Debati për foton e Ramës me Obamën: Pyetjet në gjykatë për Bilal Shehun

431
Sigal

Zëri i Amerikës siguron pyetje përgjigjet në prokurorinë e Nju Xhersit të shtetasit shqiptaro-amerikan Bilal Shehu, i cili dyshohet se mundësoi foton. Paratë që derdhi për fushatën e Obamës u nisën nga Shqipëria. Rama mohon të ketë ofruar para.

Në Shqipëri është rikthyer debati rreth një foto të kryeministrit aktual Edi Rama me presidentin Barack Obama, të realizuar në vitin 2012. Çështja u rihap pasi qytetari amerikan me origjinë shqiptare Bilal Shehu, i cili mendohet se ndihmoi në atë kohë zotin Rama, kryetar i opozitës, të realizonte foton, pasi kishte derdhur 80 mijë dollarë kontribute për fushatën e presidentit Obama, pranoi se kishte shkelur ligjet amerikane. Zëri i Amerikës ka mësuar se burimi i parave ka qenë nga Shqipëria. Në përgjigje të akuzave të opozitës, kryeministri Rama hodhi poshtë çdo akuzë për kryerjen e veprimeve financiare për realizimin e fotos.

Nga procesi i pyetjeve rezulton se financimi për fushatën do të bëhej me qëllim që dy personat të merrnin pjesë në një takim të mbledhjes së fondeve më 8 tetor të vitit 2012. Ligjet amerikane ndalojnë financimet nga jashtë për fushatë. Po ashtu dhe pjesmarrja e të huajve në ceremonitë e mbledhjeve të fondeve është e ndaluar, përjashto rastet kur ata shoqërohen nga shtetas amerikanë. Shehu ka pranuar se do të shoqëronte në ceremoninë e San Franciskos të Huajin 2 dhe se e ka bërë këtë në muajin tetor. Po ashtu ai ka pohuar se të Huajit 2 nuk i është lejuar hyrja, por vetëm një foto me presidentin Obama.

Sipas një shkrimi të botuar kohë më parë nga agjencia BIRN, Shehu ka postuar në Facebook me 8 tetor, ditën kur është zhvilluar ceremonia e mbledhjes së fondeve, një fotografi të tijën me Presidentin Obama dhe një tjetër po në të njejtën ditë më zotin Rama.

Foton e tij me presidentin Obama, zoti Rama e shpërndau në prag të zgjedhjeve të vitit 2013. Mënjehërë u hodhën dyshimet se fotoja ishte realizuar falë Bilal Shehut. Që në atë kohë u bë i njohur fakti se Shehu kishte dhënë donacione prej 80 mijë dollarësh. Ligjvënësi republikan nga Kalifornia, Dana Rohrabacher, u kërkoi menjëherë autoriteteve amerikane të hetonin burimin e parave që siç theksonte ai ishin “përdorur për të siguruar një fotografi, që kryetari i Partisë Socialiste në Shqipëri, Edi Rama ka bërë me Presidentin Obama, gjatë një aktiviteti për grumbullim fondesh vitin e kaluar”.

Sot zoti Rama reagoi për këtë cështje pas akuzave të ngritura më herët nga partia demokratike si dhe publikimit nga mediat lokale të vendimit të pranimit të fajësisë nga ana e Shehut, duke folur për “manipulim mediatik”. Zyra e tij theksoi në një deklarata se “Kryeministri Edi Rama, as nuk ka marrë pjesë në ndonjë organizim elektoral të Presidentit Obama dhe as nuk ka kryer ndonjë pagesë, për të marrë pjesë në një organizim të kësaj natyre. Sepse ligji amerikan ndalon përfshirjen e çfarëdolloji të shtetasve të huaj në fushatë në Shtetet e Bashkuara”, por ai nuk sqaron nëse ka qenë në dijeni apo jo nëse një subjekt tjetër ka kryer pagesën për të mundësuar pagesën apo fotografinë e tij.

Lidhur me njohjet e tij me Bilal Shehun, shpjegohet se ai “është pjesëtar i komunitetit shqiptar në Neë York dhe është takuar me delegacionin shqiptar në SHBA në vitin 2012. Por në mënyrë kategorike nuk ka patur asnjë lloj veprimi financiar nga ana e Edi Ramës për të realizuar fotografinë e takimit me Presidentin Obama”. Në deklaratë megjithatë nuk përmendet se ku është bërë takimi me Shehun. Sipas një shkrimi të botuar kohë më parë nga agjencia BIRN, Shehu ka postuar në Facebook më 8 tetor, ditën kur është zhvilluar ceremonia e mbledhjes së fondeve, një fotografi të tijën me Presidentin Obama dhe një tjetër po në të njejtën ditë me zotin Rama.

Partia demokratike e akuzoi zotin Rama se ka paguar 80 mijë dollarë për një foto me presidentin amerikan për të mashtruar shqiptarët. Kryetari Lulzim Basha ngriti një sërë pyetjesh drejtuar kryeministrit: “Ku i gjeti Edi Rama 80 mijë dollarë në një kohe kur kishte deklaruar një pasuri prej 3 mijë eurosh? Apo janë para ryshfeti e korrupsion? Cili është burimi i tyre? Çfarë ka marrë në këmbim të këtyre parave sponsorizuesit?”

Zoti Basha kërkoi që edhe prokuroria shqiptare të nisë një hetim për këtë cështje.

