Partitë e kryetarëve, na rikthyen në komunizëm

364
Sigal

Analizë nga Prof.Dr.Lush Susaj: Në banditizmin politik që kemi ndërtuar e ushqyer me partitë e kryetarëve, ka patur dhe do të ketë vetëm dhunë, varfëri, klane nepotike, bindje, nënshtrim, mbytje të debatit dhe fjalës së lirë. Qeveria e parë dhe e fundit demokratike ka qënë ajo e Ismail Qemalit me 10 ministra, figurat më të ditura të kombit. Qeveria Rama 3, a janë 12 ministret përfaqsueset reale të grave dhe vajzave shqiptare dhe pse problemi real i qeverisjes janë ministrat dhe drejtorët anonimë dhe të korruptuar

Intervistë me  Prof.Dr. Lush Susaj

 Gazeta Telegraf

 Partitë e kryetarëve janë bandat që zhvillojnë banditizmin politik

 

 

Qeveria më e mirë ka qenë e Ismail Qemal Vlorës ku raportet e kontratës sonë shtetërore kanë qenë 5:3:2.  Qeveria e parë dhe e fundit demokratike, ka patur 10 ministra me përfaqësuesit  më të ditur e më kontribues të kombit. 

Ditën e premte mblidhet Kuvendi i Shqipërisë ku  pritet që Presidenti Meta të dekretojë propozimet e Kabinetit të ri të  Qeverisë “Rama 3”. Për këtë qeveri ka shumë diskutime pavarësisht se i është dhënë përparësi gjinisë femërore. Kjo qeveri po formohet në kohën kur papunësia po rritet, shumë tregëtarë të vegjël kanë ulur qepenat, çmimet e shportës janë rritur, sikundër dhe arsimi nuk po del nga kriza. Pra Shqipëria edhe pse ka pranuar afganët po ndjen largimin e të rinjve. Çfarë do të ndodhë me qeverinë e re? A do të miratohet ajo nga Presidenti Meta? Pse dhe si erdhi dorëheqja e deputetëve të PS?  Këto dhe probleme të tjera do t’i gjeni në  intervistën që Prof.Dr.Lush Susaj dha ekskluzivisht për gazetën ‘Telegraf’

 

Qeveria “Rama 3” me plot 12 femra. Pra thyhet një raport mbi 100-vjeçar mes gjinive ku tashmë në qeverinë e re shqiptare dominojnë femrat me mbi 70%. Kjo nismë e Ramës bëhet që të dëshmojë para ndërkombëtarëve se ja si i zbatojmë orientimet gjinore, apo për të mbajtur nën kontroll çdo zë kundër në qeverisje?

 

