OSBE ngre shqetësimin: ‘ Nuk ka kuadër ligjor për zgjedhje me një kandidat’
Vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR të angazhuar në misionin e Vëzhgimit të Zgjedhjeve Vendore në Shqipëri kanë publikuar një raport të përkohshëm lidhur me situatën politike në të cilën ndodhet vendi si dhe pritshmëritë për zgjedhjet e 30 Qershorit. Raporti evidenton se zgjedhjet për kryetarë bashkie dhe anëtarë të këshillave bashkiakë në 61 bashkitë po mbahen në kushtet e një ndarjeje të thellë politike mes Partisë Socialiste (PS) në pushtet dhe Partisë Demokratike (PD) në opozitë, së bashku me Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI), ku këto të fundit janë tërhequr nga Parlamenti në muajin shkurt. “Zgjedhjet për kryetarë bashkie dhe anëtarë të këshillave bashkiakë në të gjitha 61 bashkitë po mbahen në kushtet e një ndarjeje të thellë politike mes Partisë Socialiste (PS) në pushtet dhe Partisë Demokratike (PD) në opozitë, së bashku me Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI), ku këto të fundit janë tërhequr nga Parlamenti në muajin shkurt. Partitë opozitare të udhëhequra nga PD-ja kanë organizuar protesta të vazhdueshme, në shumë prej të cilave u vu re prania e dhunës, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. PD-ja dhe LSI-ja, ashtu si edhe disa parti më të vogla opozitare nuk marrin pjesë në zgjedhje. Në 31 bashki, kandidatët e PS-së për kryetarë bashkie garojnë pa kundërshtarë. Më 10 qershor, Presidenti dekretoi shfuqizimin e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve. Më 11 qershor, PS-ja inicioi një debat në Parlament në lidhje me vlefshmërinë e dekretit që shfuqizonte dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe shkarkimin e mundshëm të Presidentit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vazhdon përgatitjet për zgjedhjet. Fushata zyrtare filloi më 31 maj. Përveç kandidatëve për kryetarë bashkie, dy koalicione, njëri i udhëhequr nga PS-ja dhe tjetri nga Partia Aleanca Kuq e Zi, si dhe 14 parti që garojnë më vete, kanë paraqitur kandidatë për këshillat bashkiakë. Ndonëse fushata mbetet përgjithësisht me fizibilitet të. Sipas raportit paraprak të publikuar dje nga OSBE, lidhur mbi situatën politike në të cilën ndodhet vendi si dhe pritshmëritë për zgjedhjet e 30 Qershorit, në një aneks të këtij raporti, OSBE ngre shqetësimin se s’ka kuadër ligjor për zgjedhje me një kandidat, pa kundërshtarë. “Disa dispozita të Kodit Zgjedhor mbeten të hapura ndaj interpretimeve të ndryshme dhe kanë qenë objekt ankesash në KQZ dhe në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit të Tiranës (Kolegji Zgjedhor), si për shembull sa i përket çështjes së legjitimitetit për të apeluar vendimet e KQZ-së dhe procedurat për tërheqjen e kandidatëve. Nuk ekzistojnë dispozita specifike për zhvillimin e zgjedhjeve pa kundërshtarë.”, thuhet në një pjesë të raportit.



















