Nikolin Jaka: Greqia abuzon me kthimin e Taks-Free-së në Doganën e Kapshticës. Do të abandonojmë tregun grek!

516
Sigal

INTERVISTA/Flet për “Telegraf”, Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, për çështjet e biznesit

Marrja e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian do të jepte dhe një impakt pozitiv edhe në ekonominë tonë. Në lidhje me situatën e biznesit dhe problemet që hasin tregtarët në Shqipëri ka folur në një intervistë për “Telegraf”, Kryetari i Dhomës së Tregtisë Nikolin Jaka. Po ashtu zoti Jaka ka folur edhe për problemet që hasin qytetarët shqiptarë për mos kthimin e Taks-Free, në pikën kufitare me Greqinë.

 -Zoti Jaka, si i shihni marrëdhëniet tregtare të Shqipërisë me vendet e Bashkimit Europian?

-Vihet re që vitet e fundit sipërmarrja shqiptare është fokusuar ka intensifikuar marrëdhëniet tregtare me vendet e Bashkimit Evropian. Normalisht që edhe marrëveshja e tregtisë së lirë ka ndikuar ndjeshëm. Por njëkohësisht, duke parë edhe tendencat e sipërmarrësve shqiptarë për të marrë shërbimin e duhur dhe për të pasur partneritetet e duhura janë fokusuar me vendet e Bashkimit Europian, e cila ka rritur ndjeshëm edhe marrëdhëniet me këto vende.

 -A mendoni se marrja e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria për në BE, do të ndikonte edhe në ekonominë tonë?

-Është e padiskutueshme që nëse Shqipëria do të kishte marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian, jo vetëm që do të kishte një intensifikim më të madh të marrëdhënieve tregtare, por edhe do të kishte një besueshmëri më të madhe të ekonomisë globale dhe ekonomisë evropiane për tu intensifikuar dhe për të investuar në Shqipëri. Por njëkohësisht, duke pasur parasysh që do të kishte dhe financime dhe donacione që do të vinin për një vend kandidat për në Bashkimin Evropian. Kështu që ne e kemi kërkuar dhe e kërkojmë, pasi qytetarët dhe biznesi janë ato që vuajnë pasojat e retorikës politike. Ne kemi kërkuar dhe kërkojmë që të jemi sa më shpejt prezent duke plotësuar edhe kërkesat që kërkon Bashkimi Europian dhe demokracitë perëndimore, në mënyrë që të përfitojmë ato që na takojnë.

 -Cila është mbështetja juaj si Kryetar i Dhomës së Tregtisë, për tregtarët, pasi një pjesë e madhe e tyre po denigrohen në doganat greke?

-Nuk e di sa jeni të involvuar me aktivitetin e Dhomës së Tregtisë. Por unë mund të ju them se Dhoma e Tregtisë ka lobuar dhe lobon, vazhdon dhe punon përditë për mbrojtjen e interesave të biznesit, jo vetëm vendas, por edhe atij të huaj, duke promovuar për thithjen e tyre në Shqipëri. Por njëkohësisht duke dalë edhe rast pas rastin në mbrojtjen e të drejtave, por edhe cenimit të të drejtave që i bëhet bizneseve në veçanti. Ne kemi pasur kontakte edhe me organet tatimore, organet doganore, apo edhe me institucionet e tjera që kanë kontakte të drejtpërdrejta me biznesin. Dhe në ato raste kur ne kemi pasur kontakte në mbrojtje të të drejtave të biznesit ne kemi pasur edhe një dëshmi dhe përgjigje pozitive nga ana e këtyre institucioneve.

 -Në vendet e Europës Taks-Free kthehet në pikën doganore, ndërsa në Doganën e Kapshticës nuk kthehet një taksë e tillë me arsyetimin se nuk kemi para. Si e shikoni këtë?

-Mesa di unë, Taks-Free është një sistem që përdoret më shumë nga qytetarët sesa nga bizneset, të paktën kjo është në informacionin që kam unë. Pasi bizneset marrëdhëniet e tyre tregtare i kanë në kontrata dhe normalisht TVSH-të janë të rimbursueshme që në vendin e origjinës, pra zbriten. Ndërsa kur kemi të bëjmë me sistemin e taksimit i bie që të futen blerjet e qytetarëve shqiptarë që janë rezident në Shqipëri dhe blejnë mallra jashtë Shqipërisë. Në rastin konkret unë mendoj që pikat greke mbase nuk janë aq korrekte sa janë pikat e tjera në lidhje me rimbursimin e këtyre taksave të qytetarëve që kalojnë mallra në këto pika doganore.

 -Pranë redaksisë së gazetës “Telegraf” ka pasur një rast konkret që nuk i është kthyer Taks-Free në pikën doganore me Greqinë. Cila është zgjidhja për rastin konkret dhe për qytetarët e tjerë?

-Unë mund të them një përgjigje në lidhje me procedurat e Taks-Free, pasi është një procedurë që zgjidhet nga kompanitë, të cilat marrin përgjegjësinë dhe rimbursimin e Taks-Free. Pra, nuk është e udhës dhe nuk është e drejtë për asnjë qytetar që të krijojë një shqetësim në vetvete në lidhje me Taks-Free. Pasi çdo faturë e lëshuar dhe që i nënshtrohet sistemit të Taks-Free, rimbursohet nga kompania që është agjente dhe merr përsipër rimbursimin e Taks-Free-ve. Dhe në çdo vend të Evropës, nëse nuk e ka Greqia mund ta ketë çdo vend tjetër, ku ka zyrat kompania dhe merr paratë të rimbursuara. Po ashtu ato mund t’i marrë ato para  edhe nëpërmjet kartave të kreditit dhe ato para rimbursohen. Një qytetar shqiptar që merr mallra në çdo vend të Bashkimit Evropian, ka dy mënyra për ti marrë ato para. Rruga e parë është marrja e parave në vendin ku e zhdoganon atë mall, ku vë vulën doganore që ky mall ka dalë nga vendi që është blerë dhe Taks-Free mund të jetë afër doganës dhe ajo rimbursohet në moment. Ose në rastin kur mungon zyra e rimbursimit atëherë operohet me zarfet e Taks-Free dhe ku qytetari duhet të jetë i vëmendshëm që mos ta humbasë këtë zarf dhe ta dërgojë në postat ku këto kompani janë në shërbim të qytetarëve dhe në kartën e tyre të kreditit kthehet shuma e rimbursuara nga kompanitë që i kanë si detyrimin për t’i rimbursuar.

Z.Jaka, problem shtrohet se, doganieri grek i Kapshticës ditën e diel nuk pranoi të vulosë faturat. Për këtë shteti grek mund të shohë në kamera, kontrollin e mallit nga doganieri dhe faktin që ai nuk pranon t’i vulosë faturat e lëshuara nga vetë tregtarët dhe kompanitë greke.

Kjo përbënë skandalin  më të madh dhe papërgjegjshmërinë e këtyre nëpunësve, të cilët  po i bëjnë një dëm të madh shtetit të tyre dhe bizneseve  greke. Është e pakonceptueshme një gjë e tillë dhe unë jam në dijeni të këtyre rasteve. Shteti grek duhet të ndërhyjë dhe të riparojë këtë gjendje, madje, duke filluar nga rasti që ju po merreni. Në të kundërt ne do t’u bëjmë thirrje  bizneseve dhe qytetarëve të abandonojnë të gjitha blerjet në tregun grek, duke hedhur sytë nga Europa dhe vendet e tjera.