Opozita në parlament: Ky është vend krimi

623
Nis seanca e parë parlamentare për vitin 2018, deputetët i numërojnë dështimet qeverisë “Rama 2”
Në nisjen e seancës së parë parlamentare për vitin 2018 nuk munguan reagimet e opozitës duke fajësuar kryeministrin e vendit Edi Rama, i cili në 18 dhjetor 2017 shkeli në mënyrë flagrante Kushtetutën e vendit duke zgjedhur në mënyrë të padrejtë Kryeprokuroren e Përgjithshme të përkohshme Arta Markun. Sakaq Seanca u ndërpre për 5 minuta dhe në rifillim të saj kryetari i PD Lulzim Basha dhe kryetari i grupit Spaho i kërkuan Gramoz Ruçit që të fuste në kalendar amendamentet që u depozituan për ndryshimet Kushtetuese për zgjedhjen e Kryeprokurorit. Ruçi u përgjigj duke deklaruar se do i njoftonte në fund të seancës, ndërsa opozita vendosi që të bojkote votimin.


Lulzim Basha: Krimi kushtetues u paralajmërua nga PD
“Ky krim kushtetues u paralajmërua nga opozita, u paralajmërua nga PD. E vetmja mënyrë për ta garantuar këtë pushtet, e vetmja mënyrë për të garantuar paprekshmërinë e kriminelëve me të cilët Edi Rama erdhi në pushtet dhe mbahet në pushtet, është kapja e institucioneve, shkelja e Kushtetutës dhe shkelja e ligjit. Autokracitë nuk kanë rrugë tjetër”, theksoi Basha në fjalën e tij. “Autokratët e lidhur me krimin aq më pak. Kapja e shtetit është forma më e avancuar dhe e fundit e autokracive kriminale para se të shkatërrohen nën peshën e zullumit të tyre. Qëllimet e kapjes së Prokurorit të Përgjithshëm nga Edi Rama janë të qarta për këdo. I dyshuari për pastrim të parave të Saimir Tahiri, Orest Sota, i kapur në flagrancë me 863 mijë euro, u lirua dhe nuk është sot në qeli. Nga ana tjetër, po bëhen sforco dhe përpjekje të mëdha për të ndaluar hetimet në adresë kryetarit të Bashkisë së Durrësit, një njeriu që është shndërruar në simbolin e kapobandës së Durrësit, Vangjush Dakos dhe Qazim Sejdinit dhe klanit të tij, që para disa javësh goditi makinat e policisë me vullnetin dhe mbrojtjen e krimit. Ish deputetit të mazhorancës Mark Frroku dhe anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal “Xibraka”, fabrikës së kokainës ku ka dyshime të forta për përfshirjen e familjarëve të afërt të Kryeministrit, iu ul dënimi në mënyrë lehtësuese dhe prokuroria nuk mori mundimin ta kundërshtojë. Disa çështje të tjera të trafikut të drogës dhe të kriminelëve më në zë si Emiljano Shullazi me shokë, kanë marrë kthesa të forta drejt mbylljes apo dështimit të tyre. Ekonomia është në kolaps. Gjatë vitit 2017, 12 960 subjekte falimentuan me një shpejtësi prej 1 mijë e 80 biznesesh në muaj”, tha ndër të tjera Basha. 
Sali Berisha: Krimi kërcënon fjalën e lirë, poshtërohet media duke e quajtur “kazan”
Ish kryeministri Sali Berisha ka denoncuar në seancën e djeshme parlamentare duke përmendur përplasjet e kryeministrit me gazetarët. “Kjo fyerje kolektive, ky poshtërim kolektiv, ndaj një grupi vajzash e djemsh që informojnë publikun, përbën një ndër aktet më të pashembullta të paranojës, të skizës, të kulturës staliniste. Të vërsulesh ndaj mediave të vendit me fjalën “kazan” do të thotë se ke përzgjedhur fyerjen më të rëndë se çdo përmbajtje e veçantë e kazanit, se kafshërisht nuk kënaqesh me etiketimin me një nga përmbajtjet, por do të vërsulej mbi ta çdo përmbajtje që ka kazani. Kam kërkuar e kërkoj një rezolutë, e cila do të titullohet: Rezoluta e llum-kazanit, duhet të dënojë para shqiptarëve dhe mbarë botës njeriun që mban postin e kreut të ekzekutivit dhe përdor fuqinë e këtij posti për një ofendim të tillë kolektiv që e dëgjon vetëm në spitalet psikiatrike nga të sëmurët më të degraduar. Përveç kësaj një akt të shëmtuar kemi parë ne këtë javë, ku një gazetare pati kurajën dhe denoncoi vëllanë e Ramës si eksponent të bandës së Xibrakës ç’ka kam sjellë fakte këtu në mënyrë të përsëritur, i dërgon Gaz Demin për ta kërcënuar një zonjë, një nënë, një vajzë për fjalën e lirë dhe kur ajo me vullnet i hodhi poshtë, i dërgon Gëllçin t’i presë rrogën”, theksoi Berisha. 

Fatmir Mediu: Ta nisim këtë sesion të ri duke ndrequr gabimet
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, në nisje të sesionit të ri parlamentar iu bëri thirrje deputetëve të Kuvendit që të respektojnë kushtetutën dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë. Ai tha se parlamenti duhet ta nisë punën duke korrigjuar shkeljet dhe antikushtetueshmërinë. “Uroj që ky parlament të kthehet si parlament i qytetarëve shqiptare sepse deri tani është vetëm për interesa korruptive të drejtuar nga qeveria. T’i kthehet deputetëve dhe jo thjeshtë qeverisë, e cila e kontrollon nëpërmjet mazhorancës. Për më keq e thashë dhe në mbledhjen e byrosë, është shumë e rëndësishme të themi se ky parlament nuk mund të jetë i gardës së republikës. Aktet si aktet e dhjetorit jo vetëm janë të papranueshme por duhet të jenë të dënueshme. Së treti të kuptojmë rolin kushtetues, të respektojmë kushtetutën. Kushtetuta nuk është një paçavure që mund të shkelet në ço kohë, por mbron të drejta e qytetarëve.”, theksoi Mediu në fjalën e tij. Sakaq Mediu akuzoi parlamentin se ka kohë që nuk do t’ia dijë për vendimet e gjykatës kushtetuese.
Sigal