Braçe: “Unë flas në emër të socialistëve. Në emër të PS-së, flet Rama dhe Erjon Veliaj!”

525
Sigal

Deputeti i PS-së, Erjon Braçe, reagon ndaj AK-së, sepse …hesht Edi Rama

 Është e dyta herë, që deputeti Erjon Braçe kritikon hapur Edi Ramën, për heshtje, madje, kritika e tij është kaq e drejtpërdrejtë, sa ai distancohet hapur nga mosveprimi politik i PS-së, duke bërë përgjegjës Kryetarin e PS-së, Edi Ramën dhe Erjon Veliaj. Kritika e parë e Braçes ndaj Edi Ramës ishte për votimin  në Parlament të kandidaturës së anëtarit të Gjykatës së Lartë. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe i ktheu përgjigje kreut të Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, pas akuzës që ai bëri se PS është PASOK. Kreshnik Spahiu, (dje) e tregoi PS-në si parti greke dhe aludoi se PS do të qeverisë me PD-në: “Kreshnik po të përgjigjem unë meqë të tjerët po të përkëdhelin: PS-ja nuk është PASOK!”, – shprehet Braçe, një ditë pasi kryetari i PS-së e la rrugën e hapur për një aleancë të mundshme me Aleancën Kuq e Zi. “PS-ja është parti puro shqiptare, kombëtare, demokratike dhe socialiste. PS-ja ka bërë për çështjen kombëtare shqiptare shumë më tepër se çdo parti, shoqatë, grupim në këtë vend, për Shqipërinë e sovranitetin e saj, për Kosovën dhe pavarësinë e saj, për shqiptarët kudo që janë, në Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri e kudo gjetkë”, – shkruan Braçe në komentin e tij, në rrjetin social, ku shpesh publikon qëndrimet politike. Sipas tij: “PS-ja, çështjen kombëtare e ka thelbin e vet. PS-ja për çështjen kombëtare flet e bën prej 20 vitesh”. Deputeti socialist vazhdon të tregojë veprimtarinë kombëtare të PS-së, duke thënë se: “PS-ja është sot opozita më e madhe e më e rëndësishme në këtë vend, forcë jetike për të rrëzuar rrëgjimin; e ka paguar me gjak e sakrifica opozitarizmin e saj përballë Sali Berishës, por edhe përballë gjykatësve që i administroje ti edhe kundër opozitarizmit tonë”. “PS është alternativë qeverisëse ndaj Berishës, jo partnere e Qeverisë së Sali Berishës. Kurrë nuk do të jetë e tillë. Ti deri para se të humbje punën ishe partner me të, madje qysh i vogël, kur e fale në skandalin Arsidi, kur e certifikove në masakrën më të madhe elektorale të 26 majit dhe çdo ditë prej asaj dite vetëm partneri i tij ke qenë”, – shprehet Braçe, duke treguar lidhjet e Spahiut me PD-në. “Përsëri në detyrë me të je! Kjo është PS-ja, Kreshnik dhe mos e ngatërro kurrë me ndonjë individ që si ka bartur kurrë vlerat e saj”, – shkruan Braçe, pa përmendur emra të tjerë, por duke ju drejtuar edhe kolegëve të tij, brenda partisë. E ndërsa i ka kthyer përgjigje Spahiut, Braçja vijon me kritikat në rrjetin social,  edhe ndaj kreut të PS-së, Rama, kur u drejtohet tregtarëve të importit të plehrave. “Ju njoh të gjithëve, ju kam në një listë. Ua di edhe lidhjet ekonomike dhe politike. Do përballemi patjetër”, – u drejtohet Braçe tregtarëve të plehrave, në një tjetër koment më poshtë. “Si thoni, “shpresojmë që Erjon Braçe të mos flasë në emër të PS-së”? Qenkeni në një mendje me Atë në PS! Një përgjigje kam: Unë flas në emër të socialistëve, qytetarëve që përfaqësoj. Interesi i tyre është Shqipëria pa plehra, vendi dhe importi. Në emër të PS-së flet kryetari Edi Rama dhe ndonjëherë edhe Erion Veliaj”, – shkruan më tej Braçe