Së pari: ekipi që na është prezantuar për të na qeverisur në mandatin e tretë (2021-2025), nuk mendoj se ka ndonjë lidhje me ndonjë proces zgjedhor demokratik, e as me ndonjë kontribut apo njohje të veçantë të këtyre personazheve në shkencë, kulturë, bamirësi, administratë dhe teknologji. Së dyti: tek ky ekip nuk shof që të ketë formë, besueshmëri, kohezion social kulturor dhe as ndonjë nuancë gjithpërfshirje e përfaqësimi real të elitës dhe të popullit shqiptar në qeverisjen dhe në administrimin e fateve të vendit. Së treti: për aq sa e njoh unë Shqipërinë, mendoj se për nga intelekti, përfaqësimi dhe kontributi shoqëror e politik, emëri i secilit prej ministrave të propozuar, do të renditej përtej numërit 10000 të listës së intelektualëve, specialistëve dhe politikanëve aktualë që ka Shqipëria. Nga ky këndvështrim, unë nuk shof asgjë të re, nuk shof që të ketë ndonjë mundësi të përmirësimit të qeverisjes e as të sjelljes shtetërore e politike. E gjithë kjo mendoj që ka të bëjë me demagogjinë, me koperturën, me atë shtresën e hollë të kallait që përpiqet që të fshehë dhe mbulojë të vërtetën e një shkatërrimi të mëtejshëm të ekonomisë, mjedisit natyror, strukturave shoqërore të popullsisë dhe çdo arritje demokratike e pluraliste të filluar në vitin 1990, e të mbetur kaq rakitike dhe e pafuqishme përgjatë këtyre 30 viteve pa demokraci dhe pa pluralizëm real. Demagogjia e mëtejshme me gratë dhe kuotat gjinore, është një dëm dhe fyerje e rëndë për gratë dhe gjithë shoqërinë shqiptare. Kjo lloj sjellje na bën edhe më qesharak para botës demokratike, e cila është e mirëinformuar me situatën katastrofike në të cilën ndodhen të drejtat dhe liritë themelore të grave dhe vajzave në Shqipëri. Bota demokratike dhe opinioni shoqëror dhe politik në Shqipëri e njeh shumë mirë edhe kontributin, madje dhe indiferencën e këtyre 12 zonjave për të drejtat dhe liritë themelore të grave dhe vajzave në Shqipëri. E kam fjalën për gratë e lëna pa punë e pa arsimim, të cilat nuk kanë as bukën e gojës për veten e tyre dhe as për fëmijët, të cilët i dërgojnë jashtë vetëm për t’i shpëtuar nga uria dhe mizerja ekonomike e shoqërore që ka shkaktuar banda dhe banditizmi politik i këtyre viteve e dekadave. Pamjet që shofim nga largimi i fëmijëve nga aeroporti i Kabulit, nuk janë asgjë në krahasim me pamjet që kam parë e përjetuar në stacionin e autobuzave tek “Zogu i Zi”. Aty ku nënat e lara në lot dhe prindërit përcillnin fëmijet e tyre të mitur për në kampet e azilit. Mediat flasin për 60000 fëmijë të mitur, por jam i bindur që numëri real është shumë më i lartë. Unë e di që kjo plagë nuk i ka prekë kurrë zonjat pranë qeverisë, e as që janë shqetësuar ndonjëherë.  E kam fjalën edhe për ato gra me fëmijë e burra të gjymtuar që marrin nga 5000 lekë në muaj, e që nuk ju dalin për asgjë. Asnjëra nga këto zonja nuk është shqetësuar dhe nuk e ka ngritur zërin ndonjëherë për politika më të buta, apo për të lenë ndonjë kilometër rrugë korrupsioni, e për të ndihmuar e mbrojtur jetimët dhe gratë pa punë e pa mundësi jetese. Sjell ndërmend edhe ato gratë e dhunuara, të vrara, të trafikuara dhe heshtjen reale të strukturave shtetërore që tentojnë të na paraqiten me fytyrë feministe. Për më tepër nuk di ndonjë reagim apo angazhim dhe arritje publike të këtyre zonjave në këtë drejtim. Për këto e shumë arsye të tjera, unë mendoj se këto 12 gra nuk përfaqësojnë gruan as vajzën shqiptare. Janë përzgjedhur për të qëndruar gojëkyçur, për të zbatuar urdhërat dhe për të firmosur kuturu. Zgjedhja e 12 grave në një kabinet, nuk na bën më të mirë se Hollanda, apo Anglia, apo Norvegjia, etj. Përkundrazi zbulon egoizmin dhe mendësinë e vjetër otomane dhe komuniste, për të sunduar sa më gjatë dhe pa kundërshti e pengesa. Nëse sundimtarët e këtyre 109 viteve do të donin të zbatonin ndonjë raport njerëzor, gjinor apo qytetar në shërbim të kombit, kjo do të fillonte me patjetër me raportin e njohur të qeverisë së vitit 1912, të kryesuar nga Ismail Qemal Vlora. Raportet e kontratës sonë shtetërore kanë qenë 5:3:2. Qeveria e parë dhe e fundit demokratike e gjithë përfshirëse, ka patur 10 ministra me përfaqësuesit më të ditur e më kontribues të kombit. Problemi real i qeverive dhe qeverisjeve tona nuk është dhe nuk ka qënë kurrë kuota gjinore. Problemi real ka qënë dhe vazhdon që të jetë korrupsioni, injoranca, anonimati, krahinizmi dhe ligësia e thellë e njerëzve që na kanë qeverisur në vite e dekada.

