Nishani kthen për rishqyrtim ligjin për Dhomat e Tregtisë

453


Sigal

Gazeta Telegraf/




D E K R E T

 

PËR

 

KTHIMIN E LIGJIT NR. 93/2016 “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN
NR. 9640, DATË 9.11.2006, “PËR DHOMAT E TREGTISË DHE INDUSTRISË”, TË
NDRYSHUAR”.

 

        

    Në mbështetje të
neneve 85, pika 1 dhe 93, të Kushtetutës,

 

 

D e k r e t o j

 

 

Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 93/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin
nr. 9640, datë 9.11.2006, “Për dhomat e tregtisë dhe industrisë”, të
ndryshuar”.

 

Nr. Dekretit 9769

Tiranë, më 18.10.2016

                                        

 

 

 

                                    PRESIDENTI
I REPUBLIKËS

 

 

                                    BUJAR
NISHANI

 

Arsyet e kthimit të ligjit nr. 93/2016 “Për
disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9640, datë 9.11.2006, “Për dhomat e
tregtisë” të ndryshuar”

 

Të nderuar deputetë,

 

Në seancën plenare të datës 29 Shtator 2016, Kuvendi i
Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 93/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime
në ligjin nr.9640, datë 9.11.2006, “Për dhomat e tregtisë” të ndryshuar”.

Përmes këtij ligji është
rikthyer anëtarësimi i detyrueshëm në Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë, duke
përfshirë personat fizikë dhe juridikë të rregjistruar në Qendrën Kombëtare të
Biznesit dhe duke përcaktuar edhe kuotat e detyrueshme të anëtarësimit në
Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë.

Referuar Relacionit të
Ligjit, mungesa e një buxheti minimal për funksionimin e dhomave të tregtisë ka
çuar në uljen plotësisht të rolit të dhomave si dhe në reduktimin e shërbimeve
që duhet t’i jepen anëtarësisë së saj dhe si rrjedhojë dhomat dhe Bashkimi i
Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë gjenden në pamundësi të plotë për të
përmbushur detyrimet minimale që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare, duke
krijuar jo vetëm një situatë paaftësie paguese të kuotizacioneve, por edhe duke
rrezikuar për t’u përjashtuar nga disa shoqata/organizata, siç janë EuroChambersAssociation
of Ballkan Chambers 
etj.

Ligji bazë nr.9640, datë
9.11.2006, parashikonte në nenin 6 që anëtarësimi në Dhomat e
Tregtisë ishte i detyrueshëm për ndërmarrjet shtetërore, si dhe për
personat juridikë, të regjistruar në regjistrin tregtar
 dheështë
vullnetare për personat fizikë, që kanë cilësinë e tregtarit, të cilët
ushtrojnë veprimtari tregtare, industrial
e.

Shumë organizata
biznesi, mes të cilave edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë kërkuan për një kohë të
gjatë nga Qeveria në vitin 2008 që bizneset të kishin të drejtën të
rregjistroheshin vetëm në ato organizata që ata besojnë se iu shërbejnë më
mirë.

Me Ligjin nr.9897,
dt.10.04.2008, i dekretuar nga Presidenti i Republikës me Dekretin
nr.5689, dt.29.04.2008, u bënë ndryshime në nenin 6, duke përcaktuar se Anëtarësia
në Dhomat e Tregtisë është vullnetare për personat juridikë dhe fizikë,
të regjistruar në regjistrin tregtar, sipas legjislacionit në fuqi
.

Ndryshimi në vitin 2008
synonte që anëtarësimi në dhomat e tregtisë të bëhej në mënyrë vullnetare me
qëllim që biznesi të anëtarësohej në një dhomë tregtie vetëm nëse e sheh me
interes anëtarësimin për veprimtarinë e tij dhe nëse dhoma i ofron shërbimet
për të cilat ai ka nevojë.[1] Referuar Relacionit të Ligjit nr.
9897, heqja e anëtarësisë së detyrueshme do të kishte ndikim pozitiv në
performancën e dhomave të tregtisë, duke qenë se do të shtohej konkurrenca mes
saj dhe shoqatave që përfaqësojnë biznesin dhe masa e kuotës së anëtarësisë nuk
do të miratohej nga organi mbikqyrës, me qëllim rritjen e autonomisë së dhomave
të tregtisë.[2]

Ky ndryshim, së bashku
me reformën për shkurtimin e kohës dhe kostos së licensimit dhe regjistrimit,
përmirësuan me disa pikë pozicionin e Shqipërisë në raportin e Bankës Botërore
për klimën e biznesit (Doing Business Report).

Sot pas më shumë se
tetë vitesh, Qeveria përmes Ministrisë
 së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes,
në cilësinë e organit mbikëqyrës të veprimtarisë së dhomave të tregtisë dhe
industrisë dhe Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrise, sërish bëri një
kthim prapa, duke krijuar sërish një shkelje kushtetuese të rregulluar në vitin
2008, të miratuar me votat e mazhorancës dhe opozitës të asaj kohe dhe të
dekretuar nga Presidenti i Republikës.