Nju Xhersi, pyetjet në gjykatë për Bilal Shehun

Ja pyetjet që iu drejtuan në seancën gjyqësore shtetasit Bilal Shehu me banim në Paramus të Nju Xhersit, i cili pranoi fajësinë se kishte ndihmuar për të fshehur kontribute të huaja gjatë fushatës presidenciale të vitit 2012 në SHBA.

I akuzuari iu përgjigj pozitivisht të gjitha pyetjeve:

1. Gjatë, ose rreth muajit tetor 2012, në Distriktin e Nju Xhersit dhe gjetkë, a keni ndihmuar dhe nxitur me dijeninë dhe dëshirën tuaj individë të tjerë, duke përfshirë Shtetasin e Huaj 1, shtetas i Greqisë dhe Shtetasin e Huaj 2, për të kontribuar me rreth 80 mijë dollarë nga Personi i Huaj 1 dhe Kompania e Huaj 1 për një komision të përbashkët për mbledhje fondesh (më poshtë “Komisioni i Përbashkët për Mbledhje Fondesh”), i cili përfshinte komisionin e autorizuar të fushatës për Presidentin Obama?

2. Afërsisht gjatë muajit shtator 2012, a keni mësuar rreth një plani për të mundësuar Shtetasin e Huaj 2 që të merrte pjesë në një aktivitet fushate, që do të mbahej më 8 tetor 2012, në San Francisco të Kalifornisë (“Aktiviteti i San Franciscos për Mbledhje Fondesh”)?

3. Gjatë, ose nga fundi i muajit shtator 2012, a mësuat gjithashtu se Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh do t’i jepeshin fonde prej rreth 80 mijë dollarë përpara 8 tetorit 2012, me qëllim që dy individë të merrnin pjesë në Aktivitetin e San Franciscos për Mbledhje Fondesh në atë datë?

4. A mësuat gjithashtu se, për të hyrë në Aktivitetin e San Franciscos për Mbledhje Fondesh, një jo-shtetas që kërkon të marrë pjesë duhet të jetë i shoqëruar nga një shtetas amerikan?

5. A mësuat gjithashtu se, sipas ligjit amerikan, jo-shtetasi nuk mund të jetë burim i një kontributi prej rreth 80 mijë dollarësh, që do të thotë se e tërë shuma prej 80 mijë dollarësh duhet të dhurohet nga shtetasi amerikan, që shoqëron të ftuarin jo-shtetas?

6. A ratë dakord të merrnit pjesë bashkë me Shtetasin e Huaj 2 në Aktivitetin e San Franciscos për Mbledhje Fondesh, për të mundësuar kështu hyrjen në Aktivitet të Shtetasit të Huaj 2 përmes statusit tuaj si shtetas amerikan?

7. A ratë dakord gjithashtu të shërbenit si kontribues i shumës prej 80 mijë dollarësh për Komisionit e Përbashkët për Mbledhje Fondesh, pra të pranonit fonde prej 80 mijë dollarësh nga një burim i huaj, të cilat do t’ia jepnit pastaj Komisionit të Përbashkët, duke bërë që të dukej sikur ky ishte kontribut i juaji personal?

8. Gjatë, ose nga fundi i muajit shtator 2012, a i dhatë një tjetër individi në SHBA emrin, datëlindjen dhe informacionin tuaj personal si dhe atë të gruas suaj, me dijeninë se këto informacione do t’i jepeshin Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh, në pritje të pjesëmarrjes suaj në Aktivitetin e San Franciscos?

9. A i dhatë të njëjtit individ informacionin e llogarisë suaj bankare, duke e ditur se ky do të përdorej për transferimin e rreth 80 mijë dollarëve, nga një burim i huaj tek llogaria juaj personale, që ju kishit rënë dakord t’ia kalonit pastaj Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh?

10. Gjatë, ose nga fundi i muajit shtator 2012, a morët një shumë prej rreth 80 mijë dollarësh, me transfertë elektronike, në llogarinë tuaj bankare në Nju Xhersi nga llogaria e Shtetasit të Huaj 1, duke e ditur se këto nuk ishin para që ju takonin dhe që ju do t’ia dorëzonit Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh?

11. Në ose rreth datës 29 shtator 2012, ndërsa ishit në Nju Xhersi, a i përdorët ju dhe gruaja juaj këto 80 mijë dollarë për të blerë dy çeqe bankare në emrin tuaj dhe të gruas suaj për 70 mijë dhe 10 mijë dollarë?

12. A ia dërguat ju më pas këto çeqe Komisionit për Mbledhje Fondesh për të siguruar hyrjen në Aktivitetin e San Franciscos për veten dhe për Shtetasin e Huaj 2?

13. Në fillim të tetorit 2012, a shkuat ju me avion në San Francisco, ku shoqëruat Shtetasin e Huaj 2 në vendin ku do të mbahej Aktiviteti për Mbledhje Fondesh?

14. A iu mohua Shtetasit të Huaj 2 hyrja në Aktivitetin e San Franciscos për Mbledhje Fondesh, por iu lejua të bënte fotografi me Presidentin e Shteteve të Bashkuara?

15. Duke vënë në jetë këtë skemë, a vepruat ju me dijeninë dhe me dëshirën tuaj?

16. A jeni fajtor për akuzën e ngritur në Informacion?

VOA