Mendoj se këto 12 gra nuk përfaqësojnë gruan, as vajzën shqiptare por janë përzgjedhje personale e Ramës. Problemi real i qeverive dhe qeverisjeve tona nuk është dhe nuk ka qënë kurrë kuota gjinore. Problemi real ka qënë dhe vazhdon që të jetë korrupsioni, injoranca, anonimati, krahinizmi dhe ligësia. Në krye të korrupsionit, gjithnjë janë ministrat, drejtorët dhe sidomos superdrejtorët, mjeshtra të njohur të fiktivitetit

-Këto kohë sipas INSTAT është rritur ndjeshëm papunësia, çmimet e shportës, sikundër dhe varfëria, kush është problemi më i madh shqetësues i 3 qeverive Rama?

Sipas asaj që lexova ditët e fundit, edhe popullsia e Shqipërisë është ulur si kurrë më parë duke arritur në 2,8 milion banorë. Si kurrë më parë është rritur papunësia, varfëria, toka e braktisur, fermat e falimetuara, mjedisi i degraduar, popullsia e dëbuar përmes varfërisë, e sidomos numëri i fëmive të mitur dhe profesionistëve të larguar. Për mendimin tonë, shkaku real i papunësisë, varfërisë, konklikteve sociale, shpopullimit, largimit të fëmive dhe profesionistëve duhet kërkuar tek papunësia që buron nga korrupsioni me projektet, me fondet dhe  me investime. Nuk ka njeri në këtë vend që nuk e di që nga njëra anë BE, SHBA, Banka Botërore, etj, kanë dhënë aq shumë fonde për punësimin dhe mirëqënien. Kurse nga ana tjetër, fondet janë vjedhur përmes korrupsionit. Punëtori shqiptar punon në kanale, në rruga, në fushat e bujqësisë me një pagë turpëruese prej 1000-1200 lekë/ditë, ndërsa në preventivat e korrupsionit dita paguhet me mbi 2500 lekë në ditë. Kontraktorët shqiptarë punojnë duke qënë dora e 6-të apo e 7-të, ndërsa dora e parë dhe dytë e tenderit janë familjarët dhe figurantët e ministrave dhe supërdrejtorave që bëjnë hiletë dhe manipulimet e tenderave dhe projekteve. Projektet në mjedis, bujqësi, industri, arsim, etj, gjithnjë vidhen që në zanafillë, duke i kthyer ato në therrime të punës skllavëruese dhe në mungesë totale të efektivitetit. Korrupsioni është shkatërruesi më i madh i vendeve të punës, mirëqënies dhe gjithë mjedisit shoqëror e politik në Shqipëri. Në krye të korrupsionit, gjithnjë janë ministrat, drejtorët dhe sidomos superdrejtorët, mjeshtra të njohur të fiktivitetit dhe zhdukjes së gjurmëve të hajnisë. Në vitet 2012-2013, Edi Rama fliste aq shumë kundër fiktivitetit dhe korrupsionit, uroj që të kujtohet për ato gjëra që ka folur e premtuar aq shumë. Mbi të gjitha të bëhet i gjallë kundër korrupsionit dhe kthimit sa më parë të investimeve në vende pune dhe në mirëqënie për njerëzit.

Tre dorëheqje të pamenduara që sollën shumë pështjellim në votuesit shqiptar. Dorëhiqet Ruçi, Koka dhe Najada. Këto dorëheqje ishin presion i ndërkombëtarëve apo teka individuale të Ramës apo lufta brenda llojit në gjirin e PS?

