Nisma e PS-së  për shkarkimin e Presidentit

238
Sigal

Revanshizmit të Rilindjes për të kapur edhe Presidencën, shqiptarët i përgjigjen me protesta në rrugë! KRIIK: Përpjekja për të shkarkuar Presidentin, rrit artificialisht tensionimin e situatës, vendos nën presion institucionet. Flasin për “Telegraf” Prof. Kristaq Kume, Av. Zaçe Islami: Presidenti Ilir Meta është mbrojtësi i vetëm i Kushtetutës

Revashizmit  të  ‘Rilindjes’ shqiptarët i përgjigjen me protesta në rrugë

Gazet Telegraf

Presidenti i Republikës  Ilir Meta, deklaroi pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit  se, do të vijojë të qëndrojë në Presidencë, deri më 24 korrik 2022, ndërkohë që dje, Partia Socialiste ka nisur procedurat për shkarkimin e tij. Në celularët e deputetëve socialistë, është dërguar një mesazh ku thuhet mes të tjerash se, PS ka vendosur të iniciojë procedurën e shkarkimit të Presidentit: “Të dashur kolegë, bazuar ne disa shkelje të rënda të Kushtetutës sipas parashikimeve të nenit 90, nga ana e Presidentit Ilir Meta, përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore, në konsultim me Kryesine e Grupit Parlamentar, kemi vendosur te iniciojmë Procedurën e Shkarkimit të Presidentit të Republikës. Për këtë qëllim ju lutem, siguroni prezencën tuaj pranë Zyrës se Grupit Parlamentar për të firmosur propozimin për shkarkimin e presidentit.”

Revanshizmi

Deri tani, i vetmi institucion i pakapur nga kryeministri Rama është Presidenca e Republikës. Vota e shqiptarëve më 25 prill nuk ishte për ‘Rilindjen’, që të zaptojë e të marrë peng të gjitha institucionet kushtetuese të vendit. Mirëpo, ‘Rilindja’ dhe kryeministri Rama, të dehur nga euforia elektorale e fitimit të mandatin të tretë, menjëherë, ende pa u shpallur zyrtarisht nga KQZ-ja rezultati zgjedhor, hidhen në aksion revashist, për të shkarkuar Presidentin e Republikës, Ilir Metën. Është atentati i dytë kushtetues që ndërmjet kryeministrit Rama, pasi dështoi kohë më parë, me Komisionin Hetimor Parlamentar dhe me votimin nga parlamenti monist për të shkarkuar Presidentin e Republikës, pse çdekretoi 30 qershorin e 2019. Siç dihet, ishte opinioni i Komisionit të Venecias, që rrëzoi tërësisht vendimin e Parlamentit shqiptar për shkarkimin e Presidendit të Republikës Ilir Meta, duke argumentuar se, Dekreti i Presidentit të Republikës për çdekretimin e zgjedhjeve vendore, nuk përbën shkelje kushtetuese për të justifikuar shkarkimin e Presidentit.

Fshehja e manipulimit të votës së 25 prillit

Tashmë ‘Rilindja’ me fitimin e mandatit të tretë qeverisës, e ka të garantuar edhe marrjen e institucionit të Presidencës, emërimi i Presidentit të ri të Shqipërisë do të bëhet në korrik 2022. Mirëpo, kryeministri Rama është në aksionin politik të revashizmit dhe ngutja e tij për të ndërmarrë atentatin e dytë kushtetues për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta, ka të bëjë me përpjekjet e kryeministrit Rama për të tërhequr vëmendjen e shqiptarëve, të institucioneve ndërkombëtare nga thelbi politik i ditës: Shitblerja e votës në 25 prill. Tashmë opozita ka grumbulluar dhe po mbledh çdo fakt të shitblerjes së votës, të manipulimit të votës nëpërmjet nxjerrjes së pavlefshme të Fletëvotimit nga komisionerë të ‘Rilindjes’, që janë drejtorë dhe drejtoresha të administratës publike partiake të ‘Rilindjes’. Edhe raportet e institucioneve ndërkombëtare dhe vendase, të cilat vëzhguan votimin e 25 prillit  në veçanti, dhe fushatën elektorale në përgjithësi, deri tani kanë theksuar me të madhe, problemin e shitblerjes së votës, të manipulimit dhe tjetërsimin e vullnetit të zgjedhësve me fletëvotimet e nxjerra të pavlefshme, të cilat nuk janë rastësi që përbëjnë mbi 83 mijë copë, e përkthyer me 8 mandate deputetësh.

