Opozita të përgatitet për betejë të fortë!

226
Sigal

Nga Lefter Maliqi

Opozita të përgatitet për betejë të fortë.
Ku duhet të fokusohet loja dhe diplomacia e saj politike?
Objektivi kryesor për kombin, për jetesën politike dhe pluralizmin në nivel vendor por jo vetëm janë zgjedhjet lokale të shpejta.
Me bindjen që Komisioni i Venecias do të shprehet në mbështetje të pluralizmit politik dhe se Gjykata Kushtetuese do mbajë integritetin dhe pavarësinë e saj duke iu rikthyer shqiptareve pluralizëm dhe demokraci vendore si e drejtë themelore, opozita duhet të jetë zëri protagonist në këtë betejë, kërkuese dhe imponuese e ribërjes së zgjedhjeve vendore.
Nuk duhet parë interes partie por interes për demokracinë e vendit.
Me këtë kalë beteje, pra të ribërjes se zgjedhjeve vendore një ore e më parë opozita duhet të kushtëzojë dhe pozicionojë aktivitetin parlamentar.
Sigurisht që objektivi tjetër është reformimi i sistemit zgjedhor. Shqiptarët duhet të kenë një sistem që t’u vlerësohet vota dhe një sistem të qëndrueshem dhe jo të ndryshojë çdo 4 vjet nga partia në pushtet. Këtë gjë ka kërkuar dhe mazhoranca. Por opozita duhet të jetë konstruktive në këtë reformë, dhe ti mbahet kushtit për ribërjen e vendoreve.
Objektiv tjetër i përbashkët mazhorancë-opozitë është integrimi vendit në BE.
Opozita duhet të jetë konstruktive dhe mbështetëse që ky qëllim të realizohet për interes të shqiptarëve. Por edhe këtu mendoj se opozita duhet të japë mbështetje mazhorancës duke mos hequr dorë nga kërkesa për ribërjen e zgjedhjeve vendore, legjitimiteti të cilave është kërkesë e SHBA dhe BE.
Por a është e gatshme opozita?
Edhe pse kemi një mazhorancë arrogante, besoj shumë se populli, opozitarët janë më shumë të gatshëm se kurrë për tu ballafaquar në zgjedhje. Këtyre u ka munguar oferta dhe kjo duket qartë në zërin dhe pakënaqësitë e qyetarëve dhe opozitarëve në çdo bashki të vendit. Jeta politike në këto bashki jo pluraliste është shumë e varfër, është jo transparente dhe mbi të gjitha nuk prodhon të mira dhe shërbime publike për qytetarët.
Ndaj këto rrethana më bindin se opozitën e qytetarëve duhet ta udhëheqë opozita politike, e cila duhet të testohet me zgjedhjet vendore që duhen ribërë.
Pushteti vendor duhet balancuar edhe politikisht ndërmjet mazhorancës dhe opozitës, por duhet balancuar edhe brenda vetes, me pluralizmin në këshilla bashkiakë. Kjo na çon në një erë të re të demokracisë vendore që humbem para dy vitesh me votimet moniste të 30 qershorit 2019. Fitorja e zgjedhjeve lokale i paraprin, nxit dhe motivon më pas zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme parlamentare.
Vjeshtë e nxehtë?
Në vjeshtë duhet të nisë betejë e fortë e përballje në Parlament për objektivat që përmenda më sipër. Çdo konsensus duhet të konsiderohet në shërbim të vendit.
Nëse mazhoranca do vazhdojë sjelljen arrogante atëherë opozitës i ka ngel rruga tjetër. Riorganizim i protestave kudo, riorganizim i strukturave nga Vermoshi në Konispol, duke futur shpresën, besimin, optimizmin tek çdo shqiptar dhe tek qindra mijrëa socialistë të zhgënjyer. Konsesus vetëm per integrimin dhe reformën zgjedhore duke demaskuar masakrën elektorale të 25 Prillit.
Koha të ndalim shpopullimin, varfërinë, krimin, korrupsionin, drogën. Koha të zhbllokojmë institucionet dhe drejtësinë e kapur. Koha të kthejmë policinë në shërbim të publikut dhe jo të partisë shtet. Uragani popullor s’duhet të ndalet.