Presidenti Meta përshëndet Mesazhin e Paqes të Atit të Shenjtë, Papa Françeskut

420
Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë dje në veprimtarinë e prezantimit të Mesazhit të Paqes së Atit të Shenjtë, Papa Françesku: “Emigrantë dhe refugjatë: Burra dhe gra në kërkim të paqes”, që u zhvillua në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”. Në përshëndetjen e tij Presidenti i Republikës u shpreh: “Përfitoj nga ky rast i mrekullueshëm që t’i drejtoj Atit të Shenjtë, Papa Françeskut falënderimet më të sinqerta dhe mirënjohjen më të thellë në emër të popullit shqiptar për mesazhin e Tij drejtuar mbarë njerëzimit në fillim të këtij viti lidhur me festimet e Ditës Botërore të Paqes 2018! Ati i Shenjtë, Papa Françesku i konsideron shkaqet e këtij problemi: së pari, tek luftërat, konfliktet, gjenocidet dhe pastrimet etnike, që i detyrojnë njerëzit të largohen nga vendet e tyre; së dyti, tek dëshira e njerëzve për një jetë më të mirë dhe; së treti, tek varfërimi si pasojë e degradimit të mjedisit dhe katastrofave natyrore. Për shkaqe sigurie, diskriminimi, gjenocidesh apo pastrimesh etnike, në trojet shqiptare kanë hyrë komunitete të huaja. Ato janë mirëpritur e mbrojtur, garantuar dhe integruar në shoqërinë shqiptare. Mikpritja dhe bujaria, këto dy vlera madhore të identitetit shqiptar janë demonstruar si rrallëherë në botë edhe në çështjet e emigracionit dhe të refugjatëve. Nuk do të ndaloja vetëm në mikpritjen që ne i bëmë 1 milion qytetarëve të Kosovës në pranverën e vitit 1999, por do veçoja mikpritjen e jashtëzakonshme gjatë Luftës së Dytë Botërore të shumë hebrenjve. Si shqiptar jam ndier jashtëzakonisht krenar kur kam vizituar Muzeun kushtuar Holokaustit, Yad Vashem, kur kam parë në hartën e Evropës për çdo shtet numrin e hebrenjve para dhe pas Luftës së Dytë Botërore”, theksoi Meta. Si President i Shqipërisë Meta vlerësoi rolin e Shqipërisë në fushën sociale, etno-kulturore dhe fetare.