Partneriteti Shqipëri-USAID, Presidenti Begaj: Bashkëpunimi ndër vite ka fuqizuar përpjekjet tona për të ndërtuar një vend më demokratik

139
Sigal

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, mori pjesë sot në ceremoninë e kremtimit të 30-vjetorit të partneritetit mes Shqipërisë dhe USAID-it, një bashkëpunim që ka prekur shumë fusha duke zhvilluar kapacitetet, mbështetur demokratizimin e vendit, si dhe duke sjellë praktikat më të mira ndërkombëtare.

Gjatë ceremonisë, Presidenti Begaj nderoi Zyrën e USAID-it në Shqipëri me titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” me motivacionin “Për kontributin e vyer përmes programeve në shërbim të shtetit, kombit dhe qytetarëve, për konsolidimin e institucioneve demokratike, nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe mirëqeverisjen”.

Kreu i Shtetit theksoi se “projektet në ndihmë të qeverisjes vendore për përmirësimin e shërbimeve apo për administrimin e gjykatave rritën efektivitetin dhe lehtësuan jetën e qytetarëve. Mbështetja e USAID mundësoi angazhim më të madh të aktorëve shoqërorë dhe fuqizim të tyre si avokatë të interesit publik”, u shpreh Presidenti Begaj.

Pjesë nga fjala e Presidentit Begaj:

E nderuar Shkëlqesia Juaj Znj. Yuri Kim,

Të nderuar miq dhe të ftuar,

30 vjet më parë, Shqipëria linte pas diktaturën dhe niste rrugëtimin drejt demokracisë, ndërtimit të shtetit ligjor dhe zhvillimit ekonomik.

Vështirësitë kanë qenë të shumta në këto tri dekada, por po aq e madhe shpresa për një Shqipëri më të mirë; – dhe mbështetja e vendeve mike, që na janë gjendur pranë, gjithmonë dhe pa kushte.

Sot, kam nderin të jem i ftuar për të përshëndetur 30 vjetorin e bashkëpunimit me USAID-in — një nga partnerët tanë më të përkushtuar në këto vite.

Ne i jemi mirënjohës popullit dhe qeverisë amerikane për ndihmën e ofruar dhe mbetemi të përkushtuar për ta forcuar më tej marrëdhënien tonë të partneritetit strategjik; për të eksploruar çdo mundësi politike, diplomatike dhe ekonomike në dobi të popujve tanë.

Mbështetja e qeverisë dhe popullit amerikan përmes programeve të USAID-it ka qenë e vyer për konsolidimin e institucioneve demokratike, nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe mirëqeverisjen.

Kontributi i USAID-it në sektorin privat, biznesin e vogël dhe agro-biznesin, i ka shërbyer këtij sektori për të siguruar jo vetëm financimet por dhe ekspertizën teknike, duke nxitur zhvillimin ekonomik dhe kapacitetet njerëzore të vendit.

Në një kohë kur shumë vende janë prekur nga kriza energjetike, si pasojë e luftës së pajustifikueshme në Ukrainë, ndihma e USAID-it në sektorë strategjikë, si investimi për integrimin e tregut energjetik të Shqipërisë dhe Kosovës, është me rëndësi për integrimin në tregjet evropiane dhe tërheqjen e investimeve private.

Është i lavdërueshëm fakti që programet e USAID-it kanë patur gjithmonë qytetarin në qendër të vëmendjes.

Projektet në ndihmë të qeverisjes vendore për përmirësimin e shërbimeve, apo për sistemin administrativ të gjykatave, jo vetëm kanë rritur eficensën dhe transparencën në veprimtarinë e tyre, por kanë lehtësuar jetën e qytetarëve dhe zvogëluar mundësitë për korrupsion.

Edhe ndihmesa e dhënë në  fushën e shëndetit publik, për reformimin e sistemit parësor, apo menaxhimin e pandemisë COVID-19, ka synuar përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarit.

Fokusi tek grupet e margjinalizuara dhe gratë, veçanërisht në zonat rurale, ka ndihmuar në ndërtimin e një shoqërie më të shëndetshme e gjithëpërfshirëse.

Shoqëria civile luan një rol të rëndësishëm në demokracinë e një vendi. Në tërësi, mbështetja e USAID-it ka mundësuar angazhim më të madh të aktorëve shoqërorë dhe fuqizim të tyre si avokatë të interesit publik.

Kjo është me rëndësi për vendin dhe demokracinë, – sepse ata duhet të jenë forca që shtyn përpara reformat dhe garanton trysninë e nevojshme për një qeverisje të përgjegjshme dhe transparente.

Të nderuar miq dhe të ftuar,

Bashkëpunimi i gjithanshëm ndër vite ka fuqizuar përpjekjet dhe arritjet tona për të ndërtuar një vend më demokratik, institucione më transparente dhe një shoqëri më të angazhuar.

Vlerat demokratike që ne ndajmë, përkushtimi për përparimin ekonomik, paqen dhe sigurinë, në rajon dhe në botë, janë garancia për vazhdimësinë e miqësisë dhe partneritetit tonë.

Duke përgëzuar gjithë ekipin e USAID-it për punën e këtyre 30 viteve, jam i sigurtë se bashkëpunimi dhe arritjet e përbashkëta do të vazhdojnë gjatë në të mirë të qytetarëve tanë.