Prandaj veprimi i menjëhershëm pas zgjedhjeve të 25 prillit, pa pritur as certifikimin e rezultatit zgjedhor nga kryeministri Rama, për të ndërmarrë veprime ligjore e parlamentare për të shkarkuar Presidentin e Republikës,  bëhet për 3 arsye: E para, për të treguar arrogancë, që tani nuk pyesim dhe e dyta, për të tërhequr vëmendjen nga vjedhja e votave. Një arsye më shumë për të mosnjohur zgjedhjet, të shkarkohet parlamenti dhe të nisin protestat masive popullore. E treta, ushtron kështu një farë presioni politik edhe ndaj subjekteve zgjedhore për të njohur rezultatin zgjedhor, pa pritur që institucionet përkatëse, të thonë fjalën e tyre.  Dhe e fundit, pasi të marrë peng edhe Presidencën, kryeministri Rama e ka më të lehtë që të marrë peng edhe Gjykatën Kushtetuese, për të çuar anëtarë të saj vetëm militantët e tij. Kjo nismë antikushtetuese, revashiste e kryeministrit Rama për të shkarkuar Presidentin Ilir Meta, do të shkaktojë revoltë dhe do të jetë një pikënisje për të nxjerrë shqiptarët në rrugë,  të protestojnë fuqishëm, duke kërkuar drejtësi edhe për votën e blerë dhe të manipuluar, deri në largimin nga pushteti autokrat të Edi Ramës dhe rivendosjes së rendit kushtetues në Shqipëri.

Ja neni i Kushtetutës që parashikon shkarkimin e Presidentit të Republikës.

Neni 88 (Ndryshuar pika 2, shtuar pika 2/1me ligjin nr.9404, datë 21.4. 2008)

  1. Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij. 3. Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.

Flasin për gazetën “Telegraf”: Prof. Kristaq Kume, ekspert zgjedhor dhe Av. Zaçe Islami

Gazeta “Telegraf” u drejtoi Prof. Dr. Kristaq Kume dhe Av. Zaçe Islami pyetjet e mëposhtme për të hedhur dritë mbi aksionin e kryeministrit Rama për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta. Prof. Kume thotë se, Presidenti Ilir Meta, nuk ka dëmtuar rëndë rendin Kushtetues, nuk ka shkelur Kushtetutën, sa të përligjet shkarkimi i tij, ndërsa Av. Zaçe Islami pohon se, Presidenti Ilir Meta është i vetmi që mbrojti Kushtetutën e Shqipërisë. KRIIK në raportin e tij zgjedhor thekson se, nisma e fundit politike prej mazhorancës, e bërë me dije në media, për shkarkimin e Presidentit të Republikës, e cila pason një përplasje të gjatë institucionale prej gati 2 vjetësh, nuk sjell asgjë të re dhe të jashtëzakonshme në diskutimin publik, përpos rritjes dhe tensionimit artificial të situatës dhe vendosjes nën presion të të gjithë institucioneve të përfshira për dhënien e drejtësisë zgjedhore.

– A është legjitim ky parlament i deritanishëm (pavarësisht se mandati i mbaron në 9 shtator 2021) që të marrë vendim për shkarkimin e Presidentit të Republikës, derisa populli votoi parlament të ri?

– A mendoni ju se Presidenti i Republikës ka shkelur kaq rëndë Kushtetutën gjatë fushatës elektorale, sa të shkarkohet?

Prof. Dr. Kristaq Kume, ekspert i çështjeve zgjedhore

Presidenti i Republikës nuk ka shkelur rëndë Kushtetutën, që ta shkarkojë Parlamenti

Së pari, duhet që ky parlament, të ngrejë Komision Hetimor deri në 9 maj, që siç e përcakton Kushtetuta, duhet ngritur 4 muaj para se të mbarojë mandati i Parlamentit.

Së dyti, duhet të presim se me çfarë motivacioni,  të shikojmë e pastaj të gjykojmë se cilat do të jenë faktet, që do të paraqiten në Gjykatën  Kushtetuese nga Komisioni Parlamentar, për shkarkimin e Presidentit të Republikës.  Sipas gjykimit tim, kjo iniciativë e dytë ligjore e kësaj mazhorance, për të shkarkuar me domosdo Presidentin e Republikës, pasi dështoi me “aksionin” e parë, të cilin e rrëzoi Komisioni i Venecias, më shumë është një veprim për konsum politik, sesa një akt për të vënë në shina kushtetuese çështje të tilla.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e ka përcaktuar qartazi se për çfarë shkelje të rënda të Kushtetutës mund të shkarkohet Presidenti i Republikës.

Për mendimin tim, Presidenti i Republikës Ilir Meta, gjatë fushatës zgjedhore, nuk e ka shkelur rëndë Kushtetutën, që të ketë arsye kërkesa dhe veprimi i parlamentit që të kërkojë shkarkimin e Presidentit të Republikës. Me veprimet politike të Presidentit Ilir Meta, gjatë fushatës elektorale, pavarësisht se vetë Presidenti Ilir Meta u përfshi politikisht, nuk u rrezikua rendi kushtetues, nuk u dëmtua rëndë Shqipëria, sa këto veprime të Presidentit të Republikës të jenë arsye ligjore për ta shkarkuar nga posti.

