“Pas pune mblidhi vota për PS”, deputetja e LSI: Turp! Një gjë s’ka kuptuar ky kryeministër në largim

446
Thirrjen e kryeministrit Edi Rama për uniformat blu të policisë së shtetit që pas punë të lënë uniformat dhe të bëjnë fushatë për PS, deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj e ka quajtur “turp të madh”.
“Nuk ka turp më të madh se sa kur një kryeministër i kërkon policisë së shtetit të përzihet në fushatë,” shkruan Kejdi në një status në Facebook.

Ajo gjithashtu shkruan se “kryeministri në largim” nuk e ka kuptuar ende që nuk mund të ndalojë vrullin e qindra mijëra të rinjve shqiptarë, që sipas të cilës kanë marrë përsipër të shfarrosin farën e krimit dhe të drogës duke votuar LSI-në.

Statusi i plotë
Nuk ka turp më të madh se sa kur një kryeministër i kërkon policisë së shtetit të përzihet në fushatë. 

Nuk ka turp më të madh se kur një kryeministër, nga frika e humbjes së thellë, nxit banditët e këtij vendi të ushtrojnë dhunë dhe presion ndaj të rinjve dhe të rejave, ndaj qytetarëve të nderuar të këtij vendi. Nuk ka turp më të madh se kur një drejtor policie, shpërdëron detyrën duke mos mbrojtur qytetarët, por bandat kriminale. Nuk ka turp më të madh se kjo polici shteti, që kontrollon dhe presionon mbështetësit e LSI dhe familjarët e tyre, ndërkohë që plantacione të tëra droge lulëzojnë në të gjithë Shqipërinë.

Ajo që nuk ka kuptuar ky kryeministër në largim është që nuk do të arrijë kurrsesi të ndaloj vrullin e qindra mijëra të rinjve shqiptarë që kanë marrë përsipër të shfarrosin farën e krimit dhe të drogës duke votuar #LSI më 25 qershor!

Në emër të të rinjve shqiptarë, i bëj thirrje policëve të ndershëm të distancohen menjëherë nga çdo sulm e presion politik që u është kërkuar të bëjnë. I bëj thirrje të gjithë mbështetësve dhe simpatizantëve të LSI, të mos tuten, pasi kush prek një qytetarë të këtij vendi, do ti duhet të përballet me forcën e rinisë shqiptare.
Përgjigjen më të mirë do e marrin të gjithë në 25 qershor
Sigal