Gjykata Administrative: Gjobë 46 mln lekë kompanisë “EKMA” që administron tregun Agro-Ushqimor

619
Sigal

Gjykata Administrative konfirmon gjobën prej 46 mln lekësh të vendosur nga Autoriteti i Konkurrencës ndaj kompanisë “EKMA Albania sh.p.k”, e cila administron tregun Agro-Ushqimor në Tiranë. Gjykata ka vendosur se gjoba e Autoritetit të Konkurrencës për kompaninë ka qenë i bazuar, pasi “EKMA Albania sh.p.k” abuzon në kurriz të tregtarëve me tarifa dyfish. Vendimi është marrë nga gjyqtari Avni Sjedi, i cili më parë ka pezulluar ekzekutimin e gjobës, por pas përballjes së re me prova nga Autoriteti i Konkurrencës për pozitën dominuese të “EKMA Albania sh.p.k” në treg vendosi që të konfirmonte gjobën me vlerë 46 mln lekë. Vendimi i Gjykatës i hap rrugë vjeljes së gjobës nga Autoriteti Konkurrencës. Kompania “EKMA Albania sh.p.k” cila administron tregun e Shumicës Agro-ushqimore është në bashkëpronësi të biznesmenëve Klodjan Allajbeu e Haxhi Bardhi.

Precedenti

Autoriteti i Konkurrencës ka pezulluar në muajin shtator 2018 veprimtarinë e ndërmarrjes “EKMA Albania sh.p.k”, e cila ushtronte aktivitetin e saj në pozita monopol. “EKMA Albania sh.p.k” është një firmë që vepron në tregun e dhënies me qira të mjediseve për magazinimin e produkteve agro-ushqimore në qytetin e Tiranës. Nga hetimi paraprak i Autoritetit të Konkurrencës do të rezultonte që veprimtaria e kësaj ndërmarrjeje ka dëmtuar tregtarët që, duke mos gjetur alternativë tjetër në treg, kanë pranuar çmimet e larta të “EKMA Albania sh.p.k”. Kjo ndërmarrje faturon qira të lartë e dyfishon çmimin e ujit dhe energjisë” citohej në raportin e Autoritetit të Konkurrencës.

Provat e Autoritetit të Konkurrencës

Autoriteti i Konkurrencës përfaqësuar nga avokati Indrit Reka deklaroi në seancën e së hënë së kaluar në gjykatë, se gjoba është e drejtë dhe duhet të mbetet në fuqi, pasi “EKMA Albania sh.p.k” abuzon ndaj tregtarëve me faturim prej 20.5 lekësh për kw/h për energjinë elektrike ndaj tregtarëve dhe 360 lekë m3 për ujin, kur çmimet janë disa herë më të lira. Një tjetër pretendim i Autoritetit të Konkurrencës ishte dhe fakti se “EKMA Albania sh.p.k” ka një monopol dhe kontratat e qirasë i ka vetëm me penalitetet ndaj tregtarëve dhe asnjë detyrim si qiradhënës. Të njëjtin qëndrim mbajti dhe Avokatura e Shtetit. Ky është tregu i vetëm i shumicës për produktet Agro-Ushqimore në Tiranë ndërsa u ndërtua pas mbylljes së tregut te ish uzina “Dinamo”. Referuar bilancit të ndërmarrjes, vlerës së shitjeve në tregun përkatës, ndërmarrja “EKMA Albania sh.p.k” ka fuqi ekonomike e financiare, e cila mund të shkaktojë kufizime të mundshme të konkurrencës në tregun përkatës. Sipas autoritetit pozita aktuale i krijon ndërmarrjes mundësinë që të maksimiziojë fitimet duke vendosur çmime shumë të larta, të cilat nuk justifikojnë vlerën. Sipas Autoritetit të Konkurrencës që ka denoncuar abuzimet, tregtarët për këto ambiente paguajnë një qira 74% më të lartë se bizneset e tjera të zonës, duke ndikuar kështu edhe në rritjen e çmimeve të produkteve Agro-Ushqimore për qytetarët. Çmimet i mundësojnë shoqërisë “EKMA Albania sh.p.k” një normë fitimi shumë të lartë prej 76.1% ku e përkthyer në vlerë monetare do të thotë se ai kap shifrën prej 380 milionë lekësh të reja vetëm për vitin 2017.