 

Me veprimet politike të Presidentit Ilir Meta gjatë fushatës elektorale, nuk u rrezikua rendi kushtetues, nuk u dëmtua rëndë Shqipëria, sa këto veprime të Presidentit të Republikës të jenë arsye ligjore për ta shkarkuar nga posti

KRIIK: Nisma e mazhorancës rrit artificialisht tensionin  e situatës

Nisma e fundit politike prej mazhorancës, e bërë me dije në media, për shkarkimin e Presidentit të Republikës, e cila pason një përplasje të gjatë institucionale prej gati 2 vjetësh, nuk sjell asgjë të re dhe të jashtëzakonshme në diskutimin publik, përpos rritjes dhe tensionimit artificial të situatës dhe vendosjes nën presion të të gjithë institucioneve të përfshira për dhënien e drejtësisë zgjedhore, por edhe të vetë subjekteve apo aktorëve të tjerë që duan të adresojnë kontestimet e tyre lidhur me procesin zgjedhor.

Av. Zaçe Islami

Shashkë e kryeministrit Rama, për të mbuluar zullumet e manipulimit të votave më 25 prill

Lidhur me legjitimitetin e këtij parlamenti, tashmë të gjithë qytetarët e dinë që, si teorikisht dhe praktikisht, ky është një parlament i paligjshëm. Themi është i paligjshëm, pasi në asnjë vend demokratik, e veçanërisht për një vend, që kërkon të aderojë në familjen e madhe demokratike evropiane, nuk mund të quhet i ligjshëm një parlament i montuar nga “zgjedhje” një partiake të tilla, si ato të 45 vjetëve të diktaturës. Por dhe t’u kthehemi fakteve dhe ngjarjeve të periudhës që nga montimi i këtij parlamenti e deri më sot. Për të vërtetuar paligjshmërinë e këtij parlamenti, mjafton të përmendim një nga bëmat më antikushtetuese të këtij parlamenti, votimin dhe emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm me 67 vota, një shkelje flagrante e Kushtetutës  dhe ligjit për emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm, fakt ky i papranueshëm i paligjshëm me një prokuror ilegjitim. Kjo shkelje flagrante e Kushtetutës dhe ligjit, është veprim tipik STALINIST, çka vërteton në mënyrë eksplicite se kemi të bëjmë me një shumicë parlamentare të vendosur me dhunë , jo demokratike, e për më tepër, me plot gojën, mund të themi, kriminale. Ky parlament ilegjitim është inkompetent për të shkarkuar Presidentin e Pepublikës ndaj kjo nismë e nisur nga një kryeministër dordolec, nuk është gjë tjetër veçse një shashkë për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik nga krimi elektoral, që kreu me zgjedhjet e fundit. Përveç që s’ka tagrin të shkarkojë presidentin, ky parlament mendoj se, nuk ka as numurin e votave për të realizuar një aventurë të tillë, pasi mendoj dhe dua të besoj se, e ashtuquajtura opozitë në ikje, nuk ka më asnjë interes t’i bindet këtij kryeministri tashmë me plot gojën, diktator, që po vazhdon të qëndrojë në fuqi me vota të vjedhura dhe me mashtrim shumë satanik të opinionit publik brenda e jashtë vendit.

Presidenti i Republikës jo vetëm që nuk ka shkelur asnjë gërmë të Kushtetutës, por është i VETMI që po e mbron atë nga neodiktatura STALINISTE që po instalohet në Shqipëri

Nga ana tjetër, duhet të theksojmë se, përgjegjësia për këtë situatë është kolektive, që do të thotë se partia komuniste(absolutisht asgjë të përbashkët me socialistët evropianë), u kthye në origjinën e saj të para 30 vjetëve. E gjithë kjo maskaradë që po bën ky parlament,  duhet theksuar se ka bekimin e plotë të perëndimorëve dhe për mendimin tim ky bekim perëndimor, është më ogurzi për të ardhmen se sa për të kaluarën. Lidhur me akuzat ndaj Presidentit  të Republikës, duhet të themi se jo vetëm janë të pabazuara, por sipas mendimit tim, janë qitje me hedhje të largët. Me këtë veprim, shumica komuniste aktuale e parlamentit kërkon që ashtu siç hodhi në dorë të gjitha strukturat shtetërore, të marrë nën komandë dhe institucionin e Presidentit. JO! Presidenti, jo rëndë jo e jo, por aspak nuk ka shkelur Kushtetutën. Por këtu e keqja që i kanoset rendit kushtetues (mbrojtës i të cilit është Presidenti i Republikës), është shumë e shumë herë më e rëndë dhe me pasoja katastrofike për demokracinë në Shqipëri. Është kjo mazhorancë që shkatërroi sistemin e drejtësisë në Shqipëri, duke qenë i vetmi shtet në botë pa Gjykatë të Lartë dhe pa Kushtetuese dhe kjo situatë kalon pa asnjë vërejtje të vogël nga “partnerët” tanë perëndimorë. Cili nga vendet evropiane e ka drejtësinë në këtë derexhe? ASNJË. Lind pyetja: Pse kanë dy masa e dy qëndrime? Është pikërisht ky qëndrim i Perëndimit, që i jep kurajë Stalinistit Edvin Kristaq Rama të veprojë si Kim Yongu. Përfundimisht them me plot gojën se, Presidenti i Republikës, jo vetëm që nuk ka shkelur asnjë gërmë të Kushtetutës, por është i VETMI që po e mbron atë nga neodiktatura STALINISTE që po instalohet në Shqipëri.