Pajtim Bello: “Arsyet që po çojnë drejt falimentimit Minierën e Bulqizës dhe keqmenaxhimi nga METE”

529
Sigal

INTERVISTA/Flet ish- zëvendësministri i Ekonomisë Pajtim Bello, për situatën në miniera

Minierës së kromit të Bulqizës po i vjen fundi, pasi janë bërë dy transferime të lejeve konçesionare dhe në këto transferime nuk është bërë asgjë pozitive. Një fakt të tillë e bën të ditur në një intervistë për “Telegraf”, ish- zëvendësministri i Ekonomisë Pajtim Bello. Sipas zotit Bello, një rol negativ në shkatërrimin e minierës së Bulqizës ka luajtur edhe puna e keqe që bëri ACR-ja, në kohën që e kishte në konçesion minierën. “Puna që ka bërë ACR është shumë e keqe. ACR ka bërë vetëm pjesën që i takon për interesat e veta. Ka shfrytëzuar barbarisht rezervat e mineralit të kromit që relativisht kanë qenë të hapur dhe përgatitura. Pra, pa bërë investime ka shfrytëzuar qindra mijëra ton krom të pasur, ka siguruar fitime të majme dhe i ka transferuar ato jashtë Shqipërisë pa investuar për hapjen e thellësisë së minierës, kusht ky i kontratës koncesionare ose më mirë qëllimi i dhënies me koncension të kësaj miniere”, u shpreh Bello.

 -Para disa ditësh u bë shitja për herë të dytë e konçensionit të minierave, cilat janë anët pozitive dhe negative?

– Për Minierën e kromit Bulqizës janë bërë dy transferime të lejes koncensionare. Në këtë veprimtari nuk asgjë pozitive, përkundrazi çdo gjë është e zezë!.. Po ta analizosh me kujdes çfarë ka ndodhur, duket qartë se Qeveria dhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE) kanë zhvilluar një lojë juridike të pistë (kriptogram juridik), përmes së cilës kërkojnë të fshehin përgjegjësinë mbi dështimin e koncesionit, mbi keq administrimin e kësaj pasurie qindra milionë euro, për mbylljen e perspektivës së Minierës së Kromit Bulqizë, për fikjen e jetës së Qytetit minator të Bulqizës dhe për gjithë ato jetë minatorësh të humbura në këtë minierë. Nga njëri transferim i lejes tek tjetri gjendja e minierës është vështirësuar dhe tashmë miniera numëron muajt e fundit të jetës së vet. Loja e transferimeve i ka kushtuar buxhetit të shtetit, iu ka kushtuar minatorëve dhe gjithë shqiptarëve. E keqja nuk ka përfunduar dhe duket se do të zgjasë përsëri. Kjo deri ditën kur të mbyllet miniera, që ka gjasa të ndodhi shumë shpejt. Gjithçka ka ndodhur përbën një përgjegjësi të pashembullt dhe flet për një keqmenaxhim të pasurive minerale nga Qeveria dhe nga METE.

 – Ju thoni se ka përgjegjësi për këtë gjendje? Ku, kush dhe si?

-Përgjegjësia është e dukshme dhe dëmi ekonomik që sjell kjo përgjegjësi është shumë i madh, për sot dhe në të ardhmen. Në transferimin e koncesioneve ka shkelje të Ligjit “Për Koncensionet”. Ka shtyrje të afateve të investimeve përtej kufirit kohor që është përcaktuar në Kontratën e koncensionit të miratuar nga Parlamenti, ka amendime të Kontratës koncensionare që bien ndesh me ligjin e sipër përmendur. Të gjitha këto veprime janë bërë me firmën dhe nën përgjegjësinë e një ministri, kur duhet të ishin miratuar në Parlament si edhe vetë kontrata bazë. Kjo është përgjegjësi e drejt për drejtë qe ka sjellë pasoja të rënda për fatin e minierës dhe për të gjithë kontratën e koncesionit. Përgjegjësia është direkte tek ministri që ka bërë amendimet dhe tek të gjithë ministrat pasues të METE-s, të cilët kanë vazhduar me të njëjtin stil të keqmenaxhimit të kësaj kontrate. Të gjithë njeri pas tjetrit kanë shkelur ligjin dhe kanë shkaktuar një dëm ekonomik, prandaj kanë përgjegjësi ligjore të drejtë për drejtë.

 -Por me sa di një hetim i prokurorisë ka thënë se, në këtë veprimtari nuk ka shkelje dhe përgjegjësi ligjore? Ju përse mendoni ndryshe?

