Në Kuçove më 14 Maj është konsumuar krimi më i madh zgjedhor. Hajdari fshehu dënimin penal në Greqi, prokuroria të veprojë

97
Sigal

Nga Endrit Braimllari

Në Kuçove më 14 Maj është konsumuar krimi më i madh zgjedhor.

Kreshnik Hajdari kryetari aktual i bashkisë Kuçove nuk duhet te ishte lejuar te kandidojë pasi ka konsumuar një vepër të rëndë penale duke mashtruar me plotësimin e formularit të vetëdeklarimit ku ka fshehur një dënim penal në shtetin Grek.

Në emër të Koalicionit “Bashkë Fitojmë” i jemi drejtur Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe Prokurorisë së Përgjithshme në datë 04.04.2023, mbi verifikimin e pastertisë së figurës së shtetasit Kreshnik Hajdari që në këtë rast është kryetari në detyrë dhe Kandidati i Bashkisë Kuçovë për kryetar bashkie në rradhët e Rilindjes, i cili në formularin e vetëdeklarimit ka fshehur deklarimin e dënimit penal në shtetin grek, fakt ky që “sjell përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga kandidimi, zgjedhja, emërimi apo nga funksioni publik”.

Materiali drejtuar KQZ por dhe Prokurorisë së Përgjithshme nga ana jonë ka qenë i plotë shoqëruar me vendimin e dënimit të këtij shtetasi.

Ende ne nuk kemi një përgjigje nga Prokuroria e Përgjithshme dhe KQZ.

Lejimi i kandidimit të këtij shtetasi në kundërshtim me ligjin ka sjell pasoja të rënda.

Pse hesht prokuroria e Përgjithshme dhe KQZ kur shkresa i është drejtuar me 04.04.2023 nga ana jonë dhe kanë pasur kohë plot 40 ditë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale për të bërë verifikimet përkatëse.

Pra është e qartë që në Kuçovë kemi të bëjmë me një masakër elektorale e cila fillon para zgjedhjeve me kandidimin në kundërshtim me ligjin të nje kryetari bashkie të dënuar dhe ekzekutohet në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve nga një makineri shtetërore në krye të së cilës qëndron ministri i brëndshëm Bledi Çuçi.