Olta Xhaçka heq pasaportat diplomatike për kuqezinjtë

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme i ka hequr pasaportat diplomatike pjestarëve të kombëtares së futbollit në 2016, 5 vite pas akordimit. Në atë kohë me një VKM qeveria vendosi të nderonte kuqezinjtë, të cilët për herë të parë kualifikuan kombëtaren në Europianin e Francës.

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka thotë se vlefshmëria e pasaportave biometrike, mbaron siç mbaron vlefshmëria e çdo dokumenti identifikimi që përdoret në shtetin shqiptar.

‘Shumë zhurmë për asgjë! Vlefshmëria e pasaportave diplomatike mbaron, siç mbaron vlefshmëria e çdo dokumenti identifikimi që përdoret në shtetin shqiptar, qofshin këto pasaporta apo karta identiteti. Ajo që nuk ka mbaruar e nuk do të mbarojë kurrë është mirënjohja e çdo shqiptari dhe e shtetit shqiptar për ekipin e heronjve të kombëtares që u kualifikuan e luajtën me dinjitet në Europianin 2016, duke i bërë krenarë shqiptarët kudo që jetojnë. Është kjo arsyeja, përse djemtë tanë, sipas rregullave duhet të dorëzojnë deri me datë 30 qershor pasaportat e marra asokohe, por ama asnjë prej tyre nuk do të humbasë statusin e fituar me aq të drejtë në 2016’,– shkruan Xhaçka në një postim në rrjetet sociale.

Sigal