 

Në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë dhe në
ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të Kushtetutës kam
vlerësuar se ky ligj, duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit mbështetur në arsyet
dhe argumentet e mëposhtme:

 


pari:
     Regullimi
ligjor në lidhje me detyrueshmërinë e anëtarësimit në Dhomat e Tregtisë dhe
Dhomat e Bashkuara të Tregtisë përbën një shkelje kushtetuese referuar nenit 46
të Kushtetutës.

 

Neni 46 i Kushtetutës
përcakton se:’Kushdo ka të drejtë të organizohet
kolektivisht për çfarëdo qëllimi të ligjshëm
’ 
duke njohur kështu një parim themelor të të
drejtave
themelore të njeriut për të marrë pjesë në organizatat dhe shoqatat,
qofshin politike, të biznesit apo tjetër, me vullnetin e tyre.

MZHETTS e ka
argumentuar vendosjen e anëtarësisë së detyrueshme të subjekteve tregtare në
dhomën e tregtisë me faktin se rritja e të ardhurave do t’u mundësojë dhomave
dhe bashkimit të dhomave të përmbushin detyrimet që rrjedhin, jo vetëm nga
marrëveshjet ndërkombëtare me organizmat si EuroChambers, Association of
Ballkan Chambers etj, por të zhvillojnë një aktivitet normal në ofrimin e
shërbimeve në funksion të detyrimeve ligjore kundrejt anëtarëve të saj.[3]

Në fakt iniciativa për forcimin e pozitës së dhomave
publike të tregtisë
 (që është në parim një përpjekje pozitive nga ana
e qeverisë) po bëhet duke iu vendosur bizneseve një taksë të
fshehtë
. Ky qëndrim nuk është në përputhje me rregullat bazë të
ekonomisë së tregut. Ashtu si vetë subjektet e biznesit, shoqatat
e biznesit duhet të kryejnë aktivitet mbi bazën e rregullave që janë të drejta
dhe jodiskriminuese.

Referuar pretendimit të Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe
Industrisë të Shqipërisë, ky ligj është i orientuar në praktikat ligjore të
sistemit kontinental të funksionimit të dhomave.[4]

Ndërkohë, përfaqësuesit e biznesit vendas dhe të huaj në
Shqipëri, pretendojnë se suksesi dhe efektiviteti i aktivitetit kryesor të Dhomës
së Tregtisë, ai i mbrojtjes së interesave të ligjshme të biznesit është i
paragjykueshëm nga fakti që anëtarësimi në këtë organizatë, e cila mbikqyret
nga ministri përgjegjës për tregtinë bëhet i detyrueshëm dhe jo i bazuar në
vullnetin e lirë të anëtarëve, duke sjellë dobësimin e oponencës së biznesit në
lidhje me iniciativat legjislative të qeverisë dhe për rrjedhojë dobësimin e
konsultimit efektiv të qeverisë e grupet e interesit në lidhje me këto
iniciativa. Gjithashtu, ato pretendojnë se ligji për dhomat e tregtisë në
sistemin kontinental ofron mbrojtje dhe mbështetje të tilla të cilat nuk
ofrohen nga ky ligj.[5]

Fuqizimi i organizatave të biznesit është një tregues i
rëndësishëm i nivelit të zhvillimit të biznesit si dhe i demokratizimit të
shoqërisë në përgjithësi. Në këtë kuadër, duhet të veprojnë edhe dhomat e
tregtisë të krijuara me ligjin nr. 9640, date 09.11.2006 “Për dhomat e tregtisë
dhe industrisë”.

Ligji nuk ofron asnjë qartësi në lidhje me llojin dhe cilësinë e
shërbimit të Dhomës së Tregtisë apo të Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe
Industrisë së Shqipërisë për anëtarët që do të anëtarësohen në mënyrë të
detyrueshme dhe do të paguajnë kuotën e detyrueshme, apo rregullat dhe parimet
mbi bazën e të cilave do të promovohen, lobohen dhe mbrohen interesat e
anëtarëve të dhomave. Gjithashtu, ky ligj nuk përcakton se çfarë pasojash ka
për subjektet që nuk anëtarësohen në mënyrë të detyrueshme.

Nëse biznesi ka lirinë të zgjedhë organizatën ku do të marrë
pjesë, të gjitha dhomat dhe shoqatat do të jenë më të vëmendshme për të
rritur nivelin e shërbimeve të tyre, për të ruajtur kështu numrin e anëtarëve
të tyre, për të përfaqësuar me dinjitet zërin e anëtarëve, dhe për të dhënë
kontributin e tyre në zhvillimin e ekonomisë se vendit
.

Çdo favorizim i dhomave të tregtisë përbën një diskriminim të
shoqatave të tjera të biznesit në cënim të nenit 18 të Kushtetutës.

 

Së dyti:          Anëtarësimi
absolut i detyrueshëm me anë të pagesës së kuotës së anëtarësisë në dhomat e
tregtisë nga të gjithë personat fizikë dhe juridikë krijon premisat e një takse
të fshehtë për biznesin në kushtet që subjektet tregtare kanë vështirësi në
realizimin e fitimeve.

