
si ky i fundit ku Ilir Beqja me Edi Ramën japin 1.7 miliard lekë Vilma Nushit
për kontrolle që nuk i ka kryer – me letra nuk i ka kryer se edhe ato që ka
kryer me letra nuk i ka kryer. Para të cilat janë spërkatur me gjakun e grave
shtatzëna, foshnjave të palindura dhe të sëmurëve të tjerë shqiptarë që nuk
marrin trajtime, nuk marrin medikamente apo i marrin të skaduara sepse i vjedh
Edi Rama dhe Ilir Beqja përmes Vilma Nushit.

Kësaj nuk mund t’i mbyllet dot goja duke bilbilosur
apo kërcënuar në monologje mediat, analistët, gazetarët. Sepse të identifikosh
median si problemin e vendit, pasi ke identifikuar opozitën do të thotë të kesh
identifikuar me gisht popullin tënd si problemin. Dhe kjo është faza e fundit
halucinante e çdo regjimi të rënë moralisht dhe politikisht.

 

Partia Demokratike, unë si kryetar i opozitës, së
bashku me një aleancë vlerash që sa vjen e shtohet, madje edhe me faktorë
politik brenda vetë Partisë Socialiste, duhet t’i japim zgjidhje duke larguar
kryeproblemin, duke u dhënë shqiptarëve mundësinë për zgjedhje të lira dhe të
ndershme, përmes dekriminalizmit, përmes një reforme të vërtetë zgjedhore dhe
përmes alternativave që do të nxjerrin vendin nga mjerimi, krimi dhe droga ku e
ka zhytur Edi Rama.

Pyetje:
Cilët janë këta faktorë brenda PS që i bashkohen aleancës së opozitës, z.Basha?

Basha:
Bashkërisht mund të themi disa emra, por nuk jemi këtu për të thirrur në emra
të përveçëm ata faktorë politikë apo edhe parlamentarë brenda PS, apo brenda
maxhorancës që sot nuk bëjnë gjë tjetër veçse pohojnë atë që pohon çdo shqiptar
i ndershëm, që janë shumica dërrmuese e shqiptarëve, se me Edi Ramën Shqipëria
nuk mund të shohë më asnjë ditë të bardhë. Dhe më e rëndësishmja, Shqipërisë i
mohohet e drejta për të zgjedhur të nesërmen, i mohohen zgjedhjet e lira dhe të
ndershme.

Pyetje:
Z.Basha ka një panoramë tjetër nga kjo. Ka disa fakte të tjera, si p.sh që Edi
Rama pritet më 28 nëntor nga Angela Merkel për të mbështetur vazhdimësinë e
Shqipërisë në integrimin e saj në BE. Është një letër që i ka çuar Avromopulos,
Saimir Tahirit ku e përgëzon për luftën që ka bërë policia kundër kanabisit.
Pra, nuk mund të jenë pasqyrë vetëm ajo që thoni ju, ka ngjyra të tjera. A e
shikoni këto pengesë për të arritur qëllimet tuaja?

Basha:
Në një betejë ekzistenciale siç është kjo para së cilës gjendemi sot ne,
opozita, ju mediat dhe shumica dërrmuese e qytetarëve, arma e vetme e qeverisë
dhe e Edi Ramës, ku në fakt shkëlqen me talentin e tij krejt të padobishëm për
realitetin sot dhe për atë që po vjen nesër, është manipulimi i opinionit dhe
manipulimi i qëndrimeve të komunitetit ndërkombëtar.

Unë shpreh bindjen e thellë se qëndrimi i
konsoliduar kombëtar dhe ndërkombëtar është se Shqipëria nuk mund të ecë
përpara pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa zbatuar deri më një ligjin për
dekriminalizimin dhe pa një luftë të vendosur kundër drogës që është sot serumi
i vetëm i një të sëmuri që po jep shpirt, që është qeveria e Edi Ramës. Ky
është një mesazh që po rezonon dhe do të rezonojë në çdo komunikim serioz
ndërkombëtar, institucional dhe politik 
nesër, pasnesër dhe në javët dhe në muajt në vijim.