Unë mendoj se dorëheqjet e deputetëve pas çertifikimit të rezultatit zgjedhor nuk shërbejnë për asgjë. Kjo sepse deformimi ka ndodhur, Ruçi, Koka, Najada, etj, nuk di të kenë arsye as moshë për t’u bërë pjesë e lojës që synon presion dhe sulme të tërthorta mbi opozitën dhe ish kryetarin e saj Z. Sali Berisha. Janë 8 vite të mbushura me propagandë mbi reformën në drejtësi dhe luftën ndaj krimit dhe korrupsionit shtetërorë. Populli ynë përdor një shprehje të njohur ku thuhet “O fol e mba, o bëj e ha”. Me sa kuptoj unë, me Sali Berishën nuk funksionon demagjia, as presioni politik, as shantazhi, as mesazhet e kodifikuara, as dhuna etj. Me Sali Berishën funksionon dhe bën punë vetëm një proces i mirëfilltë hetimi dhe gjykimi që do të mund të kryhet në kuadrin e një drejtësie të pavarur e ndërkombëtarisht të monitoruar. Nëse (uroj të mos ndodhë), në këto 8 vite është arritur që të mashtrohen kaq shumë shqiptarët, SHBA-ja dhe BE, duke shpërdoruar fondet dhe burimet njerëzore, atëherë kemi të drejtë të themi që kemi të bëjmë me një qeveri kampione botërore të fiktivitetit, korrupsionit dhe të mashtrimit. Për të gjithë ata që kanë ndyrë duartë me krime dhe korrupsion, ose duhet të veprojë drejtësia për të cilën është investuar dhe folur aq shumë, ose abuzuesit dhe drejtuesit e reformës së vjedhur duhet të mbajnë përgjegjësi, apo më së pakti të heshtin përgjithmonë.

Për 12 vjet një opozitë që nuk vjen në pushtet. Cila është mangësia më e madhe e kësaj opozite?

Duhet të bëhemi të ndërgjegjshëm për pasojat e trashëgimisë së komunizmit anadollak, një regjim i pashoq dhe i pa parë në historinë politike të Europës. Të gjithë e dimë që Partia e Punës e sunduar nga kryetari Enver Hoxha (metamorfoza e Partisë Komuniste), ishte dhe funksionoi si parti e kryetarit, e vetëm në shërbim të nevojave dhe të ambicjeve për pushtet dhe pasuri. Në vitin 1990, nuk erdhi as pluralizmi as demokracia. Çdo gjë ishte e sajuar dhe e dirigjuar nga kryetarët dhe pjestarët e lartë të bandës. Më së miri këtë e tregon krijimi i partive të kryetarëve, për kryetarët dhe vetëm në shërbim të ambicjeve të tyre për pushtet, para dhe prona. Në këtë mënyrë është edhe siguruar vazhdimësia e partive të kryetarëve, të cilat ngjajnë dhe funksionojnë si badat, e që zhvillojnë vetëm banditizmin politik. Që do të thotë që, edhe në këto 30 vite, asnjëherë nuk kemi patur demokraci reale, as pluralizëm e as parti politike të pluralizmit. Përkundrazi, gjithnjë kemi patur dhe kemi qeverisje banditeske dhe sjellje e pasoja prej banditizmit politik. Pasojat e partive të kryetarëve apo të banditizmit politik të këtyre viteve e dekadave, Shqipëria do t’i vuajë edhe për 100 vite të tjera. Nuk duhet të harrojmë kurrë faktin që edhe Rilindja e dizenjuar dhe e sunduar prej Edi Ramës, nuk përmban asgjë të re politike. Madje duket si kopja më e shëmtuar e sjelljes dhe e funksionimit të partive apo bandave të mëparshme të kryetarëve. Nëse në PD është filluar një proces reformimi kundër berishizmit dhe gjithë trashëgimisë komuniste, tek Rilindja duket që berishizmi dhe sjellja komuniste ka fituar terren, është ulur këmbëkryq. Unë mendoj se berishizmi si sjellje politike dhe gjithë trashëgimia komuniste, e kanë dëmtuar shumë PD dhe fatet e demokracisë dhe të pluralizmit në Shqipëri. Me shokët e mi, sa herë që Berisha propozonte ministrat, drejtorët, etj, përdornim shprehjen: “E futi dorën në thes dhe nxorri më karabushin”. Kështu ka ndodhur në vite. Kështu po ndodh edhe sot, ku në partitë e kryetarëve, thesi gjithnjë është i mbushur me karabusha (misra pa kokrra), e që po i gradojmë për ministra e drejtora, duke e defaktorizuar shtetin dhe politikën deri në nivelet më të ulëta. Nuk duhet të kemi asnjë mëdyshje që në partitë e kryetarëve, apo në bandat e banditizmit politik, nuk ka patur dhe nuk mund të ketë kurrë një analizë të mirëfilltë për humbjet as për fitoret, as analizë për meritokraci dhe elitarizëm, as analizë për idetë dhe projektet e mirëfillta politike, ekonomike, apo kulturore. Në banditizmin politik që kemi ndërtuar e ushqyer me partitë e kryetarëve, ka patur dhe do të ketë vetëm dhunë dhe klane nepotike, bindje dhe nënshtrim, mbytje të debatit dhe të fjalës së lirë. Mbi të gjitha ka patur e do të ketë një mungesë totale të qarkullimit demokratik të elitave dhe të projekteve të mirëfillta politike dhe ekonomike në Shqipëri. PD dhe partitë e tjera, duhet që të reformohen, të bëhen hapësira të njerëzve të lirë. PD duhet të çlirohet sa më parë nga trashëgimia e banditizmit politik apo kancerit të politikës dhe funksionimit të shtetit në Shqipëri.

– Komentohet se në gjirin e qeverisë së re ka anëtarë që janë përfolur për korrupsion dhe blerje votash. A do ta dekretojë Presidenti Meta këtë qeveri?

Ndonëse jam mosbesues për kualitetin e këtyre ministrave apo ish super drejtorave, mendoj se nuk është koha për skupe e as për bllofe e tensionime të situatës politike në Shqipëri. Opinioni e di shumë mirë që një pjesë e këtyre ministrave që na ofrohen si të pastër e të ri, kanë shërbyer si superdrejtora dhe shpërdorues e manipulues të proceseve elektorale, të fondeve të projekteve dhe investimeve që nuk u realizuan kurrë si duhet etj. Një pjesë e këtyre superdrejtorave që po bëhen ministra, përfolen dhe konsiderohen si mjeshtrat më të talentuar të zhdukjes së provave dhe të kopsitjes së dosjeve fiktive të vjedhjes së projekteve dhe investimeve. Nga ky kënvështrim, jam mosbesues dhe i shqetësuar për fatin e trishtë që i pret projektet dhe investimet e katër viteve të ardhshme në fushat e mjedisit, të bujqësisë, të arsimit, të kulturës, të industrisë minerale, të energjitikës, etj. Pavarësisht nga sa më sipër, është koha që presidenti të inkurajojë funksionimin dhe zbatimin e ligjit, duke vepruar në përputhje me kushtetutën e vendit. Për aq kohë që nuk do të veprojë pavarësia e pushteteve dhe drejtësia e pavarur, çdo karabushi të propozuar, i duhen bërë adetet (siç thotë populli) e emërimit dhe katapultimit mbi kolltuk. Duket që na është bërë traditë ligjerimi i varjes së “mëlçive” në “qafën e ujqërve” dhe humbja pa fund e shanseve dhe momenteve të rëndësishme historike. (vijon)