Nishani-Fleckenstein: Reforma në drejtësi, ngecje në retorik politike

421
Sigal

TIRANE – Kreu i Shtetit Bujar Nishani ka shfrytëzuar vizitën e eurodeputetit Knut Fleckenstein në Tiranë, për t’i shprehur shqetësimet në lidhje me reformën në drejtësi, duke deklaruar se ecuria e reformës ka ngelur në linjën e retorikës politike. Sipas zyrës së shtypit të Presidencës që zbardhi takimin mes Nishanit dhe raportuesit për Shqipërinë në PE, Presidenti “tërhoqi vëmendjen mbi ndryshimet ligjore fragmentare e të njëanshme, të cilat po vazhdojnë pavarësisht angazhimit për një reformë tërësore dhe gjithëpërfshirëse, veçanërisht me domosdoshmërinë e përfshirjes së Komisionit të Venecias”.
 
Presidenti i Republikës e garantoi eurodeputetin Fleckenstein se do të qëndrojë i palëkundur në mbrojtje të parimeve kushtetuese dhe standardeve europiane, në shërbim të qytetarëve shqiptarë dhe të avancimit të agjendës europiane të vendit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
 
Nga ana e tij, Eurodeputeti Fleckenstein vuri në dukje se bashkë me shumicën e kolegëve të tjerë në Parlamentin Europian ndan bindjen se Shqipëria i përket Europës, dhe se anëtarësimi i saj është çështje kohe. Sipas tij, tre cështjet thebësore në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, janë shteti ligjor, një kulturë politike europiane dhe angazhimi më i madh i shoqërisë civile.
 
Në të njëjtën linjë, edhe Presidenti theksoi se për Shqipërinë nuk ka asnjë alternativë tjetër ndaj integrimit europian, “edhe pse ky është një proces dhe si i tillë do të marrë kohën e nevojshme për t’u realizuar, të ndihmuar, në partneritet dhe bashkëpunim me Bashkimin Europian”.
 
Në përfundim, Presidenti i Republikës përcolli vlerësimin dhe mirënjohjen për institucionet europiane, Parlamentin Europian, dhe posaçërisht angazhimin e dy familjeve të mëdha politike, të cilat përmes dy eurodeputetëve me peshë e eksperiencë u angazhuan për rikthimin e normalitetit të jetës parlamentare në Shqipëri.

Fleckenstein takon Metën: Fundi i bojkotit, zhvillim pozitiv për demorkacinë, bashkëpunoni në Kuvend
Takimin e dytë zyrtar në Tiranë, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein e zhvilloi me kryetarin e Kuvendit Ilir Meta. Në këndvështrimin e eurodeputetit përfundimi i bojkotit parlamentar të opozitës pas mëse 6 muajsh, është një zhvillim pozitiv për demokracinë shqiptare. Gjatë takimit me kryeparlamentarin, Fleckenstein tha se Parlamenti Evropian do të jetë  pranë Shqipërisë për avancimin edhe më të shpejtë të procesit të integrimit evropian.
 
Në të njëjtën linjë, edhe kryeparlamentari Meta vlerësoi rikthimin e Opozitës në Kuvend gjatë muajit dhjetor dhe nënvizoi vullnetin për të mirëpritur një angazhim edhe më aktiv të të gjitha palëve politike si dhe të shoqërisë civile e grupeve të interesit në funksion të përmbushjes së prioriteteve që kërkon integrimi evropian i vendit.
 
Meta dhe Fleckenstein ndanë bindjen se Kuvendi ka një rol të rëndësishëm në mbarëvajtjen e frymës së bashkëpunimit substancial politik në vend dhe në progresin e reformave madhore që nevojiten, duke nënvizuar se bashkëpunimi i ngushtë mes autoriteteve shqiptare dhe strukturave të Bashkimit Evropian është thelbësor në këtë drejtim.
 
Sakaq, kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohjen e tij për përpjekjet e eurodeputetëve  Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan për të risjellë në Kuvend opozitën shqiptare, negociata të cilat u finalizuan me miratimin e një rezolute të përbashkët që përfshin dhe dekriminalizimin e Kuvendit.