Nishani takon Stoltenberg: Pas NATO-s, integrimi projekti më madhor për shqiptarët

519
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti sot në një takim të veçantë, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, zotin Jens Stoltenberg, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri. Nishani e vlerësoi shumë të rëndësishme vizitën e Sekretarit të Përgjithshëm Stoltenberg në Shqipëri. Ai vuri në dukje se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO mbetet arritja më madhore e Shqipërisë në 25 vitet e demokracisë. “Pas NATO-s, ambicia dhe projekti më madhor për shqiptarët është integrimi në Bashkimin Evropian, për realizimin e të cilit do të bëhen të gjitha përpjekjet”, theksoi Kreu i Shtetit.

Presidenti Nishani mirëpriti vijimin e politikës së dyerve të hapura të NATO-s, përfshirë me vendet e tjera të rajonit tonë, me bindjen se zgjerimi i hapësirës euroatlantike do të prodhojë më shumë siguri dhe stabilitet, jo vetëm për vendet tona e rajonin, por edhe për Europën. Në këtë kontekst, ai pohoi se Shqipëria e mbështeti plotësisht dhe mirëpriti ftesën për anëtarësim ndaj Malit të Zi, dhe se do të vijojë të japë të gjithë mbështetjen dhe eksperiencën e saj deri në anëtarësimin e plotë në Aleancë.

Kreu i Shtetit gjithashtu e garantoi Sekretarin Stoltenberg për vijimin e politikës konstruktive të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi e pajtimit në rajon, në dobi të paqes dhe stabilitetit dhe begatisë. Duke folur rreth sfidave të përbashkëta, Presidenti Nishani evokoi se mbështet plotësisht rishikimin e buxhetit për mbrojtjen, që shkon në përputhshmëri të plotë me angazhimet e mara nga Shqipëria në kuadër të Aleancës. Gjithashtu ai vuri në dukje bashkëpunimin dhe koordinimin e shkëlqyer që ekziston mes të gjitha organeve ligjzbatuese shqiptare në lidhje me luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit, duke arritur rezultate të shpejta e konkrete në lidhje me parandalimin e rekrutimit të të ashtuquajturve “luftëtarë të huaj”, përfshirë edhe për përgatitjen në përballimin e flukseve migratore që mund të zhvendosin korridorin e kalimit për në Evropë.

Sekretari i Përgjithshëm NATO-s Stoltenberg shprehu mirënjohjen e Aleancës për kontributin e Shqipërisë, përfshirë nëpërmjet mekanizmit të mbrojtjes kolektive. Zoti Stoltenberg mirëpriti vendimin e Shqipërisë për rritjen e buxhetit për mbrojtjen, dhe vlerësoi rolin kyç të saj në rajon, duke theksuar se NATO do të vijojë të ndihmojë e mbështesë aspiratën Euroatlantike të këtij rajoni përmes procesit të zgjerimit dhe marrëveshjeve të partneritetit, duke respektuar zgjedhjen e çdo vendi. Ai pohoi se rajoni i Ballkanit Perëndimor vazhdon të mbetet lart në agjendën e NATO-s, dhe se mbetej optimist në përballimin e përbashkët e suksesshëm të sfidave të sigurisë së Aleancës.
Sigal