Paloka: Të futen në kalendar dhe të miratohen amendamentet e opozitës

449
Sigal
Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka thënë në një deklaratë për shtyp se dy amendamentet e opozitës të futen në kalendar dhe të miratohen. Paloka u shpreh se dy amendamentet e opozitës lidhen me dekriminalizimin, i cili ndalon deputetë që kanë kryer vepra të rënda të futen në parlament. Ndërsa amendamenti i dytë lidhet me funksionimin e Komisioneve Hetimore.
Prononcimi i Edi Palokës
“Grupi diskutoi dhe një herë për gati dy orë lidhur me çështjet kryesore që kemi ngritur tashmë dhe që mishërohen në dy amendamentet që kemi paraqitur në parlament. Një, që lidhet me ligjin për dekriminalizimin dhe që ndalon deputetë apo zyrtarëve të tjerë të cilët, janë kapur në flagrancë duke kryer krime të rënda ndaj jetës së njeriut siç janë plagosjet apo vrasjet, pra i ndalon të vazhdon të vazhdojnë jetën e tyre apo të kryejnë funksionet e tyre zyrtare deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës, pasi siç e dini të gjithë u bëmë dëshmitarë të një akti të paprecedentë, kur një deputet i mazhorancës i akuzuar për plagosje të disa qytetarëve, u shfaq papritur në Parlament me bekimin e Ramës, duke vënë jo vetëm Parlamentin në pozita të vështira por besoj dhe miqtë tanë ndërkombëtarë që kanë investuar aq shumë në ligjin për Dekriminalizimin. Pra për ti vënë fre, për të ndaluar që akte të tilla mos të ndodhin më, as në parlament dhe në asnjë institucion tjetër zyrtar, ne kemi paraqitur këtë amendament dhe do të vazhdojmë ti qëndrojmë fort këtij amendamenti.
Amendamenti i dytë lidhet me funskionimin e komisioneve hetimore. Siç e dini, ka një marëveshje të ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët midis mazhorancës dhe opozitës për zbatimin e kushtetutës lidhur me komisionet hetimore, Kushtetutë e cila e detyron mazhorancën kushdo qoftë ajo, ti miratojë komisionet hetimore dhe ti bëjë ato funksionale në mënyrë që, opozitës ti jepet kështu e vetmja mundësi që ka për të hetuar rastet e korrupsionti apo çdo lloj rasti tjetër që parashikon kushtetuta. Kjo marëveshje është shkelur në një farë mënyrë nga mazhoranca sepse pavarësisht se kanë pranuar ngritjen e komisioneve hetimore, i kanë penguar ato në forma të ndryshme dhe forma nga më bajatet, ku më e zakonshmja është përdorimi i kuorumit për të bllokuar komisionet hetimore. Për këtë arsye ne kërkojmë që kuorumi të mos jetë më faktor në vazhdimin e punës së komisionit. Sigurisht, mazhoranca mbetet mazhorancë dhe do të ketë qëndrimin e saj në parlament, por të paktën të lejohet funskionimi i komisioneve.
Pika tjetër po kaq e rëndësishme e disktutuar nga grupi është ajo e zbatimit të vendimit të gjykatës kushtetuese, e cila gjithashtu bën pjesë në marrveshjen e miratuar së bashku nga mazhoranca dhe opozita.
Kemi tashmë tri raste të shkeljes së ligjit të konfliktit të interesave dhe të Kushtetutës, tri raste kur deputetë të mazhorancës kanë përfituar haptazi fonde publike; rasti i Koco Kokëdhimës, për të cilin ai është përfitues direkt i këtyre fondeve dhe rastin e zonjës Leskaj dhe deputetit Suli, të cilët kanë përfituar fonde publike, nëpërmjet fëmijëve të tyre. Të tri këto raste, janë raste në të cilat deputetët kanë shkelur kushtetutën dhe sipas Kushtetutës dhe ligjit për konfliktin e interesave, këta deputetë jo vetëm duhet të dorëzojnë mandatin e tyre, por pse jo në një të afërme të shpejtë, ne do të shohim edhe variantin e ndjekjes penale të tyre, pasi ne vërtet flasim shumë për rastet kur kriminelë ordinerë kryejnë aktin dhe pastaj bëhen deputetë, por shkelja e Kushtetutës nuk mendoj që është një krim më i vogël. Sidoqoftë, këto janë qëndrime që do ti shohim së shpejti. Ajo që ka rëndësi, është që parlamenti nesër, në radhë të parë Konferenca e kryetarëve, sipas detyrimit që ka me rregullore, këto cështje t’i fusë në kalendarin e punimeve të Parlamentit dhe pastaj, sigurisht ajo që mbetet dhe që është çështje parimore, është miratimi i amendamenteve dhe i zbatimit të vendimeve të Gjykatës kushtetuese.