-Unë kam dëgjuar në media se prokuroria ka thënë se, ka tejkalim kompetencash prej ministrit, por nuk provohet dëm ekonomik dhe në këtë kuadër nuk paska vepër penale. Nejse gjithsesi ky është vlerësim i prokurorisë dhe unë gjykoj si specialist. Nëse ka tejkalim të kompetencave është vështirë të pranosh se, nuk ka shkelje të ligjit. Më tej hetimi administrativ apo edhe penal duhet të shikojë në çfarë rrethanash apo kushtesh të emergjencës justifikohet tejkalimi i kompetencës, pra përse është shmangur Parlamenti? Kalimi i amendimeve në Parlament do të kërkonte një rishikim dhe shtrim në themel të çështjes dhe mund të parandalohej përkeqësimi i mëtejshëm i gjendjes së minierës. Ndërkohë, lidhur me provimin e dëmit ekonomik do të duhej një ekspertizë specialistësh, sepse në fund të fundit që nga dita e atyre amendimeve gjendja ka ardhur në përkeqësim të ndjeshëm. Nuk di nëse ka dëm ekonomik më të madh se dëmtimi i perspektivës të Minierës së Kromit Bulqizë, fakt ky i pranuar zyrtarisht edhe nga institucione shtetërore!… Kështu që unë i mbetem mendimit që ka përgjegjësi, përgjegjësia është e dukshme, përgjegjësia ka sjellë dëm ekonomik shumë të madh, dëm ky me të cilin do të ballafaqohemi e do të përballemi në një apo dy  vitet që vijnë.

 -ACR nuk ka realizuar 13 milionë euro nga plani i detyrueshëm i investimeve, që kryesisht kanë të bëjnë me hapjen e thellësisë. Si do e cilësonit punën e bërë nga kjo kompani?

– Puna që ka bërë ACR është shumë e keqe. ACR ka bërë vetëm pjesën që i takon për interesat e veta. Ka shfrytëzuar barbarisht rezervat e mineralit të kromit që relativisht kanë qenë të hapur dhe përgatitura. Pra pa bërë investime ka shfrytëzuar qindra mijëra ton krom të pasur, ka siguruar fitime të majme dhe i ka transferuar ato jashtë Shqipërisë pa investuar për hapjen e thellësisë së minierës, kusht ky i kontratës koncesionare ose më mirë qëllimi i dhënies me koncension të kësaj miniere. Mund të themi se ACR nuk ka shfrytëzuar mineral kromi por e ka “vjedhur” mineralin e kromit. Në këto kushte ministria dhe personalisht ministri aktual nuk duhet të transferonte koncesionin, por të shikonte problemin në themel. Nëse do të kishte vepruar siç ia kërkon detyra do të caktonte masa për zgjidhjen e kësaj situate dramatike dhe do të kishte penalizuar koncensionarin që u largua. Nuk mund që koncensioni të merrte edhe një thes me lekë nga transferimi i koncesionit, dhuratë kjo nga Ministri i Ekonomisë.

 – Është folur për një Mafie të Kromit? Ju a kini një opinion mbi këtë çështje?

– Ajo që unë mund të them është se veprimtaria në sektorin e kromit ka dukuri dhe fenomene që plotësojnë mozaikun e një veprimtarie të tipit mafioz. Nëse lexon librat, ku flitet për veprimtari ekonomike ku është e pleksur mafia do të gjesh se kjo veprimtari shpesh kryhet pa leje nga shteti, në disa raste del jashtë kontrollit të institucioneve shtetërore, në punët konkrete shikon të punojnë të miturit(fëmijë nën moshë e punës), punohet në të zezë, ka përplasje me armë të grupeve rivale, deri në vrasje me vdekje, për ndarje të territoreve të veprimtarisë të një fushe respektive dhe të tregjeve etj.. Këto shenja janë të dukshme edhe në veprimtarinë e sektorit të kromit, besoj se Ju dhe opinion ynë është njohur me dhjetëra raste. Mjafton t’iu kujtoj se në stoqet e Bulqizës janë aksidentuar fëmijë dhe gra sepse në fakt mafia e blen mjerimin dhe e blen lirë duke rrezikuar edhe jetët e njerëzve pa kursyer edhe jetët e fëmijëve!… Por e keqja është se kjo veprimtari kryhet nën hundën, dhe sytë e Qeverisë dhe institucioneve të sajë. Kjo është kaq e dukshme sa që me të drejtë ne mendojmë se kjo veprimtari ka bekimin dhe kujdesin e qeverise, përfshi institucionet e veta. Kjo është një vulë e shëmtuar, por ndërkohë është një realitet i pamohueshëm.