Nuk ka si të jetë ndryshe dhe nuk ka për të qenë
ndryshe. Por sot nuk jemi këtu për të bërë as parashikuesin, as fallxhorin, por
për të shprehur vullnetin tonë, vullnetin tim që këtë axhendë, këtë prioritet
absolut të shqiptarëve, që ka qenë kauza kryesore e opozitës prej më shumë se
një viti, që prej zgjedhjeve lokale të vitit 2015 që sot e gjejmë të mishëruar
me të drejtë si parakusht për ecjen përpara të Shqipërisë në çdo drejtim,
përfshi integrimin europian të vendit.

Pyetje:
Z.Basha besoni se këto që po kërkoni juve do të jenë kushte për marrjen e
rekomandimit për hapjen e negociatave?

Basha:
Se çfarë besoj unë dhe se çfarë bindje kam unë, ua shpreha fare qartë. Tani
është koha që  çdo kush të marrë peshën e
përgjegjësisë që i takon dhe padyshim peshën kryesore të përgjegjësisë e kanë
shqiptarët dhe faktorët e tyre politikë. Partia Demokratike e ka marrë
plotësisht këtë peshë përgjegjësie, po e zgjeron aleancën e saj të vlerave me
të gjithë faktorët e tjerë që e kuptojnë se e ardhmja kalon vetëm përmes
zbatimit të ligjit të dekriminalizimit dhe zgjedhjeve të lira e  të ndershme. Dhe jam i bindur se asnjë faktor
tjetër i përgjegjshëm, ku natyrisht rreshtoj partnerët tanë, aleatët tanë, SHBA
dhe BE, nuk do të ndajë qëndrim tjetër për të ardhmen e Shqipërisë.

Pyetje:
Jeni të gatshëm për bashkëpunim me LSI, z.Basha për çështjen e zgjedhjeve të
lira dhe të ndershme?

Basha:
Shiko, këtu ka një interes të madh nuk arrij ta ndaj sa është gazetaresk dhe sa
është tabloid. Se shikoj që ka keqinterpretime të deklaratave të zyrtarëve dhe
përfaqësuesve të lartë të PD. Në një betejë ekzistenciale me krimin e veshur me
pushtet, për një qëllim madhor kombëtar, siç është garantimi i zgjedhjeve të
lira dhe të ndershme, është i thirrur kushdo qytetar dhe faktor politik, i cili
nuk është pjesë e krimit, nuk është pjesë e drogës, nuk është pjesë e vullnetit
për të prishur zgjedhjet e shqiptarëve.

Kjo nuk është një betejë për PD, kjo është një
betejë për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Dhe në fakt ky është edhe
kufiri që ndan bardh e zi dy lloj forcash politike dhe qytetarët shqiptarë, por
shumica dërrmuese janë në anën e bardhë të këtij kufiri. Kush e konsideron
veten pjesë të krimit dhe mbështetet tek krimi dhe tek droga në zgjedhjet e
ardhshme, për të prishur zgjedhjet e ardhshme do të qëndrojë në atë të kufirit,
në anën e zezë dhe do të përballet me shumicën dërrmuese të shqiptarëve, që
janë në anën tjetër, me ne,  Partinë
Demokratike dhe aleancën tonë.

Sa i përket koalicioneve elektorale, ky është një
diskutim krejt tjetër i cili nuk mund e nuk do të eklipsojë vendimin tonë për
të ndërtuar aleancën më të madhe të mundshme për tu dhënë shqiptarëve zgjedhje
të lira dhe të ndershme, zbatim të ligjit të dekriminalizimit dhe adresim të
plotë sipas ligjit të problemit të rëndë të krimit dhe sigurisë kombëtare, që
është kthimi i Shqipërisë në një hambar droge.

Pyetje:
Pra, jeni të hapur?

Basha:
E keni të plotë idenë, se ky nuk është kuiz po apo jo?!. Kur vjen puna për një
aleancë  kundër drogës, krimit dhe për
zgjedhje të lira dhe të ndershme, edhe çdo deputet socialist që ka guximin ta
thotë publikisht atë që mendon privatisht është i mirëpritur në këtë betejë.
Koalicionet elektorale janë një çështje tjetër. Ju faleminderit!