Ligji 93/2016
përcakton se kuota e anëtarësimit vjetor për çdo person fizik që ushtron
aktivitet tregtar është 1000 lek, ndërsa për personat juridik kuota është 3000
deri në 100 000 lekë.

Neni 155 i Kushtetutës
përcakton qartë se detyrimet financiare, taksa dhe tatime si dhe mënyra e
mbledhjes së tyre caktohen veç me ligj.

 

Në raportin e
Komisionit të Veprimtarive Prodhuese
 është bërë e qartë se në asnjë mënyrë kjo pagesë
nuk duhet të vendoset si një taksë e fshehtë për biznesin,
 duke
kërkuar që vendosja e detyrimit të anëtarësimit duhet të shoqërohet detyrimisht
me:

transparencë në
përcaktimin e kuotave, duke parashikuar që caktimi i tyre të bëhet bazuar në
kategorizimin e bizneseve si dhe duke vendosur tarifa minimale dhe maksimale në
përcaktimin e kuotave, bazuar në kategorizimin e bizneseve si person fizik apo
person juridik; dhe

-transparencë në administrimin e të ardhurave që krijohen nga
pagesat e kuotave, duke vendosur detyrimin për publikimin në faqen e internetit
të dhomës të buxhetit të vitit aktual të miratuar nga Asambleja dhe të pasqyrës
së realizimit faktik të buxhetit të vitit paraardhës.[6]

Ligji për personat
juridike ka vendosur një kuotë nga 3000 deri në 100 000 lek, ndërkohë që një
vlerë e tillë nuk është proporcionale, duke marrë në konsideratë dhe taksimin e
biznesit në ushtrimet e aktivitetit të tij. Rezultatet e Indeksit të Biznesit
të Dhomës Amerikane për vitin 2015-2016 treguan se shqetësimi kryesor për
klimën e biznesit në vend është niveli i taksave.[7]

Pra, me fjalë të tjera
kuotat nuk mund të jenë në një vlerë të tillë, të cilat në fakt nuk janë tjetër
veçse një taksim shtesë për biznesin. Ndryshe nga sa është kërkuar gjatë
debatit në Komision, nuk rezulton të jetë e qartë përcaktimi i kuotave në rastin
e personave juridikë referuar tarifave minimale dhe maksimale, apo bazuar në
xhiron e kategorive të biznesit, aktivitetit tregtar dhe shërbimeve që ofrojnë
në treg.

Po ashtu, përmes
dispozitave të tij ligji nuk krijon mundësitë që të bëhet transparente administrimi
i të ardhurave të krijuara nga pagesat e kuotave në rastin e dhomave të
tregtisë.

Në ligj apo relacionin e
projekt-ligjit nuk është e qartë strategjia përkatëse se si do të realizohen
objektivat dhe shërbimet që do të merren përsipër nga DHTI dhe BDHTI, duke
rritur në këtë mënyrë shkallën e pasigurisë të subjekteve tregtare ndaj
shërbimit që do ofrohet nga këto dhoma, gjë për të cilën do të kryejnë dhe
pagesën e detyruar.

Në modelin kontinental
detyrimi për anëtarësim përmes pagesës së kuotës nga të gjitha subjektet
tregtare mbështetet në delegimin e disa punëve publike DHTI-ve për shkak të
lidhjeve të tyre të ngushta me biznesin, duke ndikuar në fuqizimin dhe rolin e
tyre në vend dhe rritur nevojën e krijimit të instancave shtetërore mbikqyrëse
që kontrollojnë përmbushjen e detyrave publike të deleguara nga DHTI. Në këtë
mënyrë krijohet një raport i drejtë dhe i balancuar mes përgjegjësisë e
pozicionit influencues të DHTI-ve në përmbushjen e shërbimeve dhe misionit të
tyre dhe detyrimit për pagesën e anëtarësimit të subjekteve tregtare. Pra,
pagesa e detyrueshme e kuotave të anëtarësimit përligjet nga mirëfuksionimi i
DHTI-ve dhe synimi i rritjes së influencës së tyre në politikbërje në mbrojtjen
e anëtarëve të DHTI-ve.

 

Së fundi, referuar
prognozës së bërë në mbledhjen e të ardhurave në mënyrë të detyrueshme nga të
gjitha subjektet, qoftë persona fizikë apo juridikë, misioni dhe përcaktimet
ligjore në lidhje me aktivitetin e dhomave të përcaktuara në këtë ligj nuk e
justifikojnë përfitimin e të ardhurave në atë nivel, i cili mund të ishte
lehtësisht i krahasueshëm me buxhetin e një ministrie apo institucioni tjetër
të rëndësishëm[8].

 

Të nderuar deputetë,

 

Në përfundim, referuar sa më sipër kërkoj
mirëkuptimin Tuaj në rishqyrtimin e ligjit nr. 93/2016 
“Për
disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9640, datë 9.11.2006, “Për dhomat e
tregtisë” të ndryshuar”, pasi bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së
Shqipërisë dhe kuadrin ligjor në Republikën e Shqipërisë.

 

Me respekt,

           

PRESIDENTI I
REPUBLIKËS

 

BUJAR NISHANI