Ngrijnë edhe mandatet e këshilltarëve në Këshillat Bashkiake

616
Sigal

Dorëzimi i mandateve të deputetëve të opozitës është fillimi i një aksioni politik të Opozitës së Bashkuar kundër qeverisjes. Madje, sikurse bëjnë me dije burime të mirinformuara të gazetës “Telegraf” pranë opozitës, po përgatitet edhe terreni që të ngrijnë edhe mandatet e këshilltarëve të opozitës së Bashkuar në Këshillat Bashkiakë të të gjitha bashkive. Duke qenë se jemi më pak se 3 muaj nga data e zhvillimit të zgjedhjeve lokale, Kodi Zgjedhor nuk e lejon që mandatet e këshilltarëve që “ngrijnë” mandatet e tyre e të zëvendësohen. Kështu, që praktikisht, sikurse edhe parlamenti, edhe këshillat bashkiakë do të mbeten pa opozitë dhe, si të tillë, nuk mund të funksionojnë. Madje, në shumë bashki, këshilltarët e opozitës së Bashkuar kanë shumicën, kështu që me “ngrirjen” e mandateve të këshilltarëve, do të paralizohet praktikisht edhe funksionimi i bashkive. Burime të gazetës “Telegraf” thonë, se opozita “ngrirjen” e mandateve të këshilltarëve të saj në Këshillat bashkiakë, e shikon si fillimin e një aksioni opozitar radikal, ku më tej, diskutohet edhe mundësia që Opozita të bojkotojë tërësisht edhe zgjedhjet vendore, nëse nuk dorëhiqet qeveria dhe nuk krijohet një qeveri tranzitore, e cila do të kryejë edhe zgjedhjet vendore, edhe zgjedhje të parakohshme, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.