Pas akuzave për falsifikim, Dhamo në krye të Arsimit jugor

1962
Sigal

Reformat e Rilindjes Socialiste për meritokracinë në Administratën Publike janë flluska sapuni

 Brunilda Dhamo, nga akuzat për falsifikim, në krye të Arsimit të Jugut

“Rilindja” e ka shndërruar në standard normaliteti emërimin në poste të larta të personave që kanë një kaluar problematike penale. Pak javë më parë, Brunilda Dhamo është emëruar si Drejtuese Arsimore për rajonin e Jugut, pasi, një vendim i dyshimtë i Gjykatës së Apelit të Vlorë, rrëzoi dënimin me 1 vit burgim që kishte dhënë gjykata e Fierit për “falsifikim dokumentesh”. Në vitin 2014, Brunilda Dhamo ka qenë anëtare e Komisionit për Testimin e mësuesve në Drejtorinë Arsimore të Fierit. Ajo, së bashku me disa kolegë të saj, janë hetuar dhe dënuar nga Gjykata e Fierit, në 27 qershor 2016, pasi kanë falsifikuar dokumentet dhe kanë bërë një procedurë vlerësimi fiktive për një aplikonte, e cila nuk ishte paraqitur, pasi nuk ishte njoftuar nga struktura përgjegjëse. Të pandehurit e ankimuan vendimin e dënimit. Në janar 2017, trupa gjykuese e Apelit të Vlorës, e kryesuar nga Iliba Bezati e pushon çështjen, duke konstatuar se nuk ekzistonin elementët e veprës penale. Ky vendim, të cilin “Boldnews.al” e ka siguruar të plotë, krijon dyshimet e forta se është marrë enkas për të favorizuar të pandehurit, përfshirë edhe Dhamon.

Vendimi i dënimit

Në vitin 2014, Prokuroria nis hetimin ndaj komisionit të përzgjedhjes së mësuesve në Drejtorinë Arsimore të Fierit, pas denoncimit të një qytetari. Bashkëshortja e kallëzuesit kishte aplikuar për një vend si mësuese e Teknologjisë së Informacionit në shkollën e mesme “Janaq Kilica” të Fierit. Për të njëjtin pozicion kishin aplikuar edhe dy shtetase të tjera. Kallëzuesi deklaron se bashkëshortja e tij nuk kishte marrë asnjë njoftim dhe, rrjedhimisht as nuk kishte marrë pjesë në testim. Por, sipas dokumenteve që ai kishte siguruar, rezultonte që komisioni kishte bërë shënimet, duke e konsideruar pjesëmarrëse në testim dhe e kishte shpallur humbëse. Prokuroria e Fierit, pasi kreu hetimet, mori të pandehur për “falsifikim dokumentesh” anëtarët e komisionit të testimit; Taulant Toska, Filip Çeço, Arben Simaku, Artur Dafa dhe Brunilda Dhamo. Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Gjykata e Fierit i shpalli fajtor dhe i dënoi të gjithë të pandehurit me nga 1 vit burgim, në 27 Qershor 2016.

Apeli

Të pandehurit ankimuan vendimin në Gjykatën e Apelit të Vlorës. Trupa gjykuese, e drejtuar nga Iliba Bezati vendosi pushimin e çështjes, në janar 2017, me argumentin se “nuk ekzistojnë elementët e veprës penale”. Gjykata e Apelit, megjithëse ka pranuar që dokumentet e hartuar nga komisioni i testimit janë fiktivë, gjithsesi ka arritur në përfundimin se nuk ka “falsifikim”. Trupa e Apelit ka pranuar se dokumentet e plotësuar nga komisioni i Testimit në Drejtorinë Arsimore, Fier janë plotësuar pa u marrë në testim kandidatja kallëzuese. Por, në vendim, gjykata e Apelit i konsideron këto dokumente fiktivë si “referenca” për vendimin e komisionerëve, por jo akte zyrtare. Gjykata e Apelit nuk jep asnjë shpjegim, se përse komisioni, me anën e këtyre akteve, ka shënuar se e ka marrë në testim dhe intervistë kandidaten kallëzuese, në një kohë që ajo rezulton se nuk ka qenë në Shqipëri në periudhën e testimit. E, megjithatë, Gjykata e Apelit të Vlorës vendosi pushimin e çështjes, duke detyruar Prokurorinë e Apelit që të ushtrojë rekurs në Gjykatën e Lartë. Kjo dosje është, për më shumë se 2 vjet në “fazën e studimit të çështjes” në Gjykatën e Lartë, për shkak edhe të problematikave që ka ky institucion me procesin e Vettingut. Me vendimin e Apelit në favor të saj, Brunilda Dhamo nisi ngjitjen e shkallëve në karrierë. Fillimisht ajo emërohet Drejtoreshë e Arsimit në Lushnje. Së fundmi, ajo është emëruar drejtoreshë e Arsimit për të gjithë rajonin e Jugut të